Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vdiq në moshën 111-vjeçare njeriu më i vjetër në Itali

Njeriu më i vjetër në Itali, Tripoli Giannini, vdiq të dielën në moshën 111-vjeçare, raporton “The Guardian”.

Giannini vdiq në shtëpinë e tij në Cecina, në afërsi të Livornos në Toskanë, në natën e Vitit të Ri. Ai ishte burri i dytë më i vjetër në Evropë, pas francezi Andre Ludwig që është 75 ditë më i vjetër.

“Ai besonte se ishte i pavdekshëm...por, në ora 9:30 në ditën e San Silvestros, babai im Tripoli Giannini vdiq. Ai ishte 111 vjet e 133 ditë – një rekord! Ai i bashkohet bashkëshortes, Toscas, nënës sime, që e ka pritur atë për mbi 40 vjet”, ka shkruar i biri i Gianninit, Romano, në “Facebook”.

Sipas shifrave të “Istat” në Itali në vitin 2023 kishte mbi 22 mijë persona të moshës mbi 100 vjet. Shumica janë gra.

Giannini, që kishte qenë ushtar, i mbijetoi dy luftërave botërore e dy pandemive. Në gusht në festimin e ditëlindjes së 111-të ai tha se sekretet e jetëgjatësisë së tij janë ushqimet e lehta, gjithmonë të përcjella me venë, po ashtu jeta pa stres. Ai po ashtu tha se nuk kishte pirë duhan dhe se e trajtonte çdo ditë si dhuratë.

Ishulli italian i Sardenjës është identifikuar si një nga pesë rajonet në botë që kanë numrin më të madh të njëqindvjeçarëve, ndërsa Genoa është qyteti italian me më së tepërmi persona që janë mbi 100 vjet.