Botë

Vazhdojnë bisedimet për zgjatje tjetër të mundshme të armëpushimit

Bisedimet për një zgjatje të mundshme të armëpushimit të përkohshëm mes Izraelit dhe Hamasit janë duke vazhduar në Katar. Izraeli ka bërë të ditur se ka pranuar një listë të pengjeve të mbajtura në Gazë, të cilët mund të lirohen më vonë të mërkurën, në ditën e gjashtë të armëpushimit aktual.

Të martën, 12 pengje të tjera u liruan nga Hamasi, ndërsa Izraeli liroi 30 të burgosur të tjerë palestinezë.

Të burgosurit palestinezë kanë pretenduar se janë keqtrajtuar gjatë kohës që ndodheshin në burgjet izraelite. Një djalë 14-vjeçar ka thenë se ishte dëshmitar i rrahjeve, ndërsa Izraeli nuk ka komentuar fare mbi këtë çështje.

E mëngjesin e së mërkurës, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka ndarë në rrjetin social X, detaje mbi numrin e rasteve të sëmundjeve të ndryshme në Gazë.

Ato janë si më poshtë:

Infeksionet respiratore akute: 111 mijë raste

Zgjebe: 12 mijë raste

Morrat: 11 mijë raste

Diarre: 75 mijë raste

Skuqja e lëkurës: 24 mijë raste

Impetigo: 2.500 raste

Lija e ujit: 2.500 raste

Verdhëza: 1.100 raste

Ghebreyesus ka paralajmëruar se numri i vdekjeve nga sëmundjet mund të jetë më i lartë se ato nga bombardimet.

“Duke pasur parasysh kushtet e jetesës dhe mungesën e kujdesit shëndetësor, më shumë njerëz mund të vdesin nga sëmundjet sesa nga bombardimet”, ka thënë Ghebreyesus.