Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ushtria amerikane: Mos u frikësoni nga robotët e armatosur

Njerëzit do të vazhdojnë të dirigjojnë veprimet e robotëve të armatosur gjatë kohës sa ata janë në fushëbetejë, kështu që nuk duhet frikësuar prej tyre, ka thënë Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

Deklarata e zyrtarëve amerikanë ka ardhur pasi që janë shpalosur plane për platforma armatimi, që mund ta zgjedhin vetë cakun në fushëbetejë.

Planet amerikane synojnë avansimin e sistemeve ekzistuese të marrjes në cak, duke përdorur teknologjitë e reja të inteligjencës. SHBA-ja ka thënë se rregullat që e menaxhojnë çështjen e robotëve të armatosur vazhdojnë të jenë të vlefshme dhe se njerëzit do ta kenë kompetencën për të dirigjuar veprimet robotike, raporton BBC, përcjell Koha Ditore.

Planet e Departamentit amerikan të Mbrojtjes synojnë avansimin e sistemit aktual “Atlas”, që përdoret aktualisht në caktimin më efikas të shënjestrave.

Ushtria është duke kërkuar partnerë komercialë për zhvillimin e sistemeve të marrjes në cak, me qëllim të “sigurimit, identifikimit dhe shënjestrimit të caqeve trefish më shpejtë, krahasuar me sistemin aktual manual”.

Ushtria amerikanë më pas e ka modifikuar propozimin e vet, duke e theksuar rolin kyç të njerëzve në procesin e marrjes në cak.