Ushtria amerikane ka pranuar t’ia lirojë Koresë së Jugut 12 lokacione, përfshirë disa edhe në kryeqytetin Seul, duke u hapur kështu rrugë disa projekteve me rëndësi për shoqërinë.
Vendimi është marrë pas shumë vitesh refuzim nga SHBA-ja, shkruan arirang.co.kr.
Ushtria amerikane është e vendosur në Kore të Jugut që nga lufta e Koresë, që ndodhi në nga viti 1950 deri më 1953.
Viteve të shkuara palët kanë ulur shpenzimet në mbajtjen e ushtarëve amerikanë në Kore të Jugut, që aktualisht janë 28.500 të shpërndarë në baza të ndryshme, me gjithë kërcënimin e vazhdueshëm nga Koreja e Veriut.
Numri prej 12 është mes 80 bazave, për të cilat forcat amerikane në Kore janë marrë vesh me autoritetet vendase më 2002 t’i dorëzojnë, por planet janë shtyrë pasi palët nuk janë marrë vesh për shpenzimet rreth pastrimit e dekontaminimit të zonave.
Të dy palët kanë finalizuar marrëveshjen për dorëzimin e 12 lokacioneve me kushtin që të vazhdojnë të bisedojnë për shpenzimet rreth pastrimit, ka bërë të ditur Qeveria e Koresë së Jugut.
Edhe
SHBA-ja dhe Koreja e Jugut arrijnë marrëveshje në parim për praninë e trupave amerikanë në vendin aziatik
“Me mirëkuptim kemi ardhur te vendimi për shkak të problemeve ekonomike e sociale që kanë ardhur si pasojë e kthimit jo në kohë të lokacioneve”, ka thënë Choi Chang-won, zv.ministri për Koordinim Politik të Qeverisë.
Deri më tash, qeveria koreane ka përfunduar dekontaminimin e 24 bazave të kthyera nga SHBA-ja me një kosto prej mbi 200 milionë dollarë amerikanë. 90 milionë dollarë të tjerë u shpenzuan për të pastruar tri nga katër bazat që u kthyen vitin e kaluar.