Kolumbia ka prej kohësh shërbimin e detyrueshëm ushtarak për meshkujt e moshës 18 deri në 24 vjeç. Këtë vit, zyrtarët lejuan edhe femrat në të njëjtën grupmoshë të bashkohen vullnetarisht në ushtri, në atë që ushtria thotë se është pjesë e një përpjekjeje për të
(AP) - E kamufluar, Zulma Stefania Perez reflektoi në javët e para të stërvitjes në një bazë ushtarake në kryeqytet - dhe në jetën e saj si një nga rekrutet e para të Kolumbisë në më shumë se dy dekada.
"Stërvitjet fizike që duhet të durojmë janë të njëjta" si ato për burrat, tha ajo. “Të qenit gra nuk na bën më pak të afta. Në fakt, ne kemi shumë aftësi dhe pika të forta që meshkujt mund të mos i kenë”.
Perez, 24 vjeç, është pjesë e një grupi prej 1296 grave që u regjistruan në ushtrinë e Kolumbisë në shkurt, kur vendi i Amerikës së Jugut hapi shërbimin ushtarak për gratë për herë të parë në 25 vjet.
Kolumbia ka prej kohësh shërbimin e detyrueshëm ushtarak për meshkujt e moshës 18 deri në 24 vjeç. Ushtria mbështetet shumë tek ata rekrutë të rinj për bazat e stafit, mbrojtjen e infrastrukturës dhe kryerjen e detyrave administrative, ndërsa ushtarët e saj profesionistë përballen me bandat e trafikut të drogës dhe me grupet rebele.
Këtë vit zyrtarët lejuan edhe femrat në të njëjtën grupmoshë të bashkohen vullnetarisht në ushtri, në atë që ushtria thotë se është pjesë e një përpjekjeje për të "forcuar rolin e grave" në radhët e saj.
Edhe
Shërbimi ushtarak në Ballkanin Perëndimor: Nga TikTok-u në kazermë
Karriera ushtarake
Rekrutët duhet të jetojnë në baza ushtarake për disa muaj dhe të fitojnë një pagë mujore prej vetëm rreth 75 dollarësh, por disa nga gratë në programin e ri shpresojnë se kjo do t'i ndihmojë të ndërtojnë një karrierë në forcat e armatosura. Ato e shohin atë si një shans për një punë të qëndrueshme dhe mundësi arsimimi.
“Më pëlqejnë mësimet që marrim këtu për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare, sepse kjo është fusha ime e ekspertizës”, tha Perez, e cila ka një diplomë juridike, por ka luftuar për të gjetur punë në profesionin ligjor.
Ajo tha se pas trajnimit të saj bazë ka të ngjarë të fillojë një punë në departamentin e çështjeve gjyqësore të ushtrisë.
Së pari, ajo duhet t'u nënshtrohet tre muajve të trajnimit bazë, të zgjohet çdo ditë në orën 6 të mëngjesit dhe t'i jepet vetëm një minutë për të bërë një dush të ftohtë. Ajo gjithashtu ka mësuar të vrapojë duke mbajtur një pushkë 3 kilogramësh.
“Gjëja më e vështirë ka qenë përshtatja me gjithë këto ushtrime”, tha ajo. “Si civil ju bëni një mënyrë jetese joaktive”.
Të tjerat thanë se vendosën të bashkohen me ushtrinë, sepse të qenit në organet e zbatimit të ligjit përcillet nga brezat e familjeve të tyre.
Edhe
Rebelët në Birmani në tërheqje teksa ushtria forcohet me rekrutime të detyruara
“Që kur isha e vogël kam dashur gjithmonë ta vesh këtë uniformë me krenari, disiplinë dhe nder”, tha Yariany Alvarez, një rekrute 20-vjeçare në Bogota, e cila ka një dajë oficer policie.
Ajo tha se nuk kishte frikë të ishte ushtare në Kolumbi, ku ushtria ende po lufton për të çliruar disa xhepa ruralë të vendit nga kontrolli i bandave të drogës dhe grupeve rebele.
“Kjo është një punë e rrezikshme”, tha ajo. “Por nëse mësojmë stërvitjet tona dhe ndjekim udhëzimet, mendoj se do të jemi në gjendje t’ia dalim”.
Ushtria e Kolumbisë ka rreth 200 mijë ushtarë. Rreth 1% janë gra, të cilat deri tani janë anëtarësuar pas frekuentimit të universiteteve ushtarake ose aplikimit për punë administrative.
Çdo vit vendi i Amerikës së Jugut tërheq rreth 50 mijë burra në forcat e armatosura për 12 muaj shërbim të detyrueshëm ushtarak.
Është një praktikë e kritikuar nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe nga disa politikanë, të cilët ankohen se shumica e të rekrutuarve janë burra nga lagje urbane ose zona rurale me të ardhura të ulëta, ndërsa kolumbianët më të pasur që diplomohen në shkolla private gjejnë mënyra për të shmangur shërbimin.
Shtytja e re për të lejuar femrat të regjistrohen vjen derisa Kongresi i Kolumbisë debaton një projektligj që do të eliminonte shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe do t'u mundësonte të rinjve ta zëvendësonin atë me praktika në programe arsimore, projekte mjedisore ose nisma për të drejtat e njeriut.
Edhe
“I dëgjoj para se t’i shoh”: Si po përhapin frikë dronët në Kolumbi?
Oficerët ushtarakë në Kolumbi e kanë kundërshtuar këtë legjislacion, duke thënë se do të pakësonte aftësitë e ushtrisë.
Përktheu: Forca Jashari
