Shkarkimi i një profesori të Universitetit të New Yorkut (NYU), i cili ishte subjekt i një peticioni nga studentët që thanë se lënda e tij ishte shumë e vështirë, vazhdon të ngjall polemika, pasi disa prindër dhe mësues thonë se incidenti tregon një ulje të standardeve akademike.
Maitland Jones Jr, një profesor i kimisë organike, u pushua nga puna nga NYU pasi më shumë se 80 studentë nga klasa e tij me 350 studentë nënshkruan një peticion duke u ankuar për notat, mësimdhënien dhe ndihmën e marrë rreth mësimit gjatë pandemisë COVID-19.
Jones, 84 vjeç, mori një mesazh nga dekani i shkencës në gusht për ndërprerjen e kontratës së tij, raportoi New York Times.
Profesorët e kimisë që kundërshtonin vendimin u shkruan disa dekanëve të NYU, duke thënë se ishin të shqetësuar se rasti mund të minonte lirinë e fakultetit dhe të dobësonte praktikat e mësimdhënies.
“Ne jemi të gjithë në anën e njëjtë pasi duam që studentët të kenë sukses, por ne po përdorim metrika të gabuara dhe në shumë raste me të meta për të vlerësuar suksesin”, tha Stephanie Lee, një nga profesorët që nënshkruan letrën.
Peticioni i studentëve thoshte se lënda e Jonesit ishte shumë e vështirë dhe se studentëve u mungonin burimet dhe ndihma. Nuk thoshte se profesori duhej të shkarkohej.
Jones, një profesor i njohur gjerësisht për shkrimin e një libri shkollor të kimisë organike, tha për Times se kishte menduar të dilte në pension, por ishte i shqetësuar se çfarë do të thoshte vendimi i NYU-s për profesorët tjerë dhe fakultetin.
Një zëdhënës i universitetit mbrojti vendimin për shkarkim duke theksuar tërheqjen e madhe të studentëve nga klasa dhe vlerësimet e këqija. Deklarata tha se vendimi bazohej në ankesat për mospërfillje dhe mungesën e transparencës në notim.
Disa studentë besojnë se pandemia ndërpreu plotësisht aftësinë e tyre për t’u përgatitur për klasa të tilla si kimia organike, një lëndë themelore për ata që shpresonin të vijonin shkollën e mjekësisë.
Disa prindër e mendojnë ndryshe. Ata thonë se vendimi i NYU-s është tregues i një problemi në sistemin e shkollës që ata besojnë se është shumë i butë ndaj studentëve.
paguajmë për edukim në një universitet me reputacion, ne duhet të presim profesorë cilësorë të sfidojnë intelektualisht studentët tanë, duke i ndihmuar të rriten duke i shtyrë ata përtej asaj që është e rehatshme dhe e favorshme për ta”, ka thënë një nga prindërit.