Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Universitetet publike të Afganistanit rihapen për studente, por me rregulla strikte

Universitetet publike të Afganistanit janë hapur të mërkurën duke lejuar edhe studentet femra që përsëri t’i bashkohen kampusit, për herë të parë që kur talebanët morën vendin vitin e kaluar.

Administrata talebane nuk e ka shpallur zyrtarisht planin e saj për studentet femra, por zyrtarët e arsimit thanë se grave u lejohej të ndiqnin mësimet me kusht që të ndaheshin nga studentët meshkuj.

Khalil Ahmad Bihsudwal, kreu i Universitetit Nangarhar, ka thënë për Reuters se studentët do të ndjekin klasa të veçanta, të ndara për të dyja gjinitë.

Ai shtoi se universitetet në zonat më të ftohta të vendit do të hapen në mars si për burrat ashtu edhe për gratë.

Zëvendës zëdhënësi i talebanëve, Bilal Karimi, ka konfirmuar për CNN se Ministria e Arsimit në Afganistan është duke punuar në një plan për të rifilluar arsimin e mesëm të vajzave për vitin e ri shkollor më 21 mars.

Talibanët kanë mohuar pretendimet se vajzat afgane do të ndaloheshin nga shkollat ​​e mesme, por thanë se atyre u duhej të krijonin një sistem të sigurt transporti për nxënëset femra përpara se t'i lejonin ato të kthehen në klasa.