Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ultimatum i ri për Katarin

Arabia Saudite dhe tre shtete të tjera arabe u pajtuan që t’i japin Katarit edhe 48 orë kohë për të pranuar një listë kërkesash – në të kundërtën, do të përballet me sanksione të reja.

Televizioni Al-Arabiya tha se marrëveshja për zgjatjen e afatit u bë në përgjigje të kërkesës së emirit të Kuvajtit, i cili është ndërmjetësues në mospajtimet midis Katarit dhe Arabisë Saudite, Egjiptit, Bahrejnit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të tjerëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sauditët dhe aleatët e tyre i kanë ndërprerë të gjitha lidhjet diplomatike dhe të udhëtimit më Katarin, duke e akuzuar Dohan për mbështetje të terrorizmit dhe për afërsi me rivalin rajonal – Iranin. Katarasit i kanë hedhur poshtë akuzat.

Më 23 qershor, Riadi dhe aleatët kanë krijuar një listë prej 13 kërkesash dhe i kanë dhënë Katarit kohë për t’u përgjigjur deri në mesnatën e 2 korrikut.

Në mesin e kërkesave janë ndërprerja e mbështetjes financiare për terrorizmin, mbyllja e rrjetit televiziv Al Jazeera, ndërprerja e shumicës së lidhjeve me Iranin dhe mbyllja e një baze ajrore turke – në të kundërtën, Katari kërcënohet me izolim të mëtejshëm.

Emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah al-Ahmad al-Sabah, tha të hënën se ka marrë përgjigje formale nga Katari dhe se ka kërkuar nga vendet arabe që të zgjasin afatin për të edhe 48 orë.

Emiri i Kuvajtit nuk tregoi për natyrën e përgjigjes së Katarit. Por, gjatë një vizite në Romë, më 2 korrik, ministri i Jashtëm kataras, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, i refuzoi kërkesat e fqinjëve dhe tha se ato janë shkelje e sovranitetit të Katarit.

Doha, megjithatë, ka thënë se është e gatshme të diskutojë për çështjet që i kanë ngritur fqinjët arabë.

Sanksionet tashmë kanë shkaktuar trazira në Katar, vend i pasur me naftë dhe me gaz, por që varet nga importet për përmbushjen e nevojave të popullsisë 2.7 milionëshe. Irani dhe Turqia kanë rritur furnizimet atje me ushqime dhe mallra të tjera.

Ndër sanksionet e mëtejshme potenciale që mund të ndërmerren kundër Katarit është pezullimi i tij nga Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit, i cili është i lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara.

Këtë Këshill e përbëjnë Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Katari, Kuvajti dhe Omani.

Departamenti amerikan i Shtetit e mirëpriti rolin e Kuvajtit për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump ka biseduar me liderët e Arabisë Saudite, Katarit dhe Abu Dabit dhe se ka shprehur shqetësimet e tij për mosmarrëveshjen e vazhdueshme.

Trump përsëriti rëndësinë e ndalimit të financimit të terrorizmit dhe diskreditimit të ideologjisë ekstremiste.