Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ukraina: Rusia ka nisur ofensivë të madhe në Donbas

Lufta në Ukrainë, Prill 2022

Sulmet ruse në rajonin e Donbasit kanë filluar, ka thënë të hënën Vadym Denysenko, këshilltari i ministrit të Brendshëm të Ukrainës.

Denysenko ka thënë se Rusia ka nisur ofensivën në këtë rajon ku po vazhdon të grumbullojë edhe më shumë forca.

"Nga këndvështrimi im, kjo ofensivë e madhe në Ukrainën lindore tashmë ka filluar. Duhet të kuptojmë se nuk do të jetë njësoj si më 24 shkurt, kur filluan sulmet dhe shpërthimet e para ajrore dhe ne thamë: ‘Lufta ka filluar’. Ofensiva e madhe de facto tashmë ka filluar”, ka thënë ai, raportoi CNN-i të hënën.

Denysenko ka shtuar se gjatë natës ka pasur shpërthime në rajonin e Dnipropetrovskut, ndërsa bombardimet kanë vazhduar edhe në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Serhii Haidai, kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhanskut, ka thënë se autoritetet ukrainase po organizojnë një evakuim më të gjerë në Donbas, rajon që përfshin rajonet separatiste Luhansk e Donetsk.

Ai njoftoi se një numër më i madh i trenave të evakuimit nga Luhansku dhe Donetsku janë planifikuar për sot (11 prill).

Artikuj të ngjashëm