Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Udhëheqësit e G7 i diskutojnë sot sulmet ruse mbi Kievin

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe udhëheqësit e G7, do të zhvillojnë një takim online për ta diskutuar mbështetjen për Ukrainën, pas sulmeve masive mbi Kiev dhe qytete të tjera nga Rusia të hënën.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se në takim do të marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që deklaroi se objektet e shkatërruara nga trupat ruse, do të restaurohen nga partnerët.

Siç raportoi BBC-ja, takimi i drejtuesve të G7 do të jetë i pari, pas fillimit të kundërofensivës të trupave ukrainase. Kryeministrja britanike, Liz Truss, pritet të bëjë thirrje për takim urgjent të krerëve të NATO-s.

“Askush nuk dëshiron paqen më shumë se sa Ukraina. Dhe ne, nga ana jonë, nuk duhet ta dobësojmë asnjë pikë të vendosmërisë sonë për ta ndihmuar Ukrainën për ta fituar paqen”, deklaroi Truss.

Ajo theksoi se Britania e Madhe sivjet i ndau 2.3 miliardë funte në mbështetje ushtarake për Ukrainën.

Dhjetëra persona u vranë të hënën në Kiev, pas sulmeve me raketa nga ushtria ruse. Bota perëndimore dënoi sulmet. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e konsideroi sulm gjenocidial atë që Rusia po bën në Ukrainë.