Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trupat ukrainase tërhiqen nga fshati Lastochkyne

Trupat ukrainase janë tërhequr nga një fshat në lindje të vendit, ka njoftuar të hënën zëdhënësi i ushtrisë, ndërsa forcat ruse po shfaqin në fushë betejë avantazhin në ushtarë dhe armatim. Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë.

Trupat ukrainase janë tërhequr nga fshati Lastochkyne, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë, Dmytro Lykhovii. Ai ka thënë se trupat janë tërhequr në fshatrat në afërsi, raporton agjencia AP.

Lastochkyne gjendet në perëndim të Avdiivkas, qytetit me rëndësi strategjike të cilën forcat ruse e pushtuan më 18 shkurt pas një beteje katërmuajshe. Trupat ukrainase, më të pakëta në numër dhe armatim, vendosën të tërhiqeshin e ta vazhdojnë mbrojtjen në pjesë tjera.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se trupat e saja “kanë çliruar” Lastochkynen.

Komandanti rus Andrei Mordvichev, ka thënë për agjencinë ruse të lajmeve “RIA Novosti”, se trupat ukrainase i kanë detyruar të tërhiqen për 10 kilometra dhe se po e vazhdojnë ofensivën. “RIA Novosti” ka thënë se një rrugë kyçe furnizimi për Ukrainën kalonte nëpërmjet Lastochkynes.

Largimi nga fshati tregon për sfidat e mëdha në fushëbetejë me të cilat po përballen forcat ukrainase. Në fazën e re të luftës, ka pasur zhvillime jo të mira për Ukrainën.

Rusia po vazhdon marshimin, shkatërrimet nëpër qytete e fshatra ukrainase, ndonëse po humbin trupa e pajisje të shumta luftarake, thotë Ukraina.

Edhe Trupat ukrainase tërhiqen nga disa pozicione, shefi i ushtrisë flet për “përkeqësim të situatës” Botë Trupat ukrainase tërhiqen nga disa pozicione, shefi i ushtrisë flet për “përkeqësim të situatës”

Analistët perëndimorë thonë se rusët po sulmojnë në pjesën verilindore me synim për t’u futur më thellë në pjesën perëndimore të rajonit të Donetskut, të cilën e mban Ukraina. Po ashtu po depërtojnë në rajonin verior të Kharkivit.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustan Umerov, është ankuar të dielën se gjysma e përkrahjes ushtarake perëndimore të premtuar nga Perëndimi dështon të arrijë në kohë. Ai ka thënë se kjo po kushton me humbje të jetëve të ushtarëve ukrainas.

Liderët perëndimorë janë betuar të qëndrojnë përkrah Ukrainës për aq gjatë sa të ketë nevojë për ta mposhtur Rusinë. Kryeministri i Bullgarisë, Nikolay Denkov, arriti në Kiev të hënën për të treguar përkrahjen e tij.