Botë

Trupat e të vrarëve si mjet për terrorizimin e popullit

Agjencia “The Associated Press” dhe Laboratori i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kalifornisë analizuan rastet në të cilat trupat e viktimave janë përdorur nga policia dhe ushtria si mjete terrori. Analiza bazohet në më shumë se 2 mijë postime të fotografive në Twitter, përfshirë edhe intervistat me familjarët, dëshmitarët dhe raportimet e mediave të Birmanisë

Dy xhipa të zinj lëvizin me shpejtësi të madhe nëpër rrugën e boshatisur në Birmani, para se të ndalojnë papritur. Forcat e sigurisë që qëndrojnë prapa fillojnë të shtien në drejtim të një motoçiklete me tre të rinj.

Motoçikleta humb kontrollin dhe përplaset në një derë shtëpie. Të shtënat shpeshtohen edhe më, teksa dy udhëtarë ia mbathin vrapit. I treti, Kyaw Min Latt, mbetet përtokë. Dëgjohen rënkimet e tij teksa forcat e kapin për krah e këmbë të plagosurin 17-vjeçar. E hedhin prapa në xhip dhe largohen.

Ngjarja u zhvillua për më pak se një minutë dhe u kap në kamerat e sigurisë. Është pjesë e qindra fotografive dhe videove të shpërndara në rrjetet sociale që po ndihmojnë në zbardhjen e brutalitetit të juntës, që më 1 shkurt me anë të grusht shtetit e mori kontrollin e shtetit të Azisë Juglindore.

Agjencia e lajmeve “The Associated Press” dhe Laboratori i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kalifornisë analizuan rastet në të cilat trupat e viktimave u përdorën nga policia dhe ushtria si mjete terrori. Analiza bazohet në më shumë se 2 mijë postime të fotografive në Twitter, përfshirë edhe intervistat me familjarët, dëshmitarët dhe raportimet e mediave të Birmanisë.

AP dhe Lab HRC identifikuan më shumë se 130 raste kur forcat e sigurisë kanë përdorur kufomat dhe trupat e të plagosurve për t’ia futur tmerrin popullit. Mbi dy të tretat e rasteve të analizuara u konfirmuan ose kategorizuan si me besueshmëri mesatare apo të lartë dhe shpesh përfshinin gjurmimin e burimit origjinal të përmbajtjes ose intervistimin e vëzhguesve.

Që prej marrjes së kontrollit të shtetit nga ushtria, më shumë se 825 njerëz janë vrarë - dyfish më shumë sesa numri i ofruar nga Qeveria - sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë, organizatë vëzhguese e arrestimeve dhe vdekjeve. Junta nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim që kishte dërguar AP-ja.

Image

Kthimi i të vdekurve

Laboratori HRC ekzaminoi orë të tëra filmimesh të postuara në internet për një periudhë dymujore që tregonin trupat e pajetë që u morën rrugëve dhe tërhiqeshin si thasë orizi, para se të hidheshin në automjetet për në drejtim të panjohur.

Disa njerëz janë zhdukur ose arrestuar një ditë dhe janë kthyer të vdekur të nesërmen, kufomat e tyre janë gjymtuar me shenja torturash, konfirmuan dëshmitarët për AP-në.

Autopsitë janë kryer pa lejen e familjeve. Disa prej certifikatave të vdekjeve kanë fajësuar sulmet në zemër ose rrëzimet në sulmet e dhunshme, shkaqe që bien në kundërshtim me dëshmitë e njerëzve dhe fotografive e videove që u shkrepën nga protestuesit, gazetarët ose banorët. Shumë prej videove janë regjistruar nga dritaret apo çatitë e shtëpive.

Djegia dhe zhvarrosja e trupave të të vrarëve janë kryer në fshehtësi, në pikën e natës. Në raste të tjera, familjarët kanë paguar shuma të majme për spitalet ushtarake me qëllim që të kthejnë mbetjet e më të dashurve të tyre, kanë thënë të afërmit dhe dëshmitarët.

“Ani pse incidentet duken të rastësishme dhe të paprovokuara, përfshirë edhe fëmijët që u vranë teksa luanin jashtë shtëpive të tyre – janë vrasje të qëllimshme dhe sistematike me qëllim të çmobilizimit të njerëzve”, thotë Nick Cheesman, studiues në Universitetin Kombëtar Australian, i specializuar për politika juridike dhe policore në Birmani. “Kjo është fiks karakteristikë e terrorit shtetëror”.

Birmania ka një histori të gjatë, të trazuar të grusht shteteve, kontrollit ushtarak dhe konflikteve etnike.

Junta e mori fillimisht pushtetin më 1962, duke u dhënë fund 14 vjetëve të qeverisjes civile. Kësisoj nisën pesë dekadat e censurës, arrestimeve masive, zhdukjeve dhe izolimit të errët, duke rezultuar me sanksione të ashpra ndërkombëtare që e vendosën Birmaninë gati në të njëjtin nivel me Korenë e Veriut.

Pastaj me të 2011-n, vendi u bë “dashnor” i administratës së Barack Obamas dhe qeverive të tjera perëndimore, kur filloi të lëvizte drejt sundimit kuazicivil dhe të zbatonte reformat politike si pjesë e “udhërrëfyesit të demokracisë” të premtuar prej kohësh.

Por, pavarësisht lirive të reja dhe reformave politike në dekadën e kaluar – prej bankomateve të para, restorantet e KFC-së, internetit me shpejtësi të lartë dhe telefonat inteligjentë - ushtria kurrë nuk hoqi dorë nga kontrolli.

Image

Pushteti ushtarak

Një e katërta e vendeve në Parlament ishin të rezervuara për uniformëbartësit dhe forcat e armatosura mbajtën ministritë kryesore. Gjenerali i lartë Min Aung Hlaing, tani kryetar i Këshillit Administrativ Shtetëror të juntës, gjithashtu kishte fuqinë për të vendosur gjendje të jashtëzakonshme nëse vlerësonte se siguria kombëtare ishte në rrezik.

Mirëpo kur partia e kryesuar nga laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Aung San Suu Kyi, fitoi zgjedhjet e nëntorit të kaluar, ushtria, e njohur si Tatmadaw, i cilësoi si manipulim të votimeve. Me këtë arsyetim u bë grusht shteti, që me një deklaratë emergjente pushteti iu transferua komandantit të lartë. Kjo ndodhi në mëngjesin kur pritej të niste punën Parlamenti.

Fotografitë dhe videot e postuara në mediat sociale nga disa lokacione dhe të analizuara nga HRC Lab tregojnë se viktimat janë torturuar. Një burri i ishte hequr lëkura nga fytyra. Tjetrit i ishte tharë gjaku në kokë dhe kishte mavijosje në krejt trupin.

“Thjesht tregojuni njerëzve se kishte sulm në zemër dhe vdiq”, tha një person që pastroi trupin e një viktime. Përmend fjalët që ua thanë mjekët familjarëve.

Me gjithë sulmet ndaj anëtarëve të NLD-së, protestat kundër ushtrisë kanë vazhduar. Qytetarët shpejt ishin cak i ushtarëve dhe policëve.

Intervistimi për vdekje

Në fillim të muajit maj, të afërmit e një burri në Pyay Township në rajonin Bago dëshmuan se forcat ia mësyn shtëpisë së tyre me armë gati.

Pasi e rrahën keq 33-vjeçarin Aung Khaing Myit, motra e tij thotë se ushtria e mori për intervistim nën dyshimet se kreu një sulm me bombë. Shtoi se ushtria iu betua se nuk do t’i ndodhte gjë. Por në dhomën tjetër dëgjohej bërtitma e tij, para se të heshtte.

Të nesërmen, familja u dërgua në spitalin ushtarak. Aty u është thënë se Aung Khaing Myit vdiq teksa tentoi të kërcente nga kamioni dhe se tashmë ishte në arkivol. Motra thotë se familjarëve iu lejua ta shikonin fytyrën e tij të nxirë, por jo edhe trupin. Autoritetet pak minuta më vonë e dogjën ani pse këtë e kundërshtonin familjarët.

“E dimë se e rrahën për vdekje. Por ata u përpoqën të na gënjenin”, thotë motra e viktimës.

Ama edhe nëse trupat kthehen te familja, nuk do të thotë se do të varrosen dhe do të lihen të pushojnë në paqe.

Zhvarrosja e të vrarëve

19-vjeçarja Kyal Sin, e njohur me nofkën “Engjëlli”, u bë rast i profilit të lart kur u qëllua në kokë më 3 mars gjatë një proteste në Mandalay. Kjo nxiti protestuesit që të vishnin bluza me imazhin e saj. Mijëra njerëz, të indinjuar nga vdekja e saj, të nesërmen u mblodhën për funeral.

Mirëpo natën vonë, lulet u hoqën nga varri i saj, televizioni shtetëror MRTV lajmëroi se trupi ishte zhvarrosur për autopsi zyrtare me qëllim që policia të shfajësohej. Në afërsi të varrit gjendeshin dorezat e përgjakura dhe mbeturina të tjera.

Autoritetet më vonë lëshuan një certifikatë vdekjeje, duke thënë se plumbi i vrasjes së saj nuk përputhej me kalibrin e përdorur nga policia dhe se vinte nga drejtimi i kundërt. Krejt kjo për të shfajësuar forcat e sigurisë.

Një fotografi e postuar në Facebook nga një punëtor i varrezës u tregoi me saktësi vendin nga ku u nxor trupi i protestuesit tjetër. Ye Yint Naing pas zhvarrosjes u dogj, duke shpërfillur adetet e varrimit mysliman.

“Ata në të vërtetë donin të fshihnin trupin e pajetë”, thotë vëllai i tij, duke shtuar se ishte në gjendje të merrte një qese me hi dhe copa kockash për t'i varrosur. “Më duhet t’i them, ‘Faleminderit’, personit që dogji trupin dhe bëri foton. Nëse jo, do të ishte e vështirë për familjen tonë të gjenin vëllain tim të vogël, sepse nuk do ta dinim se ku e çuan”.

Djegie të tjera sekrete u konfirmuan në një qytet tregtar malor në të njëjtin shtet. Kamionë ushtarakë që mbanin ushtarë dhe polici gjëmuan në Aungban për të shuar një protestë herët më 19 mars, duke hedhur gaz lotsjellës dhe plumba që lanë të paktën tetë njerëz të vdekur, thotë një dëshmitar.

Imazhet nga skena të postuara në mediat sociale tregonin një trup të përgjakur të shtrirë pranë një bordure dhe videoja kapi burra të veshur me uniforma të zeza, duke shkelur mbeturinat dhe duke qëlluar rastësisht armët e tyre.

Forcat e sigurisë sollën shumicën e kufomave në varrezat lokale atë natë dhe ditë më vonë. Ata e kthyen një vend në krematorium dhe përdorën goma makinash për të djegur disa trupa, thonë dëshmitarët, derisa “gjithçka që mbeti ishte hiri”.

Të tmerruar se të dashurit e tyre nuk do të varroseshin me ceremonitë tradicionale, disa anëtarë të familjes kanë filluar të fshehin trupat, duke garuar me kohën me qëllim që t’i varrosnin para se forcat të viheshin në kërkim të tyre.

Kështu ishte rasti me 13-vjeçarin Htoo Myat Win. Ai u godit në gjoks nga një plumb qorr, ndërsa ishte ulur brenda shtëpisë së tij në qytetin qendror të Shwebo, Rajoni Sagaing.

Videoja e postuar në internet tregoi forcat e sigurisë duke qëlluar ndërsa ecnin rrugëve, dhe një fqinj, i cili ishte dëshmitar i vdekjes së djalit, konfirmoi për AP-në se ata ishin “duke e spërkatur shtëpinë me plumba”.

Autoritetet erdhën te familja për t’ia kërkuar trupin e djalit, por ajo refuzoi. Trupin e fshehën në një tempull pranë dhe nga frika se do ta gjymtonin edhe më tej trupin, familjarët të nesërmen e dogjën.

Fshehja e numrave

Zëdhënësi i Juntës, Zaw Min Tun, tha se ekziston një procedurë e qartë ligjore kur njerëzit vdesin. Familjet informohen dhe kryhen autopsitë.

“Ne kurrë nuk i fshehim numrat”, tha ai në një konferencë për media në fillim të muajit maj.

Ko Bo Kyi, bashkëthemeluesi i grupit, thotë se Junta pretendoi se qindra - në vend të mijëra - vdiqën edhe gjatë protestave më të mëdha pro-demokraci të vendit në 1988. Ai shtoi se, ashtu si në të kaluarën, qëllimi i tyre tani është që ta mbajnë një klimë frike dhe pasigurie që i çmobilizon njerëzit dhe ua thyen vullnetin.

“Ata besojnë se nëse vrasin, torturojnë dhe arrestojnë protestuesit, mund të ndalojnë demonstratat”, thotë ai.

Zakonisht, shtoi ai, këto lloj mizorish ndodhin natën dhe në hije.

“E reja është se vrasjet po kryhen në rrugë, para syve të popullit”.

Përktheu: Gent Mehmeti