Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi nominohet për çmimin Nobel për Paqe

Pak javë pasi ndërmjetësoi marrëveshjen e paqes mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, presidenti amerikan Donald Trump është nominuar për çmimin Nobel për Paqe për vitin 2021.

Ai u nominua nga Christian Tybring-Gjedde, deputet i Parlamentit të Norvegjisë, që ka lavdëruar presidentin amerikan për përpjekjet për arritjen e paqes në botë.

“Mendoj se ai ka bërë më shumë për arritjen e paqes mes kombeve se secili tjetër i nominuar për çmimin për Paqe”, ka thënë ai, në një intervistë për “Fox News”.

Në letrën e Tybring-Gjeddes drejtuar Komitetit të Nobelit, ai ka thënë se administrata Trump ka luajtur rol kyç në vendosjen e raporteve mes Izraelit dhe Emirateve Arabe, duke shkruar se përmirësimi i raporteve në mes këtyre vendeve do të ndryshojë situatën në Lindjen e Mesme. Ai po ashtu ka lavdëruar edhe “rolin kyç të Trumpit në ndërmjetësimin e palëve në luftë, duke krijuar dinamikë të re në ndalimin e luftërave të gjata, si ajo e Indisë me Pakistanin dhe konfliktin mes Koreve, si dhe ndërmarrjen e veprimeve kundër armatimit bërthamor të Koresë Veriore”.

Kjo s’është hera e parë që Trumpi ka marrë nominim të tillë, pasi më 2018 presidenti amerikan ishte nominuar nga Gjedde dhe një tjetër zyrtar norvegjes pas samitit të Singaporit me Kim Jong Unin, lider të Koresë Veriore. Edhe kryeministri i Japonisë ishte raportuar se ka bërë të njëjtën gjë. Trumpi s’kishte fituar. Tybring-Gjedde ka thënë tutje se nominimi i fundit s’ka të bëjë me favorizimin e Trumpit për zgjedhjet e reja presidenciale që mbahen në nëntor.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, kishte fituar një herë çmimin Nobel për Paqe pas përpjekjeve të tij “për të përforcuar bashkëpunimin mes njerëzve”. Pos tij, edhe tre ish-presidentë amerikanë kishin fituar këtë çmim. Presidenti Theodore Roosevelt më 1906 kishte fituar për negocimin e paqes në luftën ruso-japoneze; presidenti Woodrow Wilson më 1920 për të qenit arkitekti i Ligës së Kombeve dhe presidenti Jimmy Carter më 2002 për përpjekjet e tij dekadëshe që të gjejë paqen në luftërat ndërkombëtare. Çmimi Nobel për Paqe ndahet nga Komiteti i Nobelit i përbërë nga pesë persona, që caktohet nga Parlamenti norvegjez. Çmimi për vitin 2021 nuk do të prezantohet para tetorit të vitit të ardhshëm.

Artikuj të ngjashëm