Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të mbledhë kabinetin e tij për një takim të mërkurën, duke mbledhur zyrtarët e lartë në një moment me rrezik të lartë për luftën e SHBA-së me Iranin.

Takimi fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në Camp David, por Trumpi ka thënë se është zhvendosur në Shtëpinë e Bardhë për shkak të "motit të keq të mundshëm".

Në takimin e rrallë pritet të marrin pjesë të gjithë anëtarët e kabinetit, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Kjo është agjenda e takimit:

Në orën 8:00 të mëngjesit sipas kohës amerikane, presidenti pritet të ketë "kohë ekzekutive".

Në orën 11:00 të mëngjesit, Trumpi do të marrë pjesë në takimin e kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe Shtëpia e Bardhë hesht edhe pas përfundimit të takimit në “dhomën e krizave” Botë 1 muaj më parë Shtëpia e Bardhë hesht edhe pas përfundimit të takimit në “dhomën e krizave”

Do të jetë takimi i parë i tillë që nga 26 marsi, dhe i hapur për shtypin.

Në orën 15:00 dhe 16:00, Trumpi do të marrë pjesë në dy takime politike. Këto janë të mbyllura për shtypin.

Trumpi thotë se s’është i kënaqur me negociatat me Iranin, paralajmëron sulme

1 muaj më parë / 27 maj 2026 19:32 Nga: Associated Press
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, është mbledhur me kabinetin e tij të mërkurën, në një moment të ndjeshëm për bisedimet që synojnë t’i japin fund luftës me Iranin.

Gjatë këtij takimi, i pari që nga 26 prilli, Trumpi ka deklaruar se pala iraniane po “negocion me forcat e fundit”.

Besimi i Trumpit se një marrëveshje është afër vjen vetëm disa ditë pasi ai këmbënguli se administrata e tij dhe Teherani kishin “negociuar në masë të madhe” një zgjidhje, por se bisedimet ende ishin në një gjendje të paqëndrueshme.

Presidenti po kërkon një marrëveshje që do të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe do t’i japë atij një argument të besueshëm se kapaciteti bërthamor i Iranit është zvogëluar mjaftueshëm për të shpallur fitoren, duke e mbyllur një konflikt që ka qenë politikisht jopopullor për republikanët.

Por, ashtu si qëndrojnë gjërat, Trumpi rrezikon që përfundimi i “luftës së tij të zgjedhur” të jetë një rezultat i pakënaqshëm.

Marrëveshja në zhvillim shtyn shumë çështje kritike për më vonë dhe tashmë ka ekspozuar presidentin republikan ndaj kritikave të ashpra, madje edhe nga disa prej mbështetësve të tij, se udhëheqësit e linjës së ashpër të Iranit do të dalin nga konflikti të dëmtuar, por më të fortë politikisht. 

E gjithë kjo po ndodh pikërisht në momentin kur zgjedhjet e mesmandatit për kontrollin e Kongresit po afrohen, dhe kur republikanët shqetësohen se kostot në rritje dhe çmimet e karburantit po ndikojnë negativisht në disponimin e votuesve amerikanë.

Trumpi, në fillim të mbledhjes së kabinetit, ka thënë se nuk i interesojnë zgjedhjet e mesmandatit dhe se ende ka punë për t’u bërë për arritjen e një marrëveshjeje, teksa është shprehur me një shkallë sigurie se të dy palët do ta arrijnë atë.

“Ata duan shumë të bëjnë një marrëveshje”, ka thënë Trumpi. “Deri tani nuk e kanë arritur. Ne nuk jemi të kënaqur me të, por do të jemi, përndryshe do të duhet ta përfundojmë punën”, ka shtuar ai. 

Por bisedimet u komplikuan më tej pasi forcat amerikane kryen, siç i ka quajtur Pentagoni, sulme “mbrojtëse” ndaj bazave të lëshimit të raketave dhe anijeve për vendosjen e minave në jug të Iranit të hënën. SHBA-ja ka thënë se kishte vepruar me “përmbajtje” duke pasur parasysh armëpushimin disajavor, ndërsa Irani e ka dënuar veprimin si shenjë të “keqbesimit dhe mosbesueshmërisë”.

Ndërsa Trumpi këmbëngul se një marrëveshje është brenda mundësive, duket se ka dallime mes SHBA-së dhe Iranit për disa çështje kyç. 

Sipas marrëveshjes së mundshme, Teherani do të pranonte të hiqte dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar shumë, një kërkesë kyç e Trumpit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. 

Irani ka 440.9 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60% pastërti, një hap teknik i afërt me nivelin 90% të nevojshëm për armë bërthamore, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Irani nuk është zotuar publikisht se do të heqë dorë nga uraniumi i tij.

Trumpi ka thënë të hënën në një postim në Truth Social se uraniumi, i cili besohet se ndodhet nën objektet bërthamore të goditura nga sulmet ajrore amerikane vitin e kaluar, do t’i dorëzohej SHBA-së ose “do të shkatërrohej në vend ose në një vend tjetër të pranueshëm, me Komisionin e Energjis Atomike ose një ekuivalent të tij si dëshmitar të këtij procesi dhe ngjarjeje”. 

Ky koment tregon një zbutje të qëndrimit të mëparshëm të Trumpit, i cili kërkonte që SHBA-ja ta merrte kontrollin e plotë të rezervave të uraniumit të Iranit.

Trumpi thotë se s’do të ngutet për marrëveshje me Iranin

1 muaj më parë / 27 maj 2026 18:23
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, është zotuar të mërkurën të arrijë një marrëveshje të favorshme për t'i dhënë fund luftës me Iranin, duke paralajmëruar se përpjekjet e regjimit për ta tejkaluar atë nuk do të funksionojnë sepse siç ka thënë, nuk i interesojnë zgjedhjet e mesmandatit që mbahen në nëntor.

Në një takim me kabinetin e tij, i pari që nga 26 prilli, Trumpi ka shprehur besim se SHBA-ja së shpejti do të arrijë një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit, ndonëse ka paralajmëruar se administrata e tij nuk është ende e kënaqur me kushtet, dhe është e gatshme të rifillojë luftën nëse nuk mund të sigurojë kërkesat e saj.

"Nuk jemi të kënaqur me të, por do të jemi", ka thënë Trumpi. "Ose kjo, ose do të na duhet ta përfundojmë punën".

Ai gjithashtu e ka vlerësuar rifillimin e qasjes në internet në Iran si një shenjë se qëndrimi i ashpër i regjimit po dobësohej, duke argumentuar se "i gjithë sistemi i tyre ekonomik është i shkatërruar".

"Ata duan vetëm të bëjnë një marrëveshje. Nuk mendoj se kanë zgjidhje tjetër”, ka shtuar ai. 

Shtëpia e Bardhë e quan “trillim të plotë” raportimin iranian për memorandumin SHBA-Iran

1 muaj më parë / 27 maj 2026 17:30
Donald Trump

Photo: Associated Press

Shtëpia e Bardhë ka thënë të mërkurën se një raport nga televizioni shtetëror iranian që citonte një draft të një kuadri fillestar jozyrtar për një memorandum mirëkuptimi midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara "nuk ishte i vërtetë".

Sipas Shtëpisë së Bardhë, memorandumi i cituar ishte "një trillim i plotë".

Reagimi vjen pasi televizioni shtetëror iranian raportoi të mërkurën se memorandumi i mirëkuptimit që po negociohet midis Iranit dhe SHBA-së do të kërkojë që forcat ushtarake amerikane të tërhiqen nga afërsia e Iranit dhe të heqin bllokadën e porteve iraniane

"Në këmbim, Irani është zotuar të rikthejë numrin e anijeve tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit në nivelet e para luftës brenda një muaji”, thotë raporti.

Zbulohen detaje të memorandumit që po negociohet mes SHBA-së dhe Iranit

1 muaj më parë / 27 maj 2026 16:27
Iran anija

Photo: Associated Press

Memorandumi i mirëkuptimit që po negociohet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara do të kërkojë që forcat ushtarake amerikane të tërhiqen nga afërsia e Iranit dhe të heqin bllokadën e porteve iraniane, sipas një raporti në televizionin shtetëror iranian.

"Në këmbim, Irani është zotuar të rikthejë numrin e anijeve tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit në nivelet e para luftës brenda një muaji”, thotë raporti.

Menaxhimi dhe rruga e trafikut detar përmes ngushticës do të kontrollohet nga Irani në bashkëpunim me Omanin, ka thënë transmetuesi shtetëror iranian IRIB. Anijet ushtarake përjashtohen nga kjo marrëveshje, ka raportuar transmetuesi iranian.

IRIB-ja konsiderohet si e udhëhequr nga elementë të vijës së ashpër në regjimin iranian.

Raporti shton se korniza e marrëveshjes nuk është finalizuar ende dhe asnjë hap nuk do të ndërmerret nga Teherani pa "verifikim të kushteve”.

Negociatat "aktualisht po lëvizin para dhe mbrapa, teksa të dyja palët po përpunojnë formulimin e tekstit të draftit".

Nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditëve, memorandumi do të miratohet në formën e një rezolute të detyrueshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thotë më tej raporti.

Nuk ka pasur asnjë koment nga SHBA-ja mbi raportin iranian.

Memorandumi, i parë si një udhërrëfyes për negociatat e ardhshme mbi çështje të tilla si programi bërthamor i Iranit dhe sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit, po negociohet me ndërmjetësimin e Pakistanit.