Washington, 9 dhjetor (Reuters) – Presidenti amerikan, Donald Trump, është kërcënuar që t’i vendosë veto përpjekjes së Kongresit për t’i bllokuar planet e tij për shitjen e armëve me vlerë prej 23 miliardë dollarësh për Emiratet e Bashkuara Arabe.
Një kërcënim të tillë Trumpi e bëri teksa Senati pritet që të votojë rreth rezolutave të mospajtimit rreth këtyre planeve.
Në një njoftim zyrtar, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se shitjet i mbështesin drejtpërsëdrejti synimet e politikave të jashtme dhe atyre të sigurisë kombëtare amerikane, “duke ia bërë të mundur Emirateve frenimin e sjelljeve dhe kërcënimeve përherë më agresive nga Irani”, pas marrëveshjes së mëparshme të kësaj mbretërie me Izraelin.
Kërcënimi me veto ishte një veprim i pritur. Administrata amerikane ka njoftuar Kongresin qysh më 10 nëntor se ka miratuar shitjen masive për Emiratet të produkteve të “General Atomics”, “Lockheed Martin Corp” dhe “Raytheon Technologies Corp”.
Marrëveshja përfshin shitjen e 50 aeroplanëve luftarakë F-35 që janë ndër më të avancuarit në të gjithë botën; më shumë se 140.000 bombave dhe municioni; si dhe shitjen e dytë më të madhe të dronëve amerikanë për një shtet të vetëm.
Ligjet amerikane e kërkojnë rishikimin e Kongresit lidhur me ujditë madhore të armëve, ndërsa ua lejojnë senatorëve të drejtën për veto rreth rezolutave të mospajtimit. Por, për të hyrë në fuqi, rezolutat duhet të kalojnë në Senatin e kontrolluar nga republikanët dhe Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate, si dhe të sigurojë shumicat prej dy të tretat në që të dyja dhomat për ta mbijetuar veton e Trumpit.
Edhe
Trumpi mohon se SHBA-ja po përballet me mungesë armësh
Kritikët kanë bërë të ditur se administrata Trump, në përpjekjen për ta nxitur shitjen gjatë ndërmjetësimit të një ujdie paqësore midis Emirateve dhe Izraelit, ka ofruar fare pak informacione, përfshirë ato lidhur me masat e sigurisë për të garantuar që armët të mos përfundojnë në duart e gabuara. Disa ligjvënës kanë thënë, po ashtu, se janë të shqetësuar se plani mund të shkelë garancinë amerikane që parasheh se Izraeli do të mbajë një avantazh ushtarak mbi vendet e tjera në rajon. Por Izraeli, vend ky që gëzon mbështetje të fuqishme në Kongres, ka bërë të ditur se nuk është kundër planit të shitjes.
Masat e mëhershme për bllokimin e marrëveshjeve të Trumpit për armët kishin marrë miratim si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, por nuk kanë arritur që të gjenerojnë përkrahje të mjaftueshme për ta tejkaluar të drejtën e tij për veto.
-
Trumpi autorizon marrëveshjen që i lejon Arabisë Saudite të pasurojë uranium
-
AP: Trumpi miraton marrëveshjen bërthamore që mund t'i lejojë Arabisë Saudite të pasurojë uranium
-
Netanyahu i frikësohet shitjes së avionëve amerikanë Turqisë
-
Samiti i NATO-s në Turqi, cila pritet të jetë dhurata e Trumpit për Erdoganin?