Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi i kishte quajtur dështakë ushtarët e vrarë amerikanë, Shtëpia e Bardhë mohon raportimet

Foto: Reuters

Një raportim i ri ka nxjerrë detaje të disa pretendimeve të mëhershme se presidenti amerikan, Donald Trump, i kishte quajtur “dështakë” dhe “humbës” ushtarët e Ushtrisë Amerikane që ishin kapur apo vrarë, përfshirë ata në Varrezat Amerikane në Francë.

Sipas raportimit të “The Atlantic”, një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes ka konfirmuar komentet e Trumpit të dhëna më 2018.

Sipas tij, Trumpi kishte bërë këto deklarime teksa kishte refuzuar të vizitonte varrezat jashtë Parisit pas një takimi presidencial që kishte pasur më 10 nëntor të 2018-s.

Stafi nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Shërbimi Sekret i kishte thënë Trumpit se moti i ligë mund të vështirësojë udhëtimin me helikopter, ndërsa ai u ishte përgjigjur se “nuk dëshiron të vizitojë varrezat sepse ishin të mbushura me ‘humbës”, ka thënë zyrtari në kushte anonimiteti.

Shtëpia e Bardhë kishte thënë se vizita ishte anuluar për shkak të motit të ligë atë kohë.

Edhe Harrisi kritikon Trumpin për “ngatërresat” e stafit të tij te varrezat e ushtarakëve Botë Harrisi kritikon Trumpin për “ngatërresat” e stafit të tij te varrezat e ushtarakëve

Në një tjetër bisedë në këtë udhëtim, “Atlantic” ka thënë se Trumpi iu referua 1800 marinsave që kishin vdekur në Luftën e Parë Botërore si “dështakë” që u vranë.

Megjithatë, këto raportime janë mohuar nga Shtëpia e Bardhë.

“Ky raportim është i rremë”, ka thënë drejtoresha për komunikime në Shtëpinë e Bardhë, Alyssa Farah.

Edhe Trumpi të enjten ka mohuar raportimet.

“Të mendosh se unë mund të bëj deklarime negative për ushtrinë tonë dhe heronjtë tanë të rënë kur askush s’ka bërë atë që kam bërë unë për forcat ushtarake amerikane. Është totalisht gënjeshtër. Është turp”, ka thënë Trump.

Raportimet janë komentuar edhe nga Joe Biden, rivali i Trumpit në garën presidenciale të nëntorit. “Nëse raportimet e ‘Atlanticut’ janë të vërteta, atëherë janë një tjetër shënim se thellë dallojmë unë dhe presidenti Trump për rolin e presidentit të SHBA-së”.

Zyrtari anonim kishte thënë po ashtu se Trumpi nuk e kishte përkrahur as funeralin e 2018-s për senatorin republikan, John McCain, veteran të dekoruar që kishte kaluar disa vjet si i burgosur lufte në Vietnam, sepse “ishte një dështak”.

Edhe Trumpi tallet me heronjtë e Amerikës Botë Trumpi tallet me heronjtë e Amerikës

Më 2015, pasi kishte nisur kampanjën presidenciale, Trumpi i kishte thënë McCainit se s’është hero lufte. “Mua më pëlqejnë njerëzit që s’janë kapur”, kishte thënë ai.

Sipas raportimit, Trumpi e ka quajtur dështak edhe ish-presidentin George HW Bush, pasi ishte qëlluar nga forcat japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore.