Me qëndrimet e tij kundër islamit dhe Bashkimit Evropian, lideri populist, Geert Wilders, ka fituar zgjedhjet në Holandë duke lëkundur ndjeshëm politikat në Evropë. I njohur edhe si Donald Trumpi i Holandës për shkak të ngjashmërisë në dukje me ish-presidentin amerikan, Wilders ka paralajmëruar se do të mbajë edhe referendum për largim nga BE-ja
Populisti me qëndrime kundër islamit, Geert Wilders ka fituar zgjedhjet në Holandë. Fitorja e tij ka lëkundur politikën holandeze dhe do të dërgojë sinjale edhe në Evropë. Pas 25 vjetësh në parlament, Partia e tij e Lirisë ka fituar 37 ulëse.
Wilders me gjuhën e tij të ashpër ishte njëri prej deputetëve më të njohur holandezë, ndërkaq politikat e tij populiste dhe ngjyra e flokëve kanë ngjallur krahasime me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
“Para se të ngremë dolli, dua të them se dje patëm një aheng, sot po pimë shampanjë, nesër jemi në punë. Sepse këtë nuk po e bëjmë vetëm për vete, por edhe për ëndrrat e të gjithë atyre holandezëve që na kanë votuar. Atyre që mendojnë se gjërat duhet të jenë ndryshe, atyre që janë të lodhur me mënyrën se si ka funksionuar Holanda në vitet e fundit”, ka thënë Wilders të enjten.
Mirëpo ai nuk do të qeverisë i vetëm dhe do t’i duhet të bëjë me koalicion për të arritur 76 ulëse në parlament. Është shprehur i gatshëm të bëjë kompromise me partitë e tjera për t’u bërë kryeministër. Ai është krenuar se ka bërë fushatë duke shpenzuar shumë pak para.
“Ngremë dolli edhe për atë se holandezët duhet të jenë të parët me shtrëngim të politikave për azil. Gjithashtu, holandezët duhet të kenë kujdes më të mirë shëndetësor, më shumë para sesa t’i hedhin milionat. Do të punojmë në politika të reja. Do të bashkëpunojmë me partitë, sepse na pëlqen ta bëjmë këtë dhe do të tregojmë se mund të bashkëpunojmë. Holandezët e meritojnë këtë dhe do të ndodhë që PVV-ja të bashkohet në kabinetin e ardhshëm”, ka shtuar ai.
Aleanca e krahut të djathtë e prirë nga ish-komisionari i BE-së, Frans Timmermans, ka dalë e dyta, duke siguruar 25 ulëse.
Ai e ka bërë të qartë se nuk do të bëhet pjesë e qeverisë së prirë nga Wilders. Ndërkaq partia liberale e qendrës së djathtë, VVD e prirë nga Dilan Yesilgoz ende nuk ka vendosur nëse do të nisë bisedimet për të qenë pjesë e qeverisë.
Yesilgoz ka thënë se do t’ia lërë partisë që të vendosë për këtë.
Ndërkaq fitorja e Wilderist ka dërguar sinjale të ndryshme nëpër Evropë pasi Holanda është njëra prej anëtarëve themeluese të asaj që u bë Bashkim Evropian.
Mirëpo Wilders ka shprehur planet për ta mbajtur “NEXIT”-in, referendumin për t’u larguar nga BE-ja, ani pse e di se holandezët nuk janë të këtij mendimi.
Në fazat e hershme të fushatës kishte përdorur retorikën kundër islamit, por në ditët e fundit ka deklaruar se ka çështje më të rëndësishme dhe se është i përgatitur që t’i lërë në frigorifer politikat e tij për ndalimin e xhamive dhe shkollave islamike në Holandë.
Përktheu: Dianë Rraqi