Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje paqeje është “më shumë se shumë afër", duke e cilësuar këtë moment si potencialisht një nga ditët më të rëndësishme në historinë e qytetërimit.
Gjatë një deklarate për mediat, Trumpi tha se është duke punuar ngushtë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për të arritur paqen në Lindjen e Mesme.
“Kjo është potencialisht një nga ditët më të mëdha ndonjëherë në qytetërim”, ka theksuar Trumpi.
Megjithatë, Trumpi theksoi se pranimi nga ana e Hamasit ende nuk është i garantuar.
“Nëse pranohet nga Hamasi, kjo marrëveshje parasheh lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura menjëherë, por në asnjë rast më vonë se 72 orë,” tha ai.
“Sot është një ditë historike për paqen,” ka deklaruar Trumpi.
Ai tha se së bashku me Netanyahun kanë përfunduar një takim ku tema kryesore ishte ndalja e konfliktit në Gaza, ndërsa shtoi se janë duke prezantuar zyrtarisht një plan paqeje me 21 parime, për të cilin, sipas tij, “njerëzit kanë shprehur vërtetë pëlqim”.
Trumpo theksoi se në hartimin e këtij plani kanë kontribuar shumë shtete dhe falënderoi veçanërisht “udhëheqësit e vendeve arabe dhe myslimane për mbështetjen e tyre”, si dhe aleatët në Evropë që kanë marrë pjesë në zhvillimin e propozimit.
Trumpi falënderoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për “pranimin e planit”.
Ai shtoi se ka zhvilluar takime me “shumë shtete” për të diskutuar mbi propozimin, duke përfshirë edhe udhëheqësit e Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Sipas tij, këto vende kanë qenë “shumë të përfshira” në këtë proces.
Sipas tij, vendet arabe dhe myslimane janë zotuar që, si pjesë e planit, të “çmilitarizojnë Gazën” në një afat të shkurtër kohor.
Sipas planit, Trump thotë se tunelet e Hamasit dhe objektet prodhuese do të shkatërrohen.
Ai tha se plani përfshin gjithashtu trajnimin e forcave lokale të policisë, ndërsa Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të tërhiqen nga Gaza në disa faza.
“Kërcënimi i Hamasit do të shkatërrohet,” u shpreh ai, dhe shtoi se Netanyahu do të ketë mbështetjen e tij të plotë për “të bërë atë që duhet”.
Trump tha se ai vetë nuk ka zhvilluar kontakte me Hamasin, por se vendet arabe dhe myslimane “do të merren me ta”.
“Ata duhet të merren me ta,” u shpreh ai.
Ai tha se nëse këto shtete nuk arrijnë të menaxhojnë situatën me Hamasin, atëherë Izraeli do të ketë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për të “përfunduar punën e shkatërrimit të kërcënimit që paraqet Hamasi”.
Trumpi e ka përshkruar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, si një “luftëtar” që, sipas tij, nuk e njeh jetën normale.
“Israeli është me fat që e ka,” tha Trump, duke shtuar se qytetarët izraelitë janë të gatshëm për paqe dhe për “normalizim në kuptimin e vërtetë të fjalës”.
Trump tha se shumë palestinezë dëshirojnë të jetojnë në paqe, por, sipas tij, ata duhet të “marrin përgjegjësi” për fatin e tyre.
Ai theksoi se palestinezët kanë pasur një “jetë të vështirë” nën sundimin e Hamasit, por paralajmëroi se, nëse nuk e pranojnë planin e tij, “atëherë mund të fajësojnë vetëm veten”.
Trump tha se tani është në dorën e Hamasit të pranojë këtë propozim, të cilin e quajti “jashtëzakonisht të drejtë”.
“Detyra për të ndërtuar paqen nuk do të jetë e lehtë,” tha ai.
Hamasi: Nuk kemi pranuar ndonjë propozim për armëpushim nga SHBA-ja
Një zyrtar i lartë i Hamasit ka deklaruar për BBC-në se grupi nuk ka pranuar asnjë iniciativë për armëpushim nga presidenti amerikan, Donald Trump, përmes ndërmjetësve.
Zyrtari tha se Hamasi mbetet i hapur për të shqyrtuar çdo propozim që mund t’i japë fund luftës në Gaza, por theksoi se çdo marrëveshje duhet të garantojë interesat palestineze, të sigurojë tërheqje të plotë izraelite nga Gaza dhe të sjellë përfundimin e luftës.
I pyetur rreth çështjes së armëve të grupit, zyrtari u përgjigj: “Armët e rezistencës janë vijë e kuqe, për aq kohë sa vazhdon okupimi.”
Ai shtoi se çështja e çarmatimit mund të diskutohet vetëm në kuadër të një zgjidhjeje politike që garanton krijimin e një shteti të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967.
SHBA-ja publikon planin e paqes në Gaza me të cilin ra dakord Netanyahu
Pak momente para se Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu të ngjiteshin në skenë për konferencën e përbashkët, Shtetet e Bashkuara publikuan detajet e planit të tyre të propozuar për paqen në Gaza.
Izraeli ka pranuar planin me 20 pika, ndërsa Hamasi nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Sipas propozimit, në fillim do të ndalohen menjëherë operacionet ushtarake, ndërsa “linjat aktuale të betejës” do të mbeten të ngrira në vend.
Në kuadër të planit, Hamasi do të heqë dorë nga armët dhe arsenali i tij ofensiv do të shkatërrohet. Ai do të lironte brenda 72 orëve 20 pengje izraelitë të gjallë dhe trupat e të vrarëve.
Pas lirimit të pengjeve, propozimi parashikon që Izraeli të lirojë qindra të burgosur nga Gaza.
Gjithashtu, plani thotë se sapo të dyja palët të bien dakord, “ndihmat e plota do të dërgohen menjëherë në Rripin e Gazës”.
SHBA-ja parashikon gjithashtu një model të ri qeverisjeje për Gazën, ku një “komitet teknokratik dhe apolitik palestinez” do të udhëheqë përkohësisht, “nën mbikëqyrjen dhe supervizimin e një organi të ri ndërkombëtar tranzicioni, Bordit të Paqes, i cili do të drejtohet nga Trump”.
Sipas planit, Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisje, “as direkt, as indirekt apo në asnjë formë tjetër”.
Pjesa më e madhe e planit fokusohet në një “plan zhvillimi ekonomik” për rindërtimin e Gazës. Po ashtu, parashikohet që “Izraeli nuk do të ushtrojë okupim apo aneksim në Gaza”, ndërsa forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga territori.
Plani gjithashtu lë të hapur mundësinë e krijimit eventual të një shteti palestinez.
Netanyahu: E përkrah planin e Trumpit
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se takimi i sotëm me presidentin amerikan, Donald Trump, është një hap kyç jo vetëm për përfundimin e luftës në Gaza, por edhe për krijimin e kushteve për paqe në të gjithë Lindjen e Mesme.
“E mbështes planin tuaj për t’i dhënë fund luftës në Gaza,” tha Netanyahu, duke iu referuar planit prej 20 pikësh të propozuar nga Trump.
Sipas tij, ky plan do të sigurojë që Izraeli të mos përballet më me kërcënime nga Hamasi.
Ai gjithashtu falënderoi ushtarët izraelitë, të cilët, siç u shpreh, “luftojnë si luanë kundër barbarisë”.
Netanyahu, ka deklaruar se të gjitha pengjet — si të gjalla, ashtu edhe të vdekura — duhet të kthehen brenda 72 orëve.
Ai tha se të gjitha palëve po u jepet mundësia të veprojnë në mënyrë paqësore, por paralajmëroi se nëse Hamasi e refuzon planin, ose nëse supozohet se e pranon por nuk e zbatojnë, “ne do ta përfundojmë punën”.
“Kjo mund të bëhet në mënyrë të lehtë ose në mënyrë të vështirë, por do të bëhet,” tha ai.
Ai theksoi se Autoriteti Palestinez nuk mund të ketë rol në Gaza pa kaluar në një “reformë radikale dhe të sinqertë”.
Kryeministri izraelit shtoi se ky plan paqeje mund të jetë “një fillim i ri” për Gazën dhe gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.
Ai gjithashtu tha se Marrëveshjet e Abrahamit mund të “rilidhen me energji të re” dhe të zgjerohen edhe në vende të tjera arabe dhe myslimane.