Të mbijetuarit thanë se viktima më e vjetër ishte një gjyshe 98-vjeçare dhe me e reja ishte foshnja djalë i lindur vetëm 9 ditë më herët
(BBC) - Ahmad al-Ghuferi ka mbetur pothuajse i vetëm pasi një bombë ia vrau 103 familjarë në qytetin e pushtuar të Bregut Perëndimor, Jericho.
Kur familjarët e tij u vranë, ai ishte i bllokuar 80 kilometra larg nga vendi i ngjarjes.
Ahmadi ishte duke punuar në zonën e ndërtimit në Tel Aviv, kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor – duke ia pamundësuar kthimin te gruaja dhe tri vajzat e tij për shkak të fillimit të luftës dhe bllokadës nga ushtria izraelite.
Ai fliste me to në të njëjtën kohë çdo ditë dhe ishte në telefon me gruan e tij, Shireen, kur ndodhi sulmi më 8 dhjetor.
“Ajo e dinte se do të vdiste”, ka thënë ai. “Ajo më kërkoi falje për çdo të keqe që ndoshta më ka shkaktuar. Unë i thashë se nuk kishte nevojë të thoshte atë. Kjo ishte telefonata e fundit mes nesh”.
Një bombë e madhe goditi shtëpinë e xhaxhait të tij atë mbrëmje, e cila i vrau gruan dhe tri vajzat e vogla - Tala, Lana dhe Najla.
Gjithashtu e vrarë mbeti edhe nëna e Ahmadit, katër vëllezërit e tij dhe familjet e tyre, gjithashtu edhe hallat, xhaxhallarët dhe kushërinjtë. Më shumë se 100 të vdekur. Për gati dy muaj tani, disa nga trupat e tyre janë akoma nën rrënoja.
Javën e kaluar, ai shënoi ditëlindjen e vajzës së tij më të vogël. Najla do i mbushte dy vjeç. Ahmadi akoma po e përjeton shumë rëndë humbjen.
Në pamundësi për të mbajtur trupat e fëmijëve apo të merrte pjesë në varrimin e tyre, ai akoma flet për to në të tashmen.
“Vajzat e mia janë zogj të vegjël për mua”, ka thënë ai. “Ndihem sikur jam në ëndërr. Akoma nuk arrij ta besoj se çfarë ka ndodhur”.
Ai ka hequr fotot e vajzave nga telefoni dhe llaptopi, që të mos i shohë fytyrat e tyre.
Atij i ka ngelur të mbledhë copëzat e historisë nga rrëfimet e të mbijetuarve dhe fqinjëve. Ata kanë thënë se raketa ka goditur së pari hyrjen e shtëpisë.
“Ata nxituan dhe shkuan te shtëpia e xhaxhait tim,” ka thënë Ahmadi. “Pas pesëmbëdhjetë minutave, një avion luftarak goditi shtëpinë”.
Ndërtesa katërkatëshe ku u vra familja ishte afër qendrës së mjekësisë Sabaha në lagjen Zeitoun.
Tash ndërtesa është shndërruar në gërmadha të mbushura me copa betoni të thyera dhe copa të rrobave të pluhurosura.
Njëri nga të afërmit e Ahmadit që i mbijetoi sulmit, Hamid al-Ghuferi, ka thënë se kur filluan sulmet, ata që ikën nëpër kodër mbijetuan, kurse ata që u strehuan në shtëpi u vranë.
“Ishte varg sulmesh”, ka thënë ai. “U sulmuan katër shtëpitë pranë nesh. Po sulmonin një shtëpi çdo 10 minuta”.
“110 njerëz nga familja Ghuferi ishin aty, fëmijët dhe të afërmit tanë,” ka thënë ai. “Shumica e tyre u vranë”.
Të mbijetuarit thanë se viktima më e vjetër ishte një gjyshe 98-vjeçare dhe me e reja ishte foshnja djalë i lindur vetëm 9 ditë më herët.
Një tjetër i afërm, i quajtur gjithashtu Ahmad, ka përshkruar dy shpërthime të mëdha nga sulmet ajrore.
“Nuk ka pasur paralajmërime paraprake”, ka thënë ai. “Nëse disa njerëz nuk do ishin larguar nga zona, mendoj se do të kishte qindra të vrarë. Zona duket tërësisht ndryshe tani. Kishte një parking, një vend që mbante ujë, tri shtëpi plus edhe një shtëpi e madhe. Goditja shkatërroi të gjithë zonën e banimit”.
Hamidi ka thënë se të mbijetuarit kanë punuar deri në orët e hershme të mëngjesit për të nxjerrë trupat nga rrënojat.
“Avionët po fluturonin sipër në qiell dhe dronët po na gjuanin teksa ne po përpiqeshim t’i nxirrnim nga rrënojat”, ka thënë kushëriri i Ahmadit.
“Ne ishim të ulur në shtëpi dhe gjetëm veten nën rrënoja”, ka thënë Umm Ahmad al-Ghuferi. “Sulmi më hodhi sa në një anë sa në tjetrën. Nuk e di si arritën të më nxirrnin që aty. Ne pamë vdekjen me sytë tanë”.
Pas dy muajve a gjysmë, ata akoma po përpiqen të nxjerrin disa nga trupat prej poshtë rrënojave. Familja ka mbledhur para për të punësuar punëtorë për të copëtuar mbeturinat.
“Ne nxorëm katër trupa sot”, ka thënë kushëriri, Ahmad. “Përfshirë këtu ishin gruaja e vëllait tim dhe nipi im Mohammed, i cili u nxor copa-copa. Ata ishin nën rrënoja për 75 ditë”.
Varret e tyre të përkohshme shtrihen në një tokë të zbrazët afër, të shënjuar me shtaga dhe fleta të plastikës.
Ahmadi, i bllokuar në Jericho, nuk i ka vizituar akoma ata.
“Çfarë kam bërë për t’u privuar nga nëna, gruaja, fëmijët dhe vëllezërit e mi?” ka pyetur ai. “Ata ishin të gjithë civilë”.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ka thënë se nuk janë në dijeni për këtë sulm dhe kanë shtuar “se kanë marrë masa paraprake për evakuimin e civilëve” në luftën kundër Hamasit.
Ka pasur luftime intensive mes forcave të Izraelit dhe Hamasit në zonën Shejaiyya, disa blloqe në jug të shtëpisë së al-Ghuferi, në ditët para dhe pas vdekjes së familjarëve të Ahmadit.
Në një përditësim më 9 dhjetor, ushtria ka thënë se ka “identifikuar një numër të terroristëve të armatosur me raketa anti-tank” duke iu afruar trupave në Shejaiyya dhe thirrën helikopterin për t’i sulmuar. Gjithashtu ka thënë se avionët sulmues ka qenë duke sulmuar shënjestra të terroristëve në Rripin e Gazës, teksa operacionet tokësore vazhdonin.
Zona e Zeitounit, kur më herët qëndronte shtëpia e familjes, është tani fokusi i operacioneve të reja nga IDF-i.
I bllokuar në Jericho me babanë e tij – gjithashtu punëtor ndërtimi i bllokuar në Bregun Perëndimor – Ahmadi ndonjëherë telefonon të afërmit e mbijetuar në Gazë. Por pas disa muaj bllokimi jashtë shtëpisë së tij dhe i dëshpëruar të kthehet, ai nuk është më i sigurt se do të kthehet.
“Ëndrra ime u shkatërrua në Gazë”, ka thënë ai. “Për kë të kthehem? Kush do të më thërrasë baba? Kush do të më thërrasë i dashur? Gruaja ime më thoshte se isha jeta e saj. Kush do të më quaj ashtu tani?”, ka thënë ai.
Përgatiti: Latra Gashi