Një treshe ekonomistësh u nderuan të hënën me çmimin “Nobel” për Ekonomi, për "studimet e tyre se si formohen institucionet dhe se si ndikojnë në prosperitet".
Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James Robinson do të ndajnë çmimin, në vlerë prej 1 milion dollarësh.
Komiteti i Nobelit vlerësoi treshen për shpjegimin pse "shoqëritë me një sundim të dobët të ligjit dhe institucionet që shfrytëzojnë popullsinë nuk gjenerojnë rritje ose ndryshim për të mirë".
“Kur evropianët kolonizuan pjesë të mëdha të globit, institucionet në ato shoqëri ndryshuan”, tha komiteti, duke cituar punën e treshes.
Ndërsa në shumë vende kjo kishte për qëllim shfrytëzimin e popullsisë autoktone, në vende të tjera hodhi themelet për sisteme gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike.
“Laureatët kanë treguar se një shpjegim për dallimet në prosperitetin e vendeve janë institucionet shoqërore që u prezantuan gjatë kolonizimit,” shtoi komiteti.
Në librin e tyre të vitit 2012 "Pse Kombet dështojnë", Acemoglu, një profesor turko-amerikan në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, dhe Robinson, një profesor britanik në Universitetin e Çikagos, argumentojnë se disa kombe janë më të pasura se të tjerat për shkak të institucioneve politike dhe ekonomike.