Martesa e Nazimes nuk ishte as martesë dashurie dhe as me mblesëri. Nazima u rrëmbye nga shteti i saj, Bengali Perëndimor, dhe u transportua 1.600 km për në Kashmir, ku u detyrua të martohej me një burrë 20 vjet më të madh se ajo, i cili u kishte paguar trafikantëve të saj 250 dollarë për nuse. Me vdekjen e tij, Nazima ka mbetur vetëm për t’i mbështetur fëmijët e saj, ndërsa ajo mendon për një të ardhme të pasigurt
29-vjeçarja Nazima Begum (emër i saj dhe viktimave të tjera është ndryshuar për shkaqe sigurie nga redaksia e “Al-Jazeeras”) ulet këmbëkryq në dyshemenë e dhomës së saj të errët, me dritaret të mbuluara me pëlhurë gome. Në prehër është djali i saj më i vogël, Taufiq, pesëmuajsh, i cili luan me fytyrën e nënës së tij teksa ajo flet. Herë pas here, ajo ndalon për ta puthur në kokë.
Nazima jeton në këtë dhomë teke në Srinagar me Taufiqin dhe dy fëmijët e saj më të mëdhenj, shtatë dhe 10 vjeç. Bashkëshorti i saj vdiq nga sëmundjet e zemrës katër muaj më parë dhe megjithëse ka trishtim në zërin e saj, thotë se përpiqet të shfaqet e fortë para fëmijëve.
Martesa e saj nuk ishte as martesë dashurie dhe as me mblesëri. Nazima u rrëmbye nga shteti i saj, Bengali Perëndimor, dhe u transportua 1.600 km për në Kashmir, ku u detyrua të martohej me një burrë 20 vjet më të madh se ajo, i cili u kishte paguar trafikantëve të saj 250 dollarë për nuse.
Me vdekjen e tij, Nazima ka mbetur vetëm për t’i mbështetur fëmijët e saj, ndërsa ajo mendon për një të ardhme të pasigurt.
"Të gjitha ishim të tmerruara"
Edhe
Largimi i mjekëve po e lë shëndetësinë e Jemenit në kolaps, miliona pacientë pa ndihmë
Vajza e një punëtori bujqësie që kishte tre fëmijë të tjerë, Nazima u rrit në varfëri.
Kështu, kur, në verën e vitit 2012, një shoqe nga fshati i Nazimes i tha asaj se kishte dëgjuar se një OJQ po kërkonte t'u ofronte punë grave dhe vajzave me prejardhje të varfër në kryeqytetin e Bengalit Perëndimor, Kolkata, ajo vendosi të merrte trenin për një udhëtim gjashtë orësh deri në qytet.
Ishte një pasdite e nxehtë kur ajo mbërriti në destinacionin e saj – një ndërtesë e madhe xhami. Kishte pak burra dhe shumë gra – disa të moshës së saj, të tjera më të vjetra – kujton ajo.
Njëri nga burrat i shërbeu çaj. Dhe si, menjëherë pasi e kishte pirë, ajo zbuloi se nuk mund të fliste më. Në pamundësi për të protestuar, ajo u dërgua nga dy burra në një makinë që priste jashtë.
Nuk kishte asnjë OJQ, nuk kishte punë për gratë dhe vajzat e varfra, asnjë rrugëdalje nga varfëria gjymtuese që kishte përcaktuar jetën e Nazimës – vetëm trafikantë që prisnin ta shfrytëzonin atë.
Ajo u dërgua në një stacion hekurudhor, ku katër burra prisnin me katër gra të tjera. Në tren, gratë nuk lejoheshin të bënin kontakt me sy me njëra-tjetrën, të përdornin banjën ose të hanin.
“Burrat dukeshin të frikshëm”, thotë Nazima. “Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte”.
Pas 20 orësh në tren, ata arritën në Delhi. Por udhëtimi i tyre nuk kishte mbaruar. Gratë u futën në një tren tjetër për udhëtimin 13-orësh për në Jammu, qytet në jug të Kashmirit të administruar nga India.
Aty trafikantët ia dorëzuan gratë dy burrave nga Kashmiri.
“Të gjitha ishim të tmerruara”, thotë ajo. "Ne nuk mund të bënim asgjë pasi ishim të frikësuara se mund të lëndoheshim".
Të uritura dhe të lodhura, gratë i futën në një taksi dhe i dërguan nëpër qafa malore dhe nëpër rrugë të paasfaltuara në errësirë.
"Në Jammu, u ndjeva në një vend krejtësisht të çuditshëm, gjuha ishte krejtësisht e ndryshme", thotë ajo. “Dukej si një botë ndryshe”.
"Frikë e madhe"
Ishte ora 6 e mëngjesit kur ato arritën më në fund në Pattan, një fshat piktoresk i rrethuar nga pemishte mollësh dhe fusha me rërë, në distriktin Baramulla të Kashmirit verior, 274 km nga Jammu.
Ato u dërguan në shtëpinë e një prej trafikantëve, ku i ndërruan rrobat që kishin veshur tashmë prej ditësh.
Nazima thotë se veshjet e reja që u thanë të vishnin “nuk ishin shumë të bukura”.
“Dukej se nuk ishin as të reja”, shton ajo.
Ndërsa visheshin, gratë mundën të flisnin me njëra-tjetrën për herë të parë. Por ato nuk patën shumë kohë. Së shpejti do të merreshin një nga një dhe do t'u dorëzoheshin burrave me të cilët do të martoheshin.
Kur erdhi radha e Nazimes, ajo qau. Por ajo thotë se askujt nuk i interesoi.
“Ishte një plak që më mbante dorën në kokë dhe unë u njoha me burrin tim”, thotë ajo. “Nuk isha në gjendje të kuptoja se çfarë po thoshin. Kishte një frikë të madhe në mua”.
Pastaj plaku njoftoi se ajo ishte e martuar.
"Trafikantët më shkatërruan jetën"
Edhe
Birësuan një foshnjë nga Indonezia, tani rrezikojnë ta humbin pas hetimeve për trafikim
Burri i Nazimës e ktheu atë në shtëpinë me një dhomë që kishte ndarë me djalin e tij 10-vjeçar që nga vdekja e gruas së tij të parë në një aksident.
Në ato javët e para, ajo qante shpesh. “Nata ishte koha më e vështirë. Më kishte marrë malli për njerëzit e mi. Më kishte marrë malli për ushqimin, orizi nuk kishte shije si në shtëpi. Ndihesha sikur nuk i përkisja askujt”. Ajo u përpoq të arratisej shumë herë, por arriti vetëm deri në stacionin e taksisë përpara se të kthehej.
“Nuk doja të jetoja këtu, por nuk isha në gjendje të kuptoja se çfarë duhet të bëja”, thotë ajo. “Gjuha ishte pengesa më e madhe. Unë isha në gjendje të flisja vetëm bengalisht”.
Nazima thotë se i shoqi e trajtoi mirë. “Ai më premtoi se do të më lejonte të vizitoja shtëpinë time sepse e pa që isha e mjerë”, thotë ajo.
Për shtatë muaj, ajo nuk kishte asnjë kontakt me familjen e saj, e cila kishte kërkuar për të në fshatrat e afërta përpara se të arrinte në përfundimin se ajo duhej të ishte vrarë.
Kështu, kur burri i saj e mori për t'i vizituar në Bengalin Perëndimor, ata ishin të gëzuar, por të hutuar. “Ata nuk e dinin se burri që më shoqëronte ishte burri im”, shpjegon Nazima.
Ajo dëshironte dëshpërimisht të qëndronte me familjen e saj, por ishte tashmë shtatzënë me fëmijën e saj të parë, kështu që me ngurrim u kthye në Kashmir me burrin e saj.
Që nga vdekja e tij, ajo ka menduar të kthehet në Bengalin Perëndimor, por thotë: “Kam tre fëmijë. Nuk di çfarë të bëj, ku të shkoj”.
Ajo është e shqetësuar se do t'i shtojë problemet financiare familjes së saj - të përkeqësuara nga vdekja e babait të saj tre muaj më parë - nëse ajo kthehet.
“Trafikantët më shkatërruan jetën. Nuk mund të mendoj të kthehem”, përfundon ajo e përlotur.
"Trafikimi i kamufluar si martesë"
Byroja Kombëtare e Regjistrimeve të Krimit (NCRB) të Indisë regjistroi më shumë se 1700 raste të trafikimit të qenieve njerëzore në vitin 2020. Kjo përfshin të rritur dhe fëmijë të trafikuar për martesë, skllavëri dhe prostitucion. Por ekspertët thonë se kjo është vetëm maja e ajsbergut.
"Trafikimi është shumë i nën-raportuar në Indi", shpjegon Tarushika Sarvesh, asistente e sociologjisë në Universitetin Musliman Aligarh (AMU), në shtetin indian të Uttar Pradesh.
Ka shumë arsye për këtë.
“Ndonjëherë familjet e grave dhe fëmijëve që janë rikuperuar dhe rikthyer nuk duan të pranojnë faktin se janë trafikuar, pasi trafikimi në perceptimin popullor më së shumti kuptohet si shfrytëzim seksual”, thotë ajo, duke shtuar se ka një stigmë të madhe bashkangjitur kësaj.
Sarvesh shpjegon se trafikimi është i vështirë për t'u zbuluar dhe raportuar dhe se "shumë nga format e tij nuk tërheqin vëmendjen apo ngjallin dyshime".
Është, thotë ajo, “e dukshme dhe e padukshme në të njëjtën kohë”.
"Të rriturit dhe fëmijët janë të dukshëm si punëtorë rreth nesh në kushte të mjerueshme, por historia e kurthit të tyre nuk dihet".
Sunita Krishnan është themeluesja e Prajwala me bazë në Hyderabad, një organizatë joqeveritare që punon për të çrrënjosur trafikimin e qenieve njerëzore në Indi. Ajo shpjegon se shumë njerëz nuk e njohin trafikimin e nuseve për atë që është sepse është "kamufluar si martesë".
"Kur ndodh martesa, të gjitha përvojat e mëparshme anulohen dhe martesa shihet si një gjë e devotshme dhe jo si një krim", thotë ajo. “Njerëzit mendojnë ‘si mund të jetë martesa e barabartë me trafikimin?”
Bengali Perëndimor, shteti i Nazimës, konsiderohet si një nga qendrat e trafikimit të qenieve njerëzore në Indi. Ka pasur më shumë se 350 raste të regjistruara atje në tre vitet e fundit, sipas shifrave zyrtare. Por ekspertët thonë se numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, pasi familjet shpesh e kanë jashtëzakonisht të vështirë të provojnë se anëtarët e tyre të zhdukur janë trafikuar.
Edhe
Gruaja franceze shpëtohet nga policia pas 12 vjetësh robërie në Pakistan
(Vijon nesër)
Përktheu: Forca Jashari