Një ministër i Qeverisë britanike ka thënë enjten për agjencinë amerikane të lajmeve CNN se vendi është i gatshëm t’i nxjerrë sërish në lundrim anijet e tij përgjatë ujërave të kontestuara afër Krimesë, vetëm një ditë pas konfrontimit detar të të dyja vendeve. Ky qëndrim i palës britanike është shprehur vetëm pak orë pasi që një diplomat i lartë rus ka paralajmëruar se ushtria ruse është e gatshme që të sulmojë çdo anije që hyn në ujërat, të cilat Moska i pretendon për të sajat
Një luftë verbale midis Londrës dhe Moskës është intensifikuar të enjten, teksa të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për interpretime të pasakta rreth incidentit midis luftanijes britanike dhe forcave ruse në Detin e Zi.
Një ministër i Qeverisë britanike ka thënë enjten për agjencinë amerikane të lajmeve CNN se vendi është i gatshëm t’i nxjerrë sërish në lundrim anijet e tij përgjatë ujërave të kontestuara afër Krimesë, vetëm një ditë pas konfrontimit detar të të dyja vendeve.
Ky qëndrim i palës britanike është shprehur vetëm pak orë pasi që një diplomat i lartë rus ka paralajmëruar se ushtria ruse është e gatshme që të sulmojë çdo anije që hyn në ujërat, të cilat Moska i pretendon për të sajat.
Lufta verbale mes vendeve ka nisur pasi që Rusia pretendoi të mërkurën se një luftanije e saj ka shkrepur të shtëna paralajmëruese, ndërsa një aeroplan luftarak ka hedhur bomba drejt një anijeje britanike që kishte hyrë në ujërat afër Krimesë, të cilën shteti rus e kishte aneksuar më 2014 nga Ukraina fqinje.
Sekretari britanik i Mjedisit, George Eustice, ka kontestuar pretendimet e Moskës për incidentin, duke i përsëritur qëndrimet e një dite më parë të Qeverisë në Londër.
Eustice ka insistuar se anija britanike po e realizonte një kalim ligjor sipas së drejtës ndërkombëtare.
Megjithëkëtë, zyrtarët në Kremlin kanë akuzuar të enjten Mbretërinë e Bashkuar për “provokim të qëllimshëm dhe të planifikuar” teksa kanë pretenduar se vendi ka të drejtë që të nisë “bomba drejt cakut” kur anijet e huaja i shkelin kufijtë e tij detarë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë gjatë një konference për gazetarë të enjten se Rusia “është me të drejtë e shqetësuar për veprimet e tilla të një anijeje britanike”.
“Çfarë mund të bëjmë? Mund t’i thërrasim mendjes së shëndoshë, ta kërkojmë respektimin e së drejtës ndërkombëtare. Nëse kjo nuk ndihmon, mund të bombardojmë jo vetëm drejt, por edhe në cak, po qe se kolegët tanë nuk kuptojnë”, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov, sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass.
Të enjten, ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab, e përshkroi versionin e Moskës për incidentin si “parashikueshëm të pasaktë”, duke pretenduar se “asnjë e shtënë nuk është shkrepur drejt anijes HMS”.
Sherri i incidentit Rusia ka thirrur në konsultime ambasadorin britanik në Moskë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka akuzuar të enjten palën britanike për përhapjen e gënjeshtrave rreth incidentit.
“Pra, kush po gënjen: Ministria e Jashtme britanike, BBC-ja që raportoi për rastin apo Ambasada britanike në Moskë? Ja përgjigjja. Kësaj radhe – Ministria britanike e Mbrojtjes dhe Ambasada britanike... Londra ka humbur arsyen. Këshilloj partnerët britanikë që të përmblidhen nëse duan ‘hyrje paqësore’ herës tjetër”, ka shkruar ajo në Telegram.