Botë

Tetë dekada pas sulmit atomik në Hiroshimë, vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit

hiroshima

“Lufta nuk mbaron për këta njerëz, derisa të mos gjenden të zhdukurit”, tha Rebun Kayo, hulumtues tek Universiteti i Hiroshimës, që viziton rregullisht Ninoshiman për të kërkuar mbetjet mortore të të zhdukurve

Kur shpërtheu bomba e parë atomike 80 vjet më parë më 6 gusht, mijëra të vdekur dhe ata që ishin në prag të vdekjes u dërguan në Ninoshima, një ishull i vogël rural në jug të Hiroshimas, nga anijet ushtarake me ekuipazhe që ishin trajnuar për misione të sulmeve vetëvrasëse. 

Shumë prej viktimave kishin rrobat e djegura dhe mishi i tyre u varej nga fytyrat dhe gjymtyrët. Ata rënkonin nga dhimbja. 

Për shkak të kujdesit të dobët mjekësor dhe po ashtu mjekësisë jo të mirë, vetëm disa qindra ishin ende gjallë kur spitali fushor u mbyll më 25 gusht, sipas të dhënave historike. Viktimat u varrosën në vende të ndryshme në operacione kaotike të nxituara. 

Dekada më vonë njerëzit në zonë po kërkojnë mbetjet mortore të të zhdukurve. Ata janë të nxitur nga dëshira për t’i nderuar viktimat dhe për t’u sjellë lehtësim të mbijetuarve që ende torturohen nga kujtimet e të dashurve që u janë zhdukur. 

“Lufta nuk mbaron për këta njerëz, derisa të mos gjenden të zhdukurit”, tha Rebun Kayo, hulumtues te Universiteti i Hiroshimës, që viziton rregullisht Ninoshiman për të kërkuar mbetjet mortore të të zhdukurve.

Ende po zbulohen dëshmitë për të zhdukurit

Një mëngjes kohëve të fundit, Kayo, vizitoi një tokë në një pyll ku ai ka gërmuar që nga viti 2018, në kërkim të mbetjeve mortore. Ai mbathi çizme gome dhe një helmetë dhe u spërkat me ilaç kundër insekteve. 

Pasi mbolli lule dhe u lut, Kayo nisi me kujdes të hiqte zhavorr nga një gropë me madhësinë e një vaske. Kur toka u zbut mjaftueshëm, ai e siti atë për gjetje fragmentesh të kockave. 

Ndërsa punonte në diellin përvëlues, ai imagjinoi dhimbjen dhe trishtimin që viktimat ndienin kur po vdisnin. 

Kayo deri më tash ka gjetur 100 fragmente kockash, përfshirë copa kafke dhe kockën e nofullës së një foshnjë me dhëmbë të vegjël. Ai i gjeti kockat në një zonë që iu sugjerua nga një banor i Ninoshimës, babai i të cilit kishte parë ushtarë që varrosnin trupat që u sollën në ishull nga Hiroshima me anë të anijes 80 vjet më parë. 

“Fëmija i vogël i varrosur këtu ka qenë vetëm për gjithë këto vite”, tha ai për kockat që ai beson se i përkisnin një fëmije të vogël. “Është thjeshtë e patolerueshme”.

Viktimat mbërritën pas pasojave kaotike të bombardimit

Sulmi atomik amerikan në Hiroshima shkatërroi menjëherë qytetin dhe vrau dhjetëra e mijëra pranë hipoqendrës, rreth 10 kilometra në veri të Ninoshimës. Numri i të vdekurve deri në fund të atij viti ishte 140 mijë. 

Si një fëmijë 3-vjeçar, Tamiko Sora ishte me prindërit dhe dy motrat e saja në shtëpinë e tyre 1.4 kilometra nga hipoqendra. Shpërthimi shkatërroi shtëpinë e tyre dhe fytyra e Soras u dogj, por shumica e familjes së saj mbijetoi. 

Derisa shkonin drejt shtëpisë së një të afërmi, ajo takoi një vajzë pesëvjeçare që ishte pa mbikëqyrje dhe që e identifikoi veten si Hiroko si dhe një grua me djegie të rënda që kërkonte me dëshpërim nga njerëzit që t’ia shpëtonin foshnjën që e mbante. Sora ende mendon shpesh për ta dhe e ka peng që familja e saj nuk mund t’i ndihmonte. Familja e saj vizitoi jetimore, por nuk e gjeti vajzën. Sora mendon se njerëzit që takoi atë ditë, përfshirë tezën dhe dajën që iu zhdukën, mund të kenë përfunduar në Ninoshima. 

Ninoshima pa tri javë kaos, vdekje dhe varrime të nxituara

Brenda dy orëve pas shpërthimit, viktimat filluan të mbërrinin me anije nga Hiroshima për në qendrën dy të karantinës në ishullin Ninoshima. Ndërtesat e saja u mbushën me pacientë me plagë të rënda.

Shumë vdiqën gjatë rrugëtimit për në ishull. 

Anëtarët e Ushtrisë Perandorake punonin pa ndalur për të kryer varrimet në ishull, sipas dokumenteve të qytetit të Hiroshimës. 

Eiko Gishi, atëherë një rekrut 18-vjeçar që gjendej në varkë, mbikëqyrte transportimin e pacientëve për te zona ku jepej ndihma e parë. Ai dhe ushtarë të tjerë prenë bambu për të bërë gota dhe tabaka. Shumë nga të plagosurit vdiqën menjëherë pasi pinë ujë. 

Në librin me kujtimet për ngjarjet që u botua nga qyteti vite më vonë, Gishi kishte shkruar se si ushtarët i trajtuan me kujdes trupat fillimisht, por shpejt u mbingarkuan nga numri i madh i trupave të dekompozuar dhe përdorën një djegie që fillimisht ishte menduar për kuajt ushtarakë. 

Edhe kjo nuk mjaftoi dhe shpejt u mbaruan hapësirat, duke i vendosur përfundimisht trupat në strehimoret e krijuara për t’u mbrojtur nga bombardimet dhe në varreza masive. 

“Mbeta pa fjalë nga tronditja kur pashë grupin e parë të pacientëve që zbarkuan në ishull”, kishte shkruar në vitin 1992, Yoshitaka Kohara, ish-mjek në ushtri. “Isha mësuar të shihja shumë ushtarë të plagosur rëndë në fushëbeteja, por nuk kisha parë askënd në gjendje kaq mizore dhe tragjike. Ishte një ferr”. 

Kohara ishte në atë objekt derisa u mbyll, kur vetëm rreth 500 njerëz mbetën gjallë. Kur u tha pacientëve të mbijetuar më 15 gusht se lufta kishte mbaruar, ai kujtoi se ata dukeshin pa emocione dhe “lotët u rrjedhin nga sytë dhe asnjëri nuk tha asnjë fjalë”.

Mijëra mbetje mortore të gjetura, por shumë rezultojnë të zhdukur

Kazuyo Miyazaki, një historian dhe ciceron i lindur në Ninoshima, tha se drejt fundit të Luftës së Dytë Botërore ishulli ishte përdorur për stërvitje të sulmuesve vetëvrasës, duke përdorur varka druri të definuara për vendosje në Detin e Filipineve dhe Okinawa. 

“Hiroshima nuk ishte qytet paqeje që nga fillimi. Në fakt, ishte e kundërta. Është thelbësore që të mësosh nga brezat e vjetër dhe të vazhdosh t’u tregosh mësimet brezave të ardhshëm”, thotë Miyazaki. 

77-vjeçari humbi disa të afërm në sulmin me bombë atomike. Ai ka dëgjuar rrëfime nga të afërmit dhe fqinjët për atë që ndodhi në Ninoshima, e cila ishte shtëpia e një karantine të madhe ushtarake gjatë zgjerimit ushtarak të Japonisë. Nëna e tij ishte infermiere ushtarake e cila u vendos në spitalin fushor në ishull. 

Mbetjet mortore të rreth 3000 viktimave të sulmit me bombë atomike, që ishin sjellë në Ninoshima, janë gjetur që nga viti 1947 kur shumë u nxorën nga strehimoret e bombave. Mijëra të tjerë mendohet se mungojnë.

Vizita te ishulli për t’i përkujtuar viktimat

Pasi mësoi për kërkimin e mbetjeve mortore në Ninoshima, Sora, e mbijetuara e sulmit atomik – e prekur nga përjetimet personale – udhëtoi dy herë në ishull për t’u lutur në një vend ku përkujtohen të vdekurit. 

“Ndiej se po presin që unë t’i vizitoj. Kur lutem, përmend emrat e të afërmve të mi dhe u them atyre se jam mirë dhe u tregoj histori të lumtura”, tha Sora. 

Në një vizitë së fundi në shtëpinë e pleqve ku jeton Sora, hulumtuesi Kayo ia solli asaj në një kuti plastike nofullën e një foshnje me dhëmbë në të dhe fragmente kafke që i gjeti në Ninoshima. Kockat u vendosën me kujdes në një shtrat të butë pambuku. 

Kayo tha se donte t’i tregonte Soras fragmentet e brishta, të cilat mund të jenë të një fëmije që mund të ketë pasur moshën e njëjtë me atë që takoi Sora 80 vjet më parë. Ai planifikon që përfundimisht t’i çojë kockat në një tempull budist. 

Sora u lut në heshtje ndërsa shikonte kockat që gjendeshin në kuti dhe pastaj u foli. 

“Jam shumë e lumtur që më në fund u gjetët. Mirë se erdhe përsëri!”, tha ajo.