Shërbimi i sigurisë së brendshme të Polonisë dhe kundër-spiunazhit, ABW, ka identifikuar 45 diplomatë rusë si spiunë të dyshuar dhe i ka dëbuar ata, raporton AFP.
"Agjencia e sigurisë së brendshme ka hartuar një listë me 45 persona që punojnë në Poloni nën mbulesën e aktiviteteve diplomatike", ka thënë Stanislaw Zaryn, zëdhënës i shërbimit.
Zaryn ka thënë se lista e të dyshuarve ishte transferuar në Ministrinë e Jashtme, dhe se "ABW po kërkon që ata të dëbohen nga territori polak".
“ABW ka arrestuar një shtetas polak me dyshimin për spiunazh për shërbimet sekrete ruse", shtoi zëdhënësi në Twitter.
Kërkesa është miratuar nga MJ-ja e Polonisë.
Raportohet se ambasadori rus ishte thirrur në Ministrinë e Jashtme në Varshavë. Rusia ka paralajmëruar hakmarrje në rast të dëbimit të diplomatëve të saj.