Botë

Sulmohet studioja e “Netflix-it” në Brazil që e bëri Krishtin homoseksual

Studioja e grupit komik “Porta dos Fundos” në Rio de Janeiro, është sulmuar me koktej molotovi, dy javë pas lansimit të filmit, në të cilin Krishti portretizohej si homoseksual.

“The First Temptation of Christ” komedi, 46 minutëshe, e realizuar enkas për Krishtlindjet, shfaq Krishtin që fton të dashurin e tij Orlando, për t’u njohur me Familjen e Shenjtë.

Që prej transmetimit në platformën Netflix, filmi ka ngjallur reagime ndër miliona brazilianë. Më shumë se 2 milionë njerëz kanë nënshkruar një peticion që i bënte thirrje platformës amerikane, të ndalonte transmetimin e filmit, sepse fyente të krishterët.

Madje, përfaqësuesit e një kishe në Rio, kanë paraqitur ankesë në gjykatë me të cilën tentuan të urdhëronin heqjen e filmit nga programi.

Grupi “Porta dos Fundos” që vitin e kaluar fitoi shpërblimin Emmy në kategorinë e serive ndërkombëtare për transmetimet e veçanta të Krishtlindjeve, ka deklaruar se liria e shprehjes është e rëndësishme në ndërtimin e një shteti demokratik.

E një teolog, ka deklaruar se nuk mund të kuptojë reagimin e besimtarëve, ndaj një filmi artistik.

“Është kontradiktë për njerëzit që thonë se janë të krishterë dhe pastaj sillen kështu. Mësimi më i madh nga Krishti është kryqëzimi i tij. Ata që panë vdekjen e Krishtit, kanë dëshmuar se ai ka thënë kështu: ‘Atë, fali, sepse nuk e dinë se çfarë bëjnë’”, ka thënë teologu Antonio Carlos Costa.

E platforma Netflix deri më tani ka refuzuar ta komentojë këtë çështje.

Brazili, megjithatë, vlerësohet si shtet shumë fetar me 200 milionë banorë. Derisa homofobia është e zakonshme dhe Kisha Katolike, shpesh ka kritikuar të drejtat e komunitetit LGBTI.

Edhe vetë presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, e ka cilësuar veten si homofob krenar. E në një intervistë, kishte thënë se më parë do të pranonte të birin e vdekur sesa ta ketë homoseksual. Së fundmi ka refuzuar të financojë filma e seri televizive që kanë temë komunitetin LGBTI.

Por, ky vendim i tij, më vonë u rrëzua nga Gjykata Federale e Brazilit.