Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Subvencionet nuk i mbajnë bujqit në Maqedoni

Nga Dikasteri i Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, kanë bërë të ditur se gjatë vitit të ardhshëm, do të dyfishojnë subvencionet nga 10 mijë euro në 20 mijë euro për bujqit e rinj, për t'i motivuar të mbeten në vend dhe të shtrijnë aktivitetin e tyre në bujqësi dhe blegtori.

Por, ekspertët në këtë lëmi thonë se përmes subvencioneve nuk mund të binden të rinjtë që të mos e braktisin vendin, por janë politikat zhvillimore si dhe tregu i garantuar ato që janë vendimtare për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Nga Lidhja e Bujqve të Maqedonisë së Veriut e kanë përshëndetur masën për subvencionimin e bujqve të rinj, me mjete financiare të pakthyeshme megjithëse theksojnë se është bërë praktikë që gjithmonë para zgjedhjeve të premtohen subvencione, por në realitet thonë se praktika ka dëshmuar se këto mjete vështirë arrijnë në duart e bujqve.

“Si Lidhje e Bujqve të Maqedonisë së Veriut, vlerësojmë se kjo iniciativë është e mirë nëse arrin që vërtetë të realizohet. Por, më shumë fshatra të shtetit pothuajse janë zbrazur dhe të rinjtë veç më tepër janë larguar nga vendi. Për të mbajtur të rinjtë në vend duhen politika afatgjate agrare, sepse gjendja është e pavolitshme si rrjedhojë e politikave joadekuate për bujqësinë."

"Njëherësh është shumë e rëndësishme që shpërndarja e mjeteve të jetë e drejtë dhe të bëhet mbi bazë të plotësimit të kushteve dhe jo të jetë selektive”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Veljo Tantarov, kryetar i Lidhjes së Bujqve të Maqedonisë së Veriut.

Bujqit ankohen se kanë shumë probleme edhe gjatë marrjes së subvencioneve nga shteti pasi u kërkohet shumë dokumentacione që e kanë vështirë të kompletojnë ndërsa administrata nuk u del në ndihmë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë.

Artikuj të ngjashëm