Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Stoltenbergu viziton Armeninë, bën thirrje për paqe me Azerbajxhanin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është takuar të martën me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan. Në një konferencë për media nga Yerevani, Stoltenberg ka bërë thirrje për paqe mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Kryeministri armen, Nikol Pashinyan është shprehur se pret mbështetje nga NATO në procesin e paqes.

“Ne presim mbështetje të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë NATO-n, për procesin e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, bazuar në parimet e dakorduara nga dy palët”, ka thënë Pashinyan.

Dy fqinjët e Kaukazit, Armenia dhe Azerbajxhani kanë një histori të gjatë mosmarrëveshjesh për territor. Azerbajxhani kreu një fushatë ushtarake vitin e kaluar për të rimarrë rajonin e Karabakut, të cilin separatistët armenë e kishin sunduar për tre dekada. Rajoni, i cili njihej ndërkombëtarisht si Nagorno-Karabakh, dhe pjesë të mëdha të territorit përreth ranë nën kontrollin e plotë të forcave etnike armene të mbështetura nga Armenia në fund të një lufte separatiste në vitin 1994. Azerbajxhani rifitoi pjesë të Karabakut dhe pjesën më të madhe të territorit përreth në një luftë gjashtëjavore në vitin 2020. Më pas nisi një sulm në shtator duke shkatërruar forcat separatiste brenda një dite dhe duke i detyruar ata që të linin armët. Më shumë se 100 mijë armenë etnikë u larguan nga rajoni në ditët në vijim, duke e lënë atë pothuajse të shkretë.

Stoltenberg ka folur edhe për Ukrainën, duke thënë se “situata në fushën e betejës mbetet e vështirë”. “Por kjo është një arsye për të rritur dhe për të mos pakësuar mbështetjen tonë. Nëse (presidenti rus Vladimir Putin) ka sukses në Ukrainë, ekziston një rrezik real që ky agresion të mos ndalet këtu”, ka paralajmëruar Stoltenberg.