Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Stafi diplomatik amerikan largohet nga Konsullata në Chengdu

Stafi diplomatik amerikan është larguar nga Konsullata Amerikane në Chengdu, pasi ka skaduar afati përfundimtar prej 72 orëve që i kishin dhënë autoritetet kineze, shkruan BBC.

Kina ka urdhëruar mbylljen e kësaj konsullate, në reagim ndaj vendimit të SHBA-së për të mbyllur Konsullatën Kineze në Houston, Teksas, javën e kaluar.

Para afatit përfundimtar të hënën, stafi është parë duke u larguar nga ndërtesa, pllaka është larguar dhe flamuri i SHBA-së është ulur.

Ministri i Jashtëm i Kinës ka thënë se stafi kinez është futur në ndërtesë pas afatit përfundimtar dhe e ka marrë ndërtesën.

“Konsullata ka qenë në qendër të marrëdhënieve tona me njerëzit në perëndim të Kinës, përfshirë ata në Tibet, për 35 vjet. Ne jemi të zhgënjyer me vendimin e Partisë Komuniste të Kinës dhe do të përpiqemi ta vazhdojmë kontaktin me njerëzit në këtë rajon të rëndësishëm nëpërmjet posteve tona tjera në Kinë”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Ndërsa Konsullata e SHBA-së është mbyllur, qytetarët janë mbledhur jashtë objektit, ku shumë valonin flamujt kinezë dhe bënin selfie.

Pekini ka urdhëruar mbylljen e konsullatës pasi Konsullata e Kinës në Houston ishte mbyllur nga SHBA-ja, me akuzë se është përdorur si vend për spiunim.

Tensionet mes dy shteteve janë rritur në kohët e fundit për një sërë çështjesh.