Ish-nënpresidenti amerikan dhe njëri prej kandidatëve kryesorë për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, po shpreson ta forcojë pozitën si udhëheqës i garës brenda Partisë Demokratike të martën, kur miliona votues në gjashtë shtete do t’i hedhin votat për të zgjedhurin e tyre.
Për kandidatin tjetër, Bernie Sanders, i cili tash për tash ndodhet i dyti në garë, zgjedhjet në Michigan, Washington, Missouri, Mississippi, Idaho dhe Dakotë Veriore do të jenë test shumë i rëndësishëm për kthimin e shkëlqimit, të cilin ia mori ish-zëvendësi i Obamas pas fitoreve të javës së kaluar.
Bernie Sanders tha se është shumë e rëndësishme për të që të fitojë në Michigan. “Michigani është shteti më i rëndësishëm në zgjedhjet e së martës”, tha ai.
Sidoqoftë, sipas një analize të faqes “FiveThirtyEight”, Joe Biden është duke e udhëhequr garën në pesë shtete ku do të ketë zgjedhje sot, ndërsa Bernie Sanders është favorit vetëm në Washington, ku kishte fituar në vitin 2016.