Botë

Si e vodhën mercenarët rusë arin nga Sudani

Luftëtarët e “Wagnerit” kanë raportuar gjerësisht se kanë qenë në Republikën Qendrore të Afrikës(RQE) për disa vjet, duke ruajtur minierat e diamanteve të vendit, si dhe në Libi dhe Mali. Në Mali, Qeveria i është drejtuar “Wagnerit” për të ndihmuar në luftimin e militantëve islamikë, megjithëse nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht praninë e grupit. Human Rights Watch (HRW) ka akuzuar mercenarët rusë për abuzime të rënda, si në RQE ashtu edhe në Mali, duke përfshirë torturat dhe vrasjet

Forca mercenare ruse “Wagner” akuzohet se ka lidhje të ndryshme tregtare dhe ushtarake me Sudanin, por grupi mohon çdo përfshirje në konfliktin aktual në vend.

Themeluesi i saj, Yevgeny Prighozin - i cili ka lidhje të ngushta me presidentin Vladimir Putin - ka thënë se "asnjë luftëtar i vetëm ‘Wagner PMC’ (kompani ushtarake private) nuk ka qenë i pranishëm në Sudan" për më shumë se dy vjet.

BBC-ja nuk ka gjetur asnjë provë që mercenarët rusë janë aktualisht brenda vendit. Por ka prova të aktiviteteve të mëparshme të “Wagnerit” në Sudan dhe operacionet e Prighozinit në vend janë shënjestruar nga sanksionet e SHBA-së dhe BE-së.

Image

Marrëveshjet për nxjerrjen e arit

Në vitin 2017, presidenti i atëhershëm i Sudanit, Omar al-Bashir, nënshkroi një sërë marrëveshjesh me Qeverinë ruse gjatë një vizite në Moskë.

Këto përfshinin një marrëveshje për Rusinë për të ngritur një bazë detare në Portin e Sudanit në Detin e Kuq, si dhe "marrëveshje koncesionare për nxjerrjen e arit midis kompanisë ruse ‘M Invest’ dhe Ministrisë sudaneze të Mineraleve".

Thesari i SHBA-së pretendon se “M Invest” dhe një grup filial, “Meroe Gold”, janë fronte për aktivitetet e grupit “Wagner” në Sudan, prodhuesi i tretë më i madh i arit në Afrikë.

"Yevgeniy Prigozhin dhe rrjeti i tij janë duke shfrytëzuar burimet natyrore të Sudanit për përfitime personale dhe duke përhapur ndikim keqdashës në mbarë globin", tha sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin në vitin 2020.

Si “M Invest” ashtu edhe “Meroe” janë shënjestruar në mënyrë specifike nga sanksionet e SHBA-së.

Sipas një hetimi nga CNN-i, ari është transportuar nga toka në Republikën e Afrikës Qendrore, ku “Wagneri” dihet se operon - eksportet nuk janë regjistruar në të dhënat zyrtare të tregtisë sudaneze.

Sasi të konsiderueshme ari janë kontrabanduar gjithashtu përmes një rrjeti aeroportesh ushtarake, sipas një raporti të vitit të kaluar në “Daily Telegraph”.

Çfarë ka bërë tjetër “Wagner” në Sudan?

Që nga viti 2017, burime ruse dhe ato ndërkombëtare kanë publikuar imazhe që duket se lokalizojnë mercenarët rusë brenda Sudanit.

Thuhet se këto i tregojnë ata duke vepruar në role të ndryshme, duke përfshirë trajnimin e ushtarëve sudanezë ose gjoja duke ndihmuar forcat e sigurisë për të shtypur protestat. BBC-ja nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur këto imazhe.

Në vitin 2021, një kanal Telegrami i lidhur me “Wagnerin” publikoi imazhe që shfaqnin një komandant të paidentifikuar të lartë të “Wagnerit” që u jepte ushtarëve sudanezë trofe në një ceremoni të mbajtur dy vjet më parë.

Dhe në korrik të vitit 2022, ky kanal shpërndau një video që gjoja tregonte mercenarët e “Wagnerit” duke kryer ushtrime uljeje me parashutë për forcat sudaneze.

I njëjti burim lidhet me profilin e Instagramit të një mercenari anonim rus, duke e quajtur veten "funksionar të lirë" dhe duke ndarë histori për bëmat e tij në Sudan në postimet nga gushti dhe tetori i vitit 2021.

Në një film aksion propagandistik të Wagnerit të vitit 2020, Sudani u shfaq si një nga vendet ku veprojnë mercenarët.

Sa ka pasur ndikim “Wagneri”?

Thesari i SHBA-së thotë se grupi “Wagner” ka kryer "operacione paraushtarake, mbështetje për ruajtjen e regjimeve autoritare dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore".

“Fillimisht, në vitin 2018, ata kishin rreth 100 burra që trajnonin në mënyrë aktive forcat ushtarake sudaneze dhe marrëdhënia është rritur prej andej”, thotë dr. Joana de Deus Pereira e Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Raportet e mediave sudaneze thonë se shifra u rrit në rreth 500, dhe ata ishin vendosur kryesisht në jugperëndim pranë Um Dafuqit, afër kufirit të Sudanit me Republikën Qendrore të Afrikës (CAR).

“Sudan Tribune” raportoi se kur presidenti Bashir u përball me protesta popullore në vitin 2019, "luftëtarët rusë" u vendosën për të vëzhguar protestat antiqeveritare së bashku me shërbimet sudaneze të inteligjencës dhe sigurisë, megjithëse kjo u mohua nga autoritetet sudaneze.

Image

Ndërrimi i roleve

Grupi “Wagner” krijoi fushatat e veta mediatike për të ndihmuar presidentin Bashir të qëndrojë në pushtet, thotë dr. Samuel Ramani, autor i një libri për aktivitetet e Rusisë në Afrikë.

"Prigozhini po bënte thirrje që... protestuesit të akuzoheshin si proizraelitë dhe antiislamikë", thotë ai.

Kjo shkaktoi fërkime me forcat e sigurisë së presidentit, dhe kështu “Wagner” e zhvendosi mbështetjen tek njeriu që e rrëzoi atë - gjenerali Abdel Fattah al-Burhan.

“Ndërsa Ministria e Jashtme në Moskë ishte kundër grusht shtetit, Prigozhini dhe grupi ‘Wagner’ në fakt mirëpritën fuqizimin e Al-Burhanit”, thotë dr. Ramani.

Sipas dr. Ramanit, ishin vitet 2021 dhe 2022 kur grupi “Wagner” rriti lidhjet e tij me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), e cila aktualisht po lufton ushtrinë e rregullt të Sudanit, të udhëhequr nga gjenerali Burhan.

Prigozhini ishte i interesuar të merrte më shumë ar përmes minierave të blera së fundmi nga lideri i RSF-së, Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur gjerësisht si Hemedti.

Vitin e kaluar, Hemedti vizitoi Moskën, duke thënë se shpresonte të forconte lidhjet midis Sudanit dhe Rusisë.

Megjithatë, Kholood Khair e Confluence Advisory, një institut kërkimor mbi çështjet sudaneze, besojnë se grupi “Wagner” nuk po i zgjedh palët në konfliktin aktual.

"’Wagner’ ka pasur lidhje me ndërmarrjet e gjeneralit Al-Burhan dhe me ndërmarrjet e Hemedtit në përmasa dhe mënyra të ndryshme", thotë ajo.

Prania e “Wagnerit” në Afrikë

Luftëtarët e “Wagnerit” kanë raportuar gjerësisht se kanë qenë në Republikën Qendrore të Afrikës (RQE) për disa vjet, duke ruajtur minierat e diamanteve të vendit, si dhe në Libi dhe Mali.

Një hetim i BBC-së në vitin 2021 gjeti prova të përfshirjes së tyre në luftën civile të Libisë, nga një pajisje digjitale e lënë pas nga një luftëtar i “Wagnerit” dhe nga bisedat me ushtarët dhe civilët libianë.

Në Mali, Qeveria i është drejtuar “Wagnerit” për të ndihmuar në luftimin e militantëve islamikë, megjithëse nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht praninë e grupit.

Human Rights Watch (HRW) ka akuzuar mercenarët rusë për abuzime të rënda, si në Republikën Qendrore të Afrikës ashtu edhe në Mali, duke përfshirë torturat dhe vrasjet.

Përktheu: Forca Jashari