Azerbajxhani ka vendosur të mbajë të mbyllur kufijtë tokësorë deri më 1 janar 2026, duke zgjatur masën e cila hyri në fuqi për herë të parë në pranverën e vitit 2020 për të frenuar përhapjen e COVID-19. Mbetet vendi i vetëm në botë që ende mban kufijtë e mbyllur shkaku i pandemisë.
Dekreti, i nënshkruar më 22 shtator nga kryeministri Ali Asadov, zgjat të ashtuquajturin “regjim special karantine”, i cili ka qenë në fuqi për më shumë se pesë vjet. Megjithëse shumica e kufizimeve shëndetësore u hoqën në mars të vitit 2023 - duke lejuar udhëtimin ajror pa certifikata mjekësore ose teste negative - hyrja dhe dalja tokësore mbetet e ndaluar përveç rasteve të jashtëzakonshme, siç është transporti i autorizuar i mallrave.
Fillimisht ishte planifikuar që kufijtë tokësorë të hapen më 1 tetor (sot), por u shty edhe për tre muaj.
Qeveria në Baku kohët e fundit thjeshtoi procedurat e vizave për tifozët dhe stafin që morën pjesë në garën e Formula 1, që u fitua nga Max Verstappen më 21 shtator. Të huajt që dëshironin ta shihnin garën, duhej medoemos të vinin me aeroplan.
Autoritetet e justifikojnë politikën kufitare si të nevojshme për të “parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe pasojat e tij të mundshme negative”, sipas “VisaNews”. Megjithatë, në një kontekst global ku pothuajse të gjitha shtetet kanë braktisur kufizimet e pandemisë, vendimi vetëm sa përforcon imazhin e Azerbajxhanit si një rast unik i izolimit të zgjatur.
Ky qëndrim hermetik është formësuar pjesërisht nga konfliktet e armatosura të ndërprera të vendit, veçanërisht në Republikën e Artsakut. Për një arsye ose një tjetër, mbyllja e promovuar nga Baku vazhdon - edhe nëse tani shërben më shumë si një simbol sigurie sesa një masë e shëndetit publik.