Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shpërndahet Parlamenti kroat, hapet rruga për zgjedhje të reja

Parlamenti kroat është shpërndarë të enjten për t’i hapur rrugë zgjedhjeve parlamentare këtë vit, raportoi “Euronews”.

Siç raportohet, 143 nga 151 ligjvënës e kanë mbështetur vendimin.

Kryeministri Andrej Plenkoviq ka thënë se zgjedhjet mund të mbahen para votimit për Parlamentin Evropian, i cili zhvillohet më 6-9 qershor, por ende nuk është caktuar data.

Vendimi për ta shpërndarë parlamentin është marrë në kohën kur Plenkoviqi dhe partia e tij konservatore Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) po përballen me akuza në rritje nga opozita për korrupsion të nivelit të lartë.

Muajin e kaluar, mijëra protestues u mblodhën në kryeqytetin e Kroacisë për të protestuar kundër qeverisë dhe për të kërkuar që zgjedhjet parlamentare të këtij viti të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur.

Kryeministri ka mohuar çdo shkelje.

Edhe Kroacia voton mes presidentit dhe kryeministrit Rajon Kroacia voton mes presidentit dhe kryeministrit

Plenkoviqi pritet të sfidohet nga një grup partish qendrore dhe me prirje të majtë që kanë njoftuar tashmë se do të kandidojnë në koalicion. Partia e kryeministrit ka mbajtur pushtetin që kur Kroacia fitoi pavarësinë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991.

Kroacia është planifikuar gjithashtu të mbajë zgjedhje presidenciale deri në fund të vitit.

Vendi me rreth 3.8 milionë banorë mbetet një nga ekonomitë më të varfra në Bashkimin Evropian, duke mbijetuar kryesisht nga turizmi përgjatë bregdetit të tij të Detit Adriatik.