Botë

Shpëlarja e parave: Pasuesi i mundshëm i Merkelit përgjigjet rreth hetimeve

“E shfrytëzova mundësinë për të shpjeguar përsëri se tre vjetët e fundit ishin mbase më të mirët për pozicionimin e autoriteteve tona në aspektin e luftës kundër shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit”, ka thënë Olaf Scholz para gazetarëve. “Kemi arritur më shumë gjatë tre vjetëve të fundit, sesa në të gjithë 30 vjetët paraprakë”

Ministri i Financave, Olaf Scholz, pretenduesi kryesor për zgjedhjet e Gjermanisë, ka dalë të hënën para ligjvënësve, një javë para votimeve, për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me hetimet e ndërmarra nga njësiti qeveritar kundër shpëlarjes së parave që rezultuan me bastisje policore në ministrinë e tij.

Scholz dhe zyrtarët e Partisë së tij Socialdemokrate kanë ngritur pikëpyetje lidhur me domosdoshmërinë dhe motivimin e bastisjeve të 9 shtatorit në ministrinë e tij dhe atë të Drejtësisë, e cila udhëhiqet gjithashtu nga partia e tij e qendrës së majtë.

Blloku i qendrës së djathtë i kancelares gjermane në largim, Angela Merkel, ka shfrytëzuar bastisjet dhe reagimin e Scholzit për ta sulmuar kandidatin.

Partitë opozitare kanë kërkuar një takim të veçantë të Komitetit parlamentar për Financa me qëllim që të diskutohet çështja. Pas kritikave rreth raporteve se ai mbase do të dëshmojë vetëm me anë të një videolidhjeje, Scholzi është paraqitur fizikisht në dëgjim porse ai ende pritet që t’i realizojë dy nga tri paraqitjet e planifikuara për fushatë zgjedhore në jugperëndim të Gjermanisë.

Hetuesit janë vënë në kërkim të pengimit të dyshuar të hetimeve nga nëpunës të paidentifikuar të Njësitit për Inteligjencë Financiare (FIU), një njësit ky i shërbimit doganor të Gjermanisë. Ata kanë thënë se i kanë nisur hetimet që nga viti i shkuar shkaku i indikacioneve se të dhënat e FIU-së për shpëlarje të mundshme parash nga bankat nuk u janë ndarë policisë apo autoriteteve gjyqësore.

Ministria e Financave e mbikëqyr këtë njësit dhe pretendon se dyshimi për keqbërje nuk është i drejtuar kundër vetë nëpunësve të saj. Ministria ka bërë të ditur se Scholzi ka fuqizuar FIU-në qëkur është emëruar në krye të saj më 2018 dhe se shefi i saj është zëvendësuar po atë vit.

Pas asaj që e quajti takim “tejet energjik”, Scholz ka mbrojtur fuqimisht punën e tij.

“E shfrytëzova mundësinë për të shpjeguar përsëri se tre vjetët e fundit ishin mbase më të mirët për pozicionimin e autoriteteve tona në aspektin e luftës kundër shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit”, ka thënë ai para gazetarëve. “Kemi arritur më shumë gjatë tre vjetëve të fundit, sesa në të gjithë 30 vjetët paraprakë”.

Kundërshtarët e tij kanë aluduar në çështje të tjera që kanë ndodhur nën vrojtimin e tij. Marrja në pyetje e Scholzit ka ndodhur në mëngjesin pas debatit të tretë dhe të fundit televiziv mes tij dhe dy kandidatëve të tjerë për kancelar, Armin Laschet i Unionit CDU\CSU dhe Annalena Baerbock e Partisë së Gjelbër.

Të tre kandidatët e partive më të mëdha gjermane janë përplasur për taksat dhe çështje të tjera në debat.

Scholz po prin në anketime, kundrejt kristiandemokratit Laschet.

Anketimet sugjerojnë se Lascheti duhet të shënojë ngritje të theksuar për të përmbytur rezultatin e parashikuar. Ndërkaq ai në debat ka sulmuar planet e Scholzit për pagën minimale prej 12 eurosh dhe për ngritje taksash. I ka cilësuar këto plane si të gabuara.

Në anën tjetër, kandidatja e të Gjelbërve, e cila pritet që të dalë e treta në zgjedhjet e së dielës, ka bërë thirrje për ndryshime të politikave sociale me qëllim që të reduktohet varfëria e fëmijëve. Ka kërkuar gjithashtu që të mendohet për burime alternative të energjisë elektrike që të hiqet dorë prej thëngjillit.