Një kamion pickup i vozitur nga një person që besohet të ketë qenë “shumë i dehur” ka hyrë në një turmë spektatorësh që po e shikonin paradën kryesore “Mardi Gras” në New Orleans të shtunën, duke dërguar më shumë se 20 persona në spital, ka bërë të ditur policia.
Kamioni, që po ecte përgjatë rrugës së hapur për komunikacion përgjatë shtegut të paradës, goditi tri vetura tjera, përfshi një kamion bërlloku, para se të godiste turmën e njerëzve që kishin dalë të shikonin paradën, ka thënë policia e New Orleans, raporton Reuters.
Pesë persona janë trajtuar në qendra spitalore traumatike, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Policia e ka kapur shoferin, i cili sipas dëshmitarëve të intervistuar nga televizioni Fox dukej i shprishur, i shpërqendruar dhe nën ndikim të drogave apo alkoolit, transmeton Koha.net.
Kryetari i New Orleansit, Mitch Landrieu, përmes një deklarate, i është referuar të dyshuarit si “shofer i dehur”.
Pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes tregojnë një rrëmujë menjëherë pas incidentit, por parada ka vazhduar e pa penguar.
Në total, 28 persona janë lënduar, 21 prej të cilëve janë dërguar nëpër spitalet lokale, përfshi edhe një polic. Shtatë të tjerë që u lënduan, nuk pranuan të transportoheshin, ka thënë shefi i policisë, Michael Harrison, përmes një konference për media.
Mediat lokale kanë thënë se 12 persona dyshohet të jenë lënduar rëndë.
Harrison tha se i dyshuari është duke u marrë në pyetje në stacion të policisë.