Botë

Shkon në mbi 230 numri i të vrarëve nga sulmi në një xhami në Egjipt

Është rritur numri i të vrarëve nga sulmi me armë zjarri në një xhami në Egjipt.

Reuters raporton se numri i të vrarëve ka shkuar në 230 në Sinai, që është një nga sulmet më të mëdha në historinë e Egjiptit modern, transmeton Koha.net.

Gjatë ditës së sotme militantët raportohet se kanë shpërthyer një bombë dhe kanë shtënë me armë zjarri në një xhami pas faljes së namazit të xhumasë.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë menjëherë, por që nga viti 2013 forcat e sigurisë egjiptiane kanë luftuar një degë të fortë të Shtetit Islamik, në rajonin kryesisht të shkretëtirës, dhe militantët kanë vrarë qindra policë dhe ushtarë.

Media shtetërore kanë publikuar imazhe të viktimave të gjakosura dhe trupave të tyre të mbuluara në batanije brenda xhamisë Al Rawdah në Bir al-Abed, në perëndim të El Arish, qytetit kryesor në Sinai të Veriut.

Rreth 40 persona të armatosur ishin pozicionuar jashtë xhamisë me xhipa dhe hapën zjarr nga drejtime të ndryshme, përderisa njerëzit u përpoqën të shpëtonin.

Zyra e prokurorëve publik përmes një deklarate ka thënë se 235 persona ishin vrarë gjatë këtij sulmi dhe 109 të tjerë janë plagosur.