Një refren i zakonshëm i shkencëtarëve është se duan të qëndrojnë të lidhur me komunitetin e tyre studiues, i cili siguron një copëz normaliteti në mes të kaosit dhe dhunës dhe “të mbajnë gjallë dritën e shkencës dhe shkencave humane ukrainase”
Anton Vlaschenko shpesh dëgjon bombardimet jashtë zyrës së tij në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkivin. Zyra e tij nuk është fort larg nga fushëbeteja. Shpesh sheh edhe tymin që ngrihet nga tanket ruse të goditura me raketa.
Mirëpo zoologu 40-vjeçar vazhdon punën, duke hulumtuar dhe etiketuar indet e lakuriqëve të natës, teksa studion ekologjinë e sëmundjes së gjitarëve fluturues. Kur ngarkohet me lajmet e shumta të luftës, thotë ai, rrok diçka nëpër duar që të heqë vëmendjen. Punën e sheh si akt kundërshtimi ndaj pushtimit të Ukrainës.
“Qëndrimi ynë në Ukrainë, vazhdimi ynë i punës – është një lloj rezistence ndaj pushtimit rus”, thotë Vlaschenko, teksa prapa tij dëgjohet breshëria e granatimeve. “Njerëzit të bashkuar në Ukrainë janë gati të luftojnë, jo vetëm me armë. Nuk duam të humbasim vendin tonë”.
Vendosmëria e tij nuk është e veçantë. Ashtu si ukrainasit e tjerë, puna e të cilëve nuk është thelbësore në përpjekjet e luftës, shkencëtarët dhe akademikët duan të vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme ku të munden.
Një refren i zakonshëm i shkencëtarëve është se duan të qëndrojnë të lidhur me komunitetin e tyre studiues, i cili siguron një copëz normaliteti në mes të kaosit dhe dhunës, dhe “të mbajnë gjallë dritën e shkencës dhe shkencave humane ukrainase”, thotë Yevheniia Polishchuk, e cila jep mësim në Universitetin Shtetëror për Ekonomi në Kiev.
Largimi i trurit
Si nënkryetare e Këshillit të Shkencëtarëve të Rinj në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Ukrainës, Polishchuk, organizoi anketën online të akademikëve për të vlerësuar situatën dhe nevojat e tyre pas pushtimit të 24 shkurtit. Rreth 4 mijë deri në 6 mijë studiues janë larguar nga Ukraina deri në fillim të muajit prill – kryesisht gra me familje, mirëpo 100 mijë njerëz qëndruan në Kharkiv.
Shumica e të ikurve përfunduan në Poloni dhe gjetkë në Evropën Lindore, duke marrë pozicione të përkohshme në institucionet evropiane. Disa shkencëtarë kanë marrë grante nga Akademia Polake e Shkencave, Akademia Kombëtare e Shkencave e SHBA-së dhe organizata të tjera. Polishchuk, tani në Krakov me fëmijët dhe burrin e saj, është profesoreshë vizitore në universitet për maj dhe qershor, por thotë se shpreson të kthehet në Kiev kur të ndalojnë luftimet.
“Ne nuk duam që lufta të rezultojë me largimin e trurit nga Ukraina”, thotë ajo.
Ndihma ndërkombëtare
Teksa studiuesit ukrainas po u bëjnë thirrje organeve shkencore ndërkombëtare për ndihmë - duke përfshirë mundësitë e punës në distancë dhe qasjen nëpër revista, grupe të dhënash, arkiva dhe materiale të tjera - ekziston gjithashtu vullneti për të parandaluar që lufta të shkatërrojë përgjithmonë talentin dhe vrullin nga radhët akademike dhe profesionale të vendi, të cilat do të nevojiten për rindërtim pas përfundimit të luftës.
“Shumica e studiuesve tanë nuk duan të largohen përgjithmonë jashtë vendit; ata duan të qëndrojnë në Ukrainë”, thotë Polishchuk.
Menjëherë pas fillimit të luftës, Ivan Slyusarev, astronom 34-vjeçar, ndihmoi drejtorin e Observatorit të Universitetit Kombëtar të Kharkivit të zhvendoste kompjuterët, monitorët dhe materialet e tjera në bodrum. Në të njëjtën ndërtesë ishin ruajtur pajisje dhe objekte historike kur forcat naziste pushtuan qytetin gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Teleskopi kryesor i observatorit ndodhet në territorin e pushtuar nga Rusia, rreth 70 kilometra larg Kharkiv në rrugën për në Donetsk. Slyusarev thotë se nuk e di gjendjen e teleskopit, por mendon se forcat ukrainase hodhën në erë një urë aty pranë për të ndaluar avancimin e ushtrisë ruse.
Ai po mbështetet te shkencëtarët jashtë Ukrainës për të vazhduar punën e tij. Astronomët në Republikën Çeke i kanë dërguar atij të dhëna vëzhgimi nga teleskopi i tyre, në mënyrë që të mund të vazhdojë të analizojë vetitë e asteroideve metalike. Ai gjithashtu mund të shohë të dhëna nga një teleskop i vogël robotik në Ishujt Kanarie të Spanjës. Ai operon kryesisht nga zyra në shtëpinë e tij në periferi të Kharkivit.
Slyusarev, i cili thotë se u bë astronom për shkak të ideve “romantike” për yjet, gjen strehë në zbulimet shkencore. Astronomia “prodhon vetëm lajme pozitive” dhe është pushim i mirëpritur nga jeta e përditshme, thotë ai.
“Është shumë e rëndësishme në kohë lufte”, shton Slyusarev.
Pas fillimit të luftës, fizikani dhe astronomi teorik, Oleksiy Golubov, u largua nga Kharkivi për t'u bashkuar me prindërit e tij në Batkiv, fshat në Ukrainën perëndimore.
Pa infrastrukturë
Megjithëse ndërtesat e Institutit të Fizikës dhe Teknologjisë në Kharkiv u "bombarduan, granatuan dhe u shkatërruan praktikisht”, thotë Golubov, shkolla vazhdon të ofrojë disa klasa në distancë. Ka mbajtur kontakte me studentët në internet - në Kharkiv, në Ukrainën perëndimore dhe në Poloni e Gjermani.
Shkencëtari 36-vjeçar është gjithashtu koordinator dhe trajner për studentët ukrainas që përgatiten të garojnë në Turneun Ndërkombëtar të Fizikanëve, konkurs për trajtimin e problemeve të pazgjidhura të fizikës që po mbahet në Kolumbi këtë muaj. Studentët, të cilët ishin trajnuar në internet, u takuan këtë javë në Lviv për herë të parë – pas udhëtimeve të vonuara me tren shkaku i luftës.
“Ne ende duam të marrim pjesë dhe të dëshmojmë se edhe shqetësimet si lufta nuk mund të na pengojnë të bëjmë shkencë të mirë dhe të kemi arsim të mirë”, thotë ai.
Golubov, i cili u refuzua të bashkohej me ushtrinë për shkak të dorës së paralizuar, dorëzoi një punim në mars në revistën “Astronomy and Astrophysics” dhe shkroi në mirënjohje: “Ne u jemi mirënjohës ukrainasve që po luftojnë për të ndaluar luftën me qëllim që ne të përfundojmë rishikimin e këtij artikulli”.
Disa studiues, si Ivan Patrilyak, dekan i Departamentit të historisë në Universitetin Kombëtar Taras Shevchenko të Kievit, janë regjistruar. Tetëmbëdhjetë muaj më parë, ishte duke pritur një seri folësish mbi trashëgiminë e Luftës së Dytë Botërore dhe duke mbajtur leksione për Holokaustin. Tani, është me një njësi të mbrojtjes territoriale në Kiev.
Igor Lyman, historian në Universitetin Shtetëror Pedagogjik në Berdyansk, iu desh të ikte kur forcat ruse pushtuan qytetin port në fillim të luftës. Para se të largohej, kishte parë trupat të hynin në konvikte për të marrë në pyetje studentët dhe për të urdhëruar administratorët të jepnin mësim në rusisht, në vend të gjuhës ukrainase, dhe të përdornin kurrikulën e miratuar nga Moska. Ai thotë se drejtorët “refuzuan dhe dhanë dorëheqje”.
Më vonë ai u vendos në një kamp për personat e zhvendosur brenda në Universitetin Kombëtar Chernivtsi, duke jetuar në konvikt me akademikë nga Kievi, Kharkivi, Chernihivi, Khersoni dhe qytete të tjera.
“Secila prej këtyre familjeve ka historinë e vet të tmerrshme të luftës”, shkroi ai në një email. “Dhe të gjithë, si unë, ëndërrojnë fitoren tonë dhe kthimin në shtëpi”.
Ai thotë se forcat ruse “po bëjnë gjithçka që munden për të imponuar propagandën e tyre”.
Vlaschenko, zoologu i Kharkivit, donte të mbronte 20 lakuriq nate nga granatimet, kështu që i çoi në shtëpinë e tij, një orë larg vendit të punës. Gjithashtu ndihmoi në ruajtjen e kërkimeve të tij të vlefshme, të cilat nuk mund të zëvendësoheshin lehtë, edhe nëse ndërtesat dhe laboratorët mund të rindërtoheshin pas luftës.
“Të gjithë njerëzit që vendosën të qëndronin në Kharkiv ranë dakord të luanin këtë lotari të rrezikshme dhe potencialisht vdekjeprurëse”, thotë ai, “sepse nuk e dini se në cilat zona do të godiste një raketë apo predhë e re”.
Teksa përpiqet të regjistrojë të dhëna dhe të ruajë mostrat e tij të rralla, ai e sheh atë si pjesë të misionit të tij – “jo vetëm për ne, por edhe për shkencën në përgjithësi”.