Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shitja private e vaksinave e përçan Pakistanin e varfër

Kritikët i kanë sulmuar shitjet e tilla private në Pakistan dhe tërë botën, duke thënë se po i vënë vaksinat në dispozicion vetëm për të pasurit. Por, në Pakistan – si kudo tjetër – furnizimi i kufizuar i ka penguar këto përpjekje

Islamabad, Pakistan – Koronavirusi po përshkonte Pakistanin dhe Muhamed Nasir Chaudhry ishte i shqetësuar. Radhët e gjata dhe furnizimet e kufizuara dëmtuan fushatën e vaksinimit falas nga qeveria. Gazetat ishin mbushur me raporte të njerëzve që kishin lidhje të forta dhe kapërcenin radhët e pritjes për një dozë falas.

Më pas, Chaudhry, këshilltar qeveritar 35-vjeçar, zbuloi se mund të paguante për t’i kapërcyer radhët e gjata vetë. U regjistrua për t’i marrë dy doza të vaksinës “Sputnik V” të prodhuar nga Rusia për rreth 80 dollarë nga një spital privat. Kjo është shumë e madhe parash në një vend ku paga mesatare është 110 dollarë, por Chaudhry ishte i gatshëm të paguante.

Kritikët i kanë sulmuar shitjet e tilla private në Pakistan dhe tërë botën, duke thënë se po i vënë vaksinat në dispozicion vetëm për të pasurit. Por, në Pakistan, si kudo tjetër, furnizimi i kufizuar i ka penguar këto përpjekje. Spitalet private nuk janë të furnizuara dhe Chaudhry ende nuk është vaksinuar.

Pabarazia e madhe

“Jam i gatshëm ta paguaj dyfishin e çmimit, por nuk dua të pres vazhdimisht”, ka thënë Chaudhry.

Edhe Trafikantët e veshkave mashtrojnë punëtorët e varfër në Pakistan Botë 4 muaj më parë Trafikantët e veshkave mashtrojnë punëtorët e varfër në Pakistan

Qasja në vaksinën kundër koronavirusit e ka vënë në pah pabarazinë globale. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të pasura kanë blerë shumicën e vaksinave në botë për t’i mbrojtur njerëzit e tyre, duke lënë miliona doza të grumbulluara dhe në disa vende të papërdorura. Vendet më pak të zhvilluara kacafyten për atë çka ka mbetur.

Për ta përshpejtuar vaksinimin, disa vende kanë lejuar që dozat të shiten në mënyrë private. Por, këto nisma janë trazuar nga problemet me furnizim dhe nga ankesat që ato thjesht pasqyrojnë pabarazitë globale.

“Shembulli pakistanez është një mikrokozmos i asaj se çfarë ka shkuar keq me reagimin global – ku vetëm pasuria kryesisht ka krijuar qasje”, ka thënë përmes e-mailit Zain Rizvi, ekspert i qasjes në ilaçe në grupin avokues “Public Citizen”, Washington DC.

India ua shet vaksinat spitaleve private, ndonëse po përpiqet të furnizohet tani që situata me pandemi është goxha serioze. Kenia autorizoi shitjet private, pastaj i bllokoi nga frika se do të shiteshin vaksina të falsifikuara. Në Shtetet e Bashkuara, disa kompani me lidhje të forta, si “Bloomberg”, kanë siguruar doza për punonjësit.

Pakistani thotë se programi privat mund të vërë në dispozicion më shumë vaksina falas për njerëzit me të ardhura të ulëta. Duke blerë doza të vaksinës së prodhuar nga Rusia, Sputnik V, të pasurit e vendit nuk do të kishin nevojë të merrnin doza falas, të cilat bëhen nga “Sinopharm” në Kinë. Disa njerëz do të parapëlqenin të vaksinoheshin në spitale private, sepse besohet se janë relativisht më mirë të organizuara dhe më efikase sesa spitalet e mbingarkuara shtetërore.

Qeveria nuk ka menduar për vuajtjet e të varfërve

Nevoja për t’u vaksinuar në Pakistan po rritet. Shteti me gati 220 milionë njerëz po raporton më shumë se 2,500 infeksione të reja në ditë, por shkalla e ulët e testimit sugjeron që ka shumë më tepër raste të pazbuluara. Qeveria i ka ashpërsuar masat dhe i ka kufizuar tubimet publike. Por, programi i vaksinimit nga qeveria ka qenë i ngadaltë. Vaksinat për personat mbi 40 vjeç kanë filluar të jepen këtë muaj. Të rinjtë ka mundësi se do të duhet të presin disa muaj.

Edhe “Vaksina” e HIV-it do të arrijë vetëm te 7 për qind e njerëzve që kanë nevojë për të Lifestyle 7 muaj më parë “Vaksina” e HIV-it do të arrijë vetëm te 7 për qind e njerëzve që kanë nevojë për të

Fajtor është furnizimi i kufizuar global, ka thënë Chaudhry Fawad Hussain, ministri Informacionit në Pakistan. Përveç vaksinave “Sputnik” dhe “Sinopharm”, Pakistani në fillim të këtij muaji pranoi 1.3 milionë doza të vaksinës “AstraZeneca” nga “Covax”, organi ndërkombëtar që promovon vaksinimet, dhe pritet të marrë 3.5 milionë doza të vaksinës Sinovac nga Kina në fund të majit.

Shitjet private nisën një debat të nxehtë në një vend ku ekonomia ka ngecur nga pandemia dhe nga problemet që datojnë qe një kohë të gjatë, siç janë mungesa e investimeve të huaja dhe borxhet e mëdha të qeverisë. Kritikët thonë se vendimi do t’i thellojë ndarjet brenda vendit, ku një pjesë e madhe e shoqërisë jeton në varfëri të skajshme.

“Qeveria nuk ka menduar për vuajtjet e të varfërve, gjersa lejoi importuesit që t’i shesin vaksinat”, ka thënë Dr. Mirza Ali Azhar, udhëheqës i Shoqatës Mjekësore të Pakistanit, organi profesional mjekësor i vendit. “Politikat e tilla diskriminuese do ta rrisin ndjenjën e privimit në mesin e të rinjve të varfër, veçanërisht ata me sistem të dobët imunitar”.

Chaudhry, ministri i Informacionit, minimizoi problemin e çmimit, duke thënë se vaksinat private gjithsesi nuk mund t'u përgjigjen nevojave të publikut.

Nisma ka hasur në një problem tjetër: Spitalet nuk mund të gjejnë vaksina për të blerë. Kërkesa ka qenë e madhe. Qeveria ka vendosur një çmim maksimal, por është bllokuar në një mosmarrëveshje me importuesit privatë se sa duhet të jetë ai.

Në prill, në qytetin e Karachit, u krijuan radhë të gjata të pritjes, kur dy spitale private filluan ta shesin vaksinën “Sputnik V”. Spitalet private në kryeqytetin Islamabad dhe Lahore u përballën me një turmë të ngjashme të njerëzve dhe u harxhuan brenda pak ditësh.

“Sputnik V” nuk është vaksina e vetme që qeveria ka lejuar të shitet në spitale private. Një vaksinë njëdozëshe e krijuar nga “CanSino Biologics” në Kinë kushton rreth 28 dollarë. Kërkesa ka qenë më e dobët për shkak të besimit më të madh të publikut te vaksina ruse. Megjithëkëtë, vaksinat u shitën shpejt pas një muaji qëkur kishin dalë në shitje. Qeveria ka thënë se edhe 13.2 milionë doza të tjera do të mbërrijnë në qershor.

Edhe Si po e anashkalojnë rusët perden digjitale të hekurt të Putinit? Botë 1 muaj më parë Si po e anashkalojnë rusët perden digjitale të hekurt të Putinit?

“AGP Limited”, kompani private farmaceutike që ka importuar 50.000 doza të “Sputnikut”, po kërkon që njerëzit të kenë durim.

“Sputnik V është pranuar shumë mirë në Pakistan, pasi mijëra njerëz janë vaksinuar për pak ditë dhe numri i regjistrimeve është i lartë në spitalet në tërë Pakistanin”, ka thënë Umair Mukhtar, zyrtar i lartë i “AGP Limited”. Kjo kompani ka porositur edhe disa doza.