Botë

Sherri i përplasjeve ndërmjet fesë dhe ideologjisë

Skautët amerikanë marshojnë përgjatë Qytetit të Vjetër të Jerusalemit në të Dielën e pallmës më 2 prill. Lideri Hagop Djemazian ndodhet në anën e majtë (Foto: Al-Jazeera)

Popullsia e krishterë e Jerusalemit është kërcënuar prej vitesh – aktualisht është rreth 10 mijë syresh, ose pak më shumë se një për qind e popullsisë së qytetit, krahasuar me një të katërtën e popullsisë një shekull më parë. Shumë prej tyre janë larguar, duke kërkuar një të ardhme më të sigurt gjetkë, pasi fuqizimi i figurave fetare të ekstremit të djathtë si Ben-Gvir dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, vetëm sa e copëton Jerusalemin dhe i margjinalizon më tej të krishterët. “Feja duhet të falë, duhet të ftojë në paqe, në pajtim, në falje”, shtoi peshkopi ndihmës, William Shomali i Patriarkanës Latine. “Por kur feja bëhet ideologji, kjo është ajo që ndodh: urrejtja

Deklaratat e kishës po bëhen gjithnjë e më të drejtpërdrejta, herë pas here kritike të ashpra ndaj Qeverisë izraelite të kryeministrit Benjamin Netanyahu

"Ajo që ne e quajmë statusquo, ekuilibri midis komuniteteve të ndryshme ... tani nuk respektohet më", deklaroi Pierbattista Pizzaballa, patriarku latin i Jerusalemit.

Popullsia e krishterë e Jerusalemit është kërcënuar prej vitesh – aktualisht është rreth 10 mijë syresh, ose pak më shumë se një për qind e popullsisë së qytetit, krahasuar me një të katërtën e popullsisë një shekull më parë. Shumë prej tyre janë larguar, duke kërkuar një të ardhme më të sigurt gjetkë, pasi fuqizimi i figurave fetare të ekstremit të djathtë si Ben-Gvir dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, vetëm sa e copëton Jerusalemin dhe i margjinalizon më tej të krishterët.

Udhëheqësit e kishës përshkruajnë një situatë ku çështjet fetare po politizohen më shumë, ndërkohë që çështjet politike nxiten më intensivisht nga fanatizmi fetar. "Këta njerëz duan të ndryshojnë konfliktin politik në Jerusalem në një konflikt fetar ku askush nuk është fitues, përveç ekstremistëve", tha peshkopi Younan i Kishës Luterane.

“Feja duhet të falë, duhet të ftojë në paqe, në pajtim, në falje”, shtoi peshkopi ndihmës, William Shomali i Patriarkanës Latine. “Por kur feja bëhet ideologji, kjo është ajo që ndodh: urrejtja”.

Image
Patriarku latin Pizzaballa, në Jerusalem, më 31 mars

“Strategjia fituese e të krishterëve”

Të krishterët kanë emigruar nga Toka e Shenjtë për arsye ekonomike dhe sigurie prej dekadash. Pas valëve të mëdha të emigrimit të shkaktuara nga Nakba e vitit 1948 dhe lufta e vitit 1967, ka pasur një rrjedhje të vazhdueshme të largimit të të krishterëve. Përpjekjet brenda komunitetit për të ruajtur praninë e krishterë në Jerusalem, duke përfshirë pronësinë e kujdesshme të pronave nga kishat dhe të tjerët, e kanë ndihmuar popullsinë e krishterë në Jerusalem të stabilizohet disi.

Por banorët që tashmë përballen me kostot e larta të jetesës pyesin veten nëse duhet të durojnë sulmet verbale dhe fizike për të ruajtur praninë e krishterë apo të emigrojnë.

"Ne jemi më të dobëtit, kështu që ndoshta është një mënyrë për të përshpejtuar emigracionin, për t'u larguar nga vendi", tha Krikoriani, pronari i lokalit, të cilit personalisht "i pëlqen" të jetojë në Qytetin e Vjetër. "Po funksionon. Sinqerisht, po funksionon”.

Image
Patriarku ortodoks grek i Jerusalemit, Theophilosi i Tretë, më 31 mars

Mobilizimi i komunitetit ka qenë i vështirë me atë që mund të jetë një komunitet i fragmentuar i ndarë në 13 kisha. Gabi Hani, 53 vjeç, një jerusalemit i krishterë palestinez, i cili zotëron restorantin “Versavee” pranë Portës së Jaffas në Qytetin e Vjetër, vlerëson rritjen e dukshmërisë dhe deklaratave të udhëheqësve të kishës kohët e fundit, por beson se ende mungon një vizion i qartë.

“Mendoj se jemi pak të humbur”, tha Hani. “Ne nuk kemi një udhëheqës të vetëm për të ofruar një lloj strategjie të unifikuar. Por njerëzit mbrojnë veten dhe vetëm qëndrimi këtu është tashmë strategjia fituese”.

“Labirinti i pafundmë i zgjidhjeve”

Të krishterët palestinezë dhe armenë ndihen të injoruar nga bota dhe për zyrtarët e kishës që angazhohen në arenën diplomatike, përgjigjja shpesh tingëllon e zbrazët. "Vendet e huaja janë të turpshme", tha Shomali i Patriarkanës Latine. “Amerikanët janë më të fortët, sepse ekziston një marrëdhënie e veçantë mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Por Evropa është e turpshme – ata flasin, por pa ushtruar asnjë presion”.

Gjetja e dikujt që të marrë drejtimin për mbrojtjen e të krishterëve mund të jetë e ndërlikuar. Flisni me anëtarët e komunitetit dhe ata do t'u bëjnë thirrje kishave ose shteteve të huaja të ngarkuara me mbrojtjen e vendeve të krishtera - si Belgjika, Franca, Italia, Jordania dhe Spanja - të ndërmarrin më shumë veprime. Flisni me udhëheqësit e kishës dhe ata thonë se nuk mund të bëjnë shumë përtej deklaratave dhe komunikimit të shqetësimeve të tyre të thelluara te shtetet e huaja. Pyetni diplomatët dhe ata thonë se po ndjekin drejtimin e zyrtarëve të kishës – një rreth i përgjegjësisë për t'u drejtuar me gisht që rezulton në pak veprime.

"Ka më shumë vetëdije për çështjet", tha një diplomat në Jerusalem. “Disa njerëz kyç kanë luajtur rol atje në anën e kishës, por nuk ka qenë efektive. Megjithatë, çfarë veprimi diplomatik ka qenë efektiv këtu?”

Çështje të tjera që prekin Jerusalemin dhe rajonin për momentin – duke përfshirë dhunën në xhaminë Al-Aksa dhe ndryshimet gjyqësore të propozuara nga Qeveria izraelite – janë prioritete më të larta për misionet diplomatike. Megjithatë, sipas Daniel Seiderman, kërcënimet ndaj pronës së kishës janë një nga fushat e pakta ku mund të ketë reagime në SHBA, madje edhe nga republikanët kundër përpjekjeve të Izraelit për të judaizuar Jerusalemin.

Por ata që janë të përfshirë në diskutimet diplomatike thonë se dhuna kundër të krishterëve nuk ka gjasa të jetë forca gjallëruese për misionet e huaja.

Njerëzit po bëhen bashkë

Të krishterët në Jerusalem kanë filluar të rrisin angazhimin brenda dhe ndërmjet komuniteteve. Pas incidenteve të dhunshme ndaj komunitetit armen – viktima të një numri joproporcional të sulmeve, sepse lagjja e tyre është ngjitur me lagjen hebraike – ata krijuan një grup në WhatsApp për të paralajmëruar njëri-tjetrin për kërcënimet ose incidentet.

Hagop Djernazian, 23 vjeç, drejton skautët armenë. Ai ka angazhuar grupe skautësh në komunitete të ndryshme, duke organizuar kampe të përbashkëta për herë të parë. Në shenjë solidariteti, ai solli skautët armenë ortodoksë në të dielën e Palmës Katolike të javës së kaluar. Dhjetë grupe skautësh iu bashkuan procesionit, dyfishi i pjesëmarrjes nga viti i kaluar.

“Brezi i ri po rritet me idenë se të krishterët duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në qytet për të mbajtur praninë e krishterë”, tha Djernaziani. “Nëse vazhdojmë të themi se do të punojmë vetëm, do të humbasim në fund”.

Në kontekstin më të gjerë të përpjekjeve të Qeverisë për të judaizuar Jerusalemin, një solidaritet i "të tjerëve" është gjithashtu i përforcuar. “Të krishterët, myslimanët, arabët, armenët – ata na përfshijnë në një paketë”, tha Djernaziani.

Shumë anëtarë dhe udhëheqës të komunitetit si Patriarku Latin, Pizzaballa, presin që dhuna të vazhdojë ose të përkeqësohet në javët në vijim. Disa të krishterë, në mënyrë të pashmangshme, do të largohen. Por përmes presionit, një identitet kolektiv po forcohet - si pjesë e "mozaikut" të gjatë të karakterit multietnik, multifetar të Jerusalemit, dhe si të krishterë në Tokën e Shenjtë.

“Pushtimi i bën njerëzit shumë të ftohtë, shumë të ndarë. “Unë jam [sirian], jam katolik, jam ortodoks, jam ungjilltar”, tha Hani, pronari i restorantit. “Por me kërcënimet, dhunën, vandalizmin, tani njerëzit po bëhen bashkë. Kishat po zgjohen. Ne ishim të verbër për 50 vjet, por jo më”.

(Fund)

Përktheu: Forca Jashari