Ushtria e Shteteve të Bashkuara njoftoi se do të fillojë një bllokadë ndaj të gjitha porteve dhe zonave bregdetare të Iranit të hënën, duke zbutur zotimin e mëhershëm të presidentit Donald Trump për të bllokuar plotësisht Ngushticën strategjike të Hormuzit, pasi raportet e para tregonin se anijet kishin ndalur kalimin në këtë rrugë ujore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKy veprim erdhi pasi bisedimet maratonë për armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit në Pakistan përfunduan pa marrëveshje, duke krijuar terrenin për një përballje të mundshme. Udhëheqësit iranianë u zotuan se do t’i kundërpërgjigjen bllokadës.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se bllokada do të nisë të hënën në orën 10:00 sipas kohës lindore të SHBA-së (EDT), ose në orën 17:30 në Iran, dhe do të “zbatohet në mënyrë të paanshme ndaj anijeve të të gjitha vendeve që hyjnë ose dalin nga portet dhe zonat bregdetare iraniane, përfshirë të gjitha portet iraniane në Gjirin Arabik dhe Gjirin e Omanit”. CENTCOM shtoi se do të lejojë ende anijet që udhëtojnë mes porteve jo-iraniane të kalojnë nëpër ngushticë, një tërheqje nga kërcënimi i mëhershëm i presidentit për të bllokuar të gjithë ngushticën.
Trump më vonë konfirmoi kohën e nisjes në një postim në rrjetin e tij Truth Social.
Njoftimi për bllokadën ndaloi trafikun e kufizuar të anijeve që ishte rifilluar në ngushticë pas armëpushimit, sipas një raporti të hershëm nga Lloyd’s List Intelligence. Sipas gjurmuesve detarë, mbi 40 anije tregtare kanë kaluar që nga fillimi i armëpushimit, nga rreth 100 deri në 135 kalime anijesh në ditë para luftës.
Më vonë gjatë së dielës, Trump e zgjeroi përplasjen e tij lidhur me luftën me Papën Leo XIV, duke e kritikuar ashpër në një postim në Truth Social, ku e quajti liderin katolik “të dobët në politikën e jashtme”. Kjo deklaratë e pazakontë erdhi pasi Papa Leo kishte dënuar luftën dhe kishte kërkuar që liderët politikë të ndalen dhe të negociojnë për paqe.
Trumpi për bllokadën e Hormuzit: Irani po e shantazhon botën, s’do të tolerohet
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Irani po e shantazhon botën me Ngushticën e Hormuzit dhe kjo është arsyeja pse e ka shtyrë SHBA-në për t’i bërë bllokadë detare Iranit.
Bllokada detare ka hyrë në fuqi pak orë më parë.
“Irani po shantazhon vërtetë botën dhe s’do të lejojë kjo të ndodhë”, tha Trump në konferencë për media, transmeton “BBC”.
Ai ka thënë se SHBA-ja s’e përdorë Ngushticën e Hormuzit, sepse ka naftën dhe gazin e vet.
Trump ndërkohë ka thënë se udhëheqësit iranianë po duan të bëjnë marrëveshje dhe se “është telefonuar këtë mëngjes nga njerëzit e duhur”.
Por, Trump tha se Irani s’do të lejohet të ketë armë bërthamore. Trumpi ndëkrohë ka refuzuar t’i kërkojë falje Papa Leonit.
NATO-ja refuzon të përfshihet në bllokimin e Ngushticës së Hormuzit
Aleatët e NATO-s kanë thënë të hënën se nuk do të përfshiheshin në planin e presidentit të SHBA-së Donald Trump për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, duke propozuar në vend të kësaj të ndërhyjnë vetëm pasi të përfundojnë luftimet, një veprim që ka të ngjarë ta zemërojë Trumpin dhe të rrisë tensionet në aleancë.
Trumpi ka thënë se ushtria amerikane do të bashkëpunojë me vendet e tjera për të bllokuar të gjithë trafikun detar në rrugët ujore, pasi bisedimet e fundjavës dështuan të çonin në një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit gjashtëjavor me Iranin. Ushtria amerikane më vonë ka specifikuar se bllokada, që ka nisur në orën 16:00 me kohë të Kosovës, do të zbatohej vetëm për anijet që shkojnë në ose nga portet iraniane.
Që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, Irani e ka bllokuar kryesisht ngushticën për të gjitha anijet përveç të vetave. Ai ka kërkuar ta bëjë kontrollin e tij mbi ngushticën të përhershëm dhe ndoshta të mbledhë taksa nga anijet që e përdorin atë.
"Bllokada do të fillojë së shpejti. Vende të tjera do të përfshihen në këtë bllokadë", ka thënë Trumpi në një postim në Truth Social të dielën.
Por aleatët e NATO-s, përfshirë Britaninë dhe Francën, kanë thënë se nuk do të tërhiqeshin në konflikt duke marrë pjesë në bllokadë, duke thënë se në vend të kësaj po punonin për një iniciativë për të hapur rrugën ujore, ku normalisht kalon një e pesta e furnizimeve globale me naftë.
Refuzimi i tyre për të marrë pjesë është një tjetër pikë fërkimi me Trumpin, i cili ka kërcënuar të tërhiqet nga aleanca ushtarake dhe po shqyrton tërheqjen e disa trupave amerikane nga Evropa pasi disa vende u mohuan avionëve ushtarakë amerikanë përdorimin e hapësirës së tyre ajrore për sulme ndaj Iranit.
Trumpi paralajmëron eliminimin e anijeve iraniane që shkelin bllokadën në Hormuz
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar të hënën eliminimin e anijeve iraniane që shkelin bllokadën e vendosur ndaj kalimit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Në një postim në Truth Social, pak pasi ka nisur bllokada ndaj porteve iraniane, siç ishte përcaktuar paraprakisht nga ai që të niste në ora 16:00 me kohë të Kosovës, Trumpi ka shkruar se eliminimi do të bëhet njësoj siç goditen anijet tregtare të drogës në det.
“Marina e Iranit është në fund të detit, plotësisht e shkatërruar - 158 anije. Ajo që nuk kemi goditur është një numër i vogël i atyre që ata i quajnë 'anije sulmi të shpejtë', sepse nuk i konsideronim kërcënim të madh. Paralajmërim: Nëse ndonjë nga këto anije i afrohet bllokadës sonë, ato do të eliminohen menjëherë, duke përdorur të njëjtin sistem vrasjeje që përdorim kundër tregtarëve të drogës në anije në det. Është i shpejtë dhe brutal”, ka shkruar Trumpi.
Trumpi ka njoftuar të dielën për bllokadën, për shkak të dështimit të bisedimeve ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, të zhvilluara në Islamabad të shtunën.
Bisedimet maratonike të cilat kanë zgjatur për 21 orë, kanë përfunduar pa ndonjë marrëveshje për fundin e luftës, teksa të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për dështimin.
Pakistani ka njoftuar të hënën se përpjekjet për t’i sjellë palët sërish në tryezë po vazhdojnë, ndërkohë Trumpi ka deklaruar të dielën vonë se nuk i intereson më nëse Irani u kthehet negociatave apo jo.
Nis bllokada e SHBA-së ndaj porteve iraniane
Komanda Qendrore e SHBA-së ka thënë se do të fillojë bllokimin e të gjitha porteve të Gjirit dhe zonave bregdetare iraniane të hënën në orën 16:00 me kohë të Kosovës, që do të thotë se operacioni duhet të kishte filluar që tani.
Siç është raportuar më parë, detarët dhe Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO)kanë marrë njoftime që paralajmërojnë se bllokada do të zbatohet për të gjithë trafikun e anijeve, pavarësisht flamurit.
Në njoftimin e UKMTO-së thuhet se kalimi tranzit përmes ngushticës për në ose nga destinacionet jo-iraniane nuk duhet të preket nga këto kufizime, por UKMTO-ja ka paralajmëruar se anijet që përpiqen ta bëjnë këtë ka të ngjarë të hasin një prani ushtarake.
Merzi thotë se s’kishte pritje të mëdha për bisedimet SHBA-Iran
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se kishte pritje të ulëta për bisedimet e mbajtura gjatë fundjavës në Islamabad të Pakistanit midis SHBA-së dhe Iranit.
Duke folur në Berlin mëngjesin e së hënës, Merzi ka thënë se nuk ishte habitur nga vendimi për të ndërprerë bisedimet në Islamabad.
“Që nga fillimi, nuk pata përshtypjen se (bisedimet) ishin veçanërisht të përgatitura mirë", ka deklaruar ai.
Merzi ka folur gjithashtu për se një zgjidhje diplomatike nuk do të jetë një proces i shpejtë dhe ka vërë në dukje se efektet ekonomike do të ndihen ende për një kohë të gjatë.
"Ky do të mbetet një proces afatgjatë dhe ne do të vazhdojmë të ndiejmë pasojat e kësaj lufte për një kohë të gjatë, edhe pasi të ketë mbaruar", ka shtuar ai.
Merzi edhe javën e kaluar ka shprehur rezerva në lidhje me rezultatin e bisedimeve, duke thënë se mendonte se paqja ishte ende shumë larg.
Bisedimet 21-orëshe mes SHBA-së dhe Iranit të shtunën kanë përfunduar pa rezultat. Teksa SHBA-ja e ka arsyetuar dështimin me mosgatishmërinë e Iranit për të hequr dorë nga pasurimi i uraniumit në nivel të armëve bërthamore, Teherani zyrtar ka thënë se kërkesat e SHBA-së ishin enorme.
Bllokada amerikane e Hormuzit - Anijet që e shkelin atë përballen me “përgjim, devijim dhe kapje”
Ushtria amerikane është gati të nisë së zbatuari një bllokadë në Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik, në lindje të Ngushticës së Hormuzit, dhe kjo do të zbatohet për të gjithë trafikun e anijeve pavarësisht flamurit, sipas një urdhri të dërguar nga Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) te detarët, dhe të raportuar nga agjencia e lajmeve Reuters.
Centcom ka paralajmëruar se anijet "që hyjnë ose dalin nga zona e bllokuar pa autorizim i nënshtrohen përgjimit, devijimit dhe kapjes", thuhet në urdhër.
Bllokada do të fillojë rreth orës 16:00 me kohë të Kosovës, konfirmon urdhri.
Gjithashtu thuhet se: "Bllokada nuk do të pengojë kalimin neutral të tranzitit përmes Ngushticës së Hormuzit për në ose nga destinacionet jo-iraniane”.
Reuters raporton po ashtu se bllokada përfshin "tërësinë e vijës bregdetare iraniane", "pa u kufizuar vetëm në" portet dhe terminalet e naftës iraniane.
Shton se dërgesat humanitare, të tilla si ushqimi dhe furnizimet mjekësore, do të lejohen, në varësi të inspektimit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka marrë të dielën vendim për ta bllokuar Ngushticën e Hormuzit, për shkak të dështimit të arritjes së një marrëveshjeje nga bisedimet SHBA-Iran që janë mbajtur në Pakistan të shtunën për 21 orë.
Von der Leyen: Fatura e BE-së për karburantet është rritur për 22 miliardë euro më shumë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur për ndikimin financiar të luftës SHBA-Izrael në Iran.
Ajo tha se fatura e BE-së për importet e karburanteve fosile është rritur për 22 miliardë euro (19.1 miliardë paund) që nga fillimi i luftës 44 ditë më parë, pa marrë “asnjë molekulë” më shumë furnizim.
“Ne po paguajmë një çmim shumë të lartë për varësinë tonë të tepërt nga karburantet fosile,” tha ajo.
Von der Leyen shtoi se liria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit është me “rëndësi thelbësore” dhe se nevojitet “koordinim i fortë” mes shteteve të BE-së.
Irani thotë se asnjë port në rajon nuk do të jetë i sigurt nëse portet e tij kërcënohen
Ushtria e Iranit thotë se asnjë port në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit nuk do të mbetet i sigurt nëse portet e saj kërcënohen, raportoi të hënën transmetuesi shtetëror iranian, duke cituar një deklaratë të zëdhënësit të ushtrisë Iraniane, Ebrahim Zolfaghari.
Kërcënimi vjen ndërsa ushtria amerikane thotë se do të fillojë një bllokadë të të gjitha porteve dhe zonave bregdetare iraniane, pasi bisedimet e Islamabadit gjatë fundjavës dështuan të arrinin një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.
"Siguria në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit është ose për të gjithë ose për askënd", tha zëdhënësi i ushtrisë Iraniane. "Asnjë port në rajon nuk do të jetë i sigurt", shtoi ai.
Franca dhe Britania do të mbajnë konferencë për Ngushticën e Hormuzit
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar të hënën se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar do të organizojnë një konferencë "që synon rivendosjen e lirisë së lundrimit në ngushticë" në "ditët në vijim".
Në një postim në mediat sociale, ai ka thënë se konferenca do të organizohet me vendet e gatshme të kontribuojnë në një "mision shumëkombësh paqësor që synon rivendosjen e lirisë së lundrimit në ngushticë".
"Ky mision rreptësisht mbrojtës, i ndarë nga palët ndërluftuese në konflikt, synon të vendoset sapo të lejojnë rrethanat", ka thënë Macroni.
Njoftimi vjen pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i bllokuar portet e Iranit, duke filluar nga dita e hënë, për shkak të dështimit për të arritur një marrëveshje për fundin e luftës në bisedimet SHBA-Iran.
Papa Leoni i përgjigjet Trumpit për luftën në Iran
Papa Leon XIV tha se thirrjet e Vatikanit për paqe dhe pajtim janë të rrënjosura në Ungjill dhe se ai nuk i druhet administratës Trump.
“Të vendosesh mesazhin tim në të njëjtin nivel me atë që presidenti është përpjekur të bëjë, mendoj se tregon moskuptim të mesazhit të Ungjillit”, tha Papa për Associated Press. “Më vjen keq ta dëgjojë këtë, por unë do të vazhdojë me atë që besoj se është misioni i kishës në botën e sotme”.
Papa i parë në histori i lindur në SHBA theksoi se ai nuk po bënte një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Trumpit apo ndaj kujtdo tjetër me thirrjen e tij të përgjithshme për paqe dhe me kritikat ndaj “iluzionit të gjithëfuqisë”, që po nxit luftërat në Iran dhe konflikte të tjera në mbarë botën.
Fjalët e Trumpit për Papa Leonin:
Bllokimi i Hormuzit nga SHBA-ja mund ta shtyjë Kinën të ushtrojë presion mbi Iranin
Dështimi i bisedimeve gjatë fundjavës dhe kërcënimi i presidentit amerikan, Donald Trump për të bllokuar anijet që vijnë dhe shkojnë drejt porteve iraniane ka pasur ndikimin e pritur në tregje.
Çmimet e naftës janë rritur përsëri mbi 100 dollarë për fuçi dhe tregjet e aksioneve aziatike kanë rënë.
Por tema më e gjerë është ajo që duket një përpjekje për të ushtruar më shumë presion mbi Kinën.
Edhe pse Kina ka rezerva të mëdha nafte dhe merr shumë naftë nga Rusia, Irani siguroi 16% të importeve të naftës bruto të Kinës. Pjesa më e madhe e naftës iraniane që po kalonte nëpër ngushticë ishte e destinuar për Kinën. Ndalimi i kësaj mund ta detyrojë Kinën të ushtrojë më shumë presion mbi Iranin për të arritur një marrëveshje.
Ngushtica, përmes së cilës kalojnë një e pesta e dërgesave të energjisë në botë, është bërë një pikë e nxehtë e konfliktit pasi Irani u hakmor kundër sulmeve SHBA-Izrael duke kërcënuar të sulmojë anijet që përpiqen të përdorin rrugën ujore.
Dërgesat kanë qenë kryesisht të ndaluara që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael me Iranin më 28 shkurt, duke çuar në rritjen e çmimeve të energjisë në të gjithë botën dhe duke rritur kostot për konsumatorët, në veçanti duke e bërë benzinën dhe naftën më të shtrenjta.
Megjithatë, Irani ka vazhduar të eksportojë naftë.
Windward, firma e inteligjencës detare, ka thënë se që nga 1 marsi, më shumë se 58 milionë fuçi naftë janë larguar nga Ishulli Kharg, dalja kryesore e Iranit për eksportet e naftës bruto. Sipas saj, më shumë se 90% e këtyre janë drejtuar drejt Kinës.
OKB: Mbi 32 milionë njerëz do të zhyten në varfëri si pasojë e luftës me Iranin
Më shumë se 32 milionë njerëz në mbarë botën mund të zhyten në varfëri si pasojë e ndikimeve ekonomike nga lufta me Iranin, ndërsa pritet që vendet në zhvillim të goditen më rëndë.
Në një raport të publikuar mes dyshimeve për një armëpushim të brishtë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka thënë se bota po përballet me një “tronditje të trefishtë” që përfshin energjinë, ushqimin dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike.
Agjencia e ngarkuar me luftimin e varfërisë ka thënë se konflikti po përmbys përparimet në zhvillimin ndërkombëtar, me ndikime që pritet të ndihen në mënyrë të pabarabartë në rajone të ndryshme.
Alexander De Croo, administrator i UNDP-së dhe ish-kryeministër i Belgjikës, ka thënë se “një konflikt i tillë është zhvillim në drejtim të kundërt. Edhe nëse lufta ndalet, dhe një armëpushim është padyshim shumë i mirëpritur, ndikimi tashmë është i pranishëm”.
Do të shihni një ndikim afatgjatë, veçanërisht në vendet më të varfra, ku njerëzit shtyhen përsëri në varfëri. Ky është elementi më i dhimbshëm. Njerëzit që po shtyhen në varfëri janë shumë shpesh ata që kanë qenë dikur të varfër, kanë dalë prej saj, dhe tani po shtyhen sërish brenda saj”.
Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm në gjashtë javët që nga sulmet e para ajrore amerikano-izraelite ndaj Teheranit, pasi mbyllja nga Irani e ngushticës së Hormuzit ka penguar furnizimin me naftë dhe gaz për ekonominë botërore. Me efekt zinxhir mbi furnizimet me plehra kimike dhe transportin global, ekspertët paralajmërojnë se është vendosur një “bombë me sahat për sigurinë ushqimore” për botën në zhvillim.
Edhe nëse një paqe e qëndrueshme në Lindjen e Mesme mund të ruhet, drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar ka thënë se “efektet e plagosjes ekonomike” nga konflikti kanë dëmtuar në mënyrë të përhershme ekonominë globale.
Me publikimin e raportit ndërsa liderët botërorë mblidhen në Uashington për takimet pranverore të FMN-së, UNDP-ja ka thënë se nevojitet një përgjigje globale për të mbështetur vendet më të prekura nga pasojat ekonomike.
Sipas raportit, nevojiten transferta të synuara dhe të përkohshme në para për të mbrojtur familjet më të cenueshme në vendet në zhvillim, me një kosto prej rreth 6 miliardë dollarësh për të neutralizuar goditjet për ata që bien nën kufirin e varfërisë.
Rritet çmimi i naftës pas kërcënimit të Trumpit për bllokim të Hormuzit
Çmimet e naftës janë rritur përsëri mbi 100 dollarë për fuçi të hënën, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi bllokimin e porteve iraniane pas dështimit të bisedimeve të paqes.
Nafta e papërpunuar Brent, është rritur me 7% në 102.30 dollarë.
Kostoja e një fuçie nafte kishte rënë shumë nën 100 dollarë të mërkurën e kaluar, pasi SHBA-ja dhe Irani arritën një marrëveshje armëpushimi me kusht dyjavor që përfshinte hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë e rëndësishme transporti për furnizimet globale me naftë dhe gaz.
Megjithatë, dështimi i negociatave ka ngritur shqetësime se kriza globale e energjisë do të thellohet.
Ngushtica, përmes së cilës kalojnë një e pesta e dërgesave të energjisë në botë, është bërë një pikë e nxehtë e konfliktit pasi Irani u hakmor kundër sulmeve SHBA-Izrael duke kërcënuar të sulmojë anijet që përpiqen të përdorin rrugën ujore.
Dërgesat kanë qenë kryesisht të ndaluara që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael me Iranin më 28 shkurt, duke çuar në rritjen e çmimeve të energjisë në të gjithë botën dhe duke rritur kostot për konsumatorët, në veçanti duke e bërë benzinën dhe naftën më të shtrenjta.
Megjithatë, Irani ka vazhduar të eksportojë naftë.
Windward, firma e inteligjencës detare, ka thënë se që nga 1 marsi, më shumë se 58 milionë fuçi naftë janë larguar nga Ishulli Kharg, dalja kryesore e Iranit për eksportet e naftës bruto. Sipas saj, më shumë se 90% e këtyre janë drejtuar drejt Kinës.
Trumpi e quan Papa Leonin “të dobët ndaj krimit dhe tmerrshëm për politikën e jashtme”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kritikoi Papa Leonin vonë të dielën, në një sulm të pazakontë dhe të drejtpërdrejtë ndaj udhëheqësit të Kishës Katolike me 1.4 miliardë anëtarë, i cili shkaktoi menjëherë reagime kritike nga besimtarët, shkruan Reuters.
Presidenti, në një përgjigje të dukshme ndaj kritikave në rritje të Papës për luftën SHBA-Izrael kundër Iranit dhe politikat e ashpra të administratës Trump për imigracionin, tha se Leo ishte “i tmerrshëm”.
"Papa Leo është i dobët ndaj krimit dhe i tmerrshëm për politikën e jashtme", shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Leo, me origjinë nga Çikago, është Papa i parë amerikan. I njohur për zgjedhjen e fjalëve me kujdes, ai është shfaqur si një kritik i hapur i luftës në Iran në javët e fundit dhe e ka kritikuar “çmendurinë e luftës” në një apel paqeje të shtunën.
Vitin e kaluar, ai vuri në dyshim nëse politikat e ashpra të administratës Trump për imigracionin ishin në përputhje me mësimet pro-jetë të Kishës.
“Dikush që thotë, ‘Unë jam kundër abortit, por jam dakord me trajtimin çnjerëzor të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara’, nuk e di nëse kjo është pro-jetës”, tha Papa në shtator.
Trumpi shkroi në postimin e tij të dielën se “Leo duhet të rikuperojë veten si Papë”, duke u thënë më vonë gazetarëve se “nuk ishte një tifoz i madh” i Papës.
🇺🇸🇻🇦 Trump had a lot more to say on Pope Leo.
"We don't like a Pope that's gonna say it's okay to have a nuclear weapon (for Iran)."
"I'm not a big fan of Pope Leo... very liberal person." https://t.co/1ACrVdwL7h pic.twitter.com/UTI7MfQ0kc
Britania refuzon t’i bashkohet bllokadës së Trumpit ndaj Iranit në Ngushticën e Hormuzit
Mbretëria e Bashkuar ka konfirmuar se nuk do t’i bashkohet bllokadës detare që presidenti amerikan Donald Trump synon të vendosë ndaj porteve iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas deklaratave zyrtare, Londra nuk do të përdorë anije luftarake apo trupa për të zbatuar këtë bllokadë, duke u distancuar nga strategjia amerikane në këtë përshkallëzim të tensioneve me Iranin.
Në vend të kësaj, qeveria britanike thekson se prioriteti i saj mbetet, ruajtja e lirisë së lundrimit dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për furnizimin global me naftë.
Zyrtarët britanikë kanë bërë të qartë se përfshirja në një bllokadë mund të rrisë më tej tensionet ndërkombëtare, prandaj po punojnë me aleatë si Franca për të siguruar kalim të sigurt të anijeve, pa hyrë në veprime ushtarake kundër Iranit.
Trump: Nuk më intereson nëse Irani kthehet në negociata
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se nuk i intereson në Irani do të kthehet në tavolinën e bisedimeve.
Duke folur me gazetarët jashtë Washington pasi u kthye nga Florida, Donald Trump u pyet se sa kohë mund të kalonte para se zyrtarët iranianë të ktheheshin në tryezën e negociatave, në mes të një armëpushimi të brishtë.
“Nuk më intereson nëse kthehen apo jo,” u përgjigj ai. “Nëse nuk kthehen, për mua është në rregull.”
Trumpi tha se gjatë negociatave të fundjavës të udhëhequra nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, Irani kishte thënë se po synonte të siguronte një armë bërthamore.
“Ata ende e duan atë, dhe këtë e bënë të qartë atë natë. Irani nuk do të ketë një armë bërthamore,” tha ai.