Zgjerimi i konfliktit

SHBA-ja në gatishmëri pas kërcënimeve të Iranit për sulm në rajon

Washington

Washington

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara janë në gatishmëri të lartë dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm nga Irani që synon asetet izraelite ose amerikane në rajon, si përgjigje ndaj sulmit të Izraelit ndaj ambasadës iraniane në Siri, ka bërë të ditur të premten një zyrtar amerikan.

"Ne jemi padyshim në një gjendje të lartë vigjilence”, ka thënë zyrtari duke konfirmuar një raport të CNN-it që thoshte se një sulm mund të ndodhë javën e ardhshme.

Avionët luftarakë të dyshuar izraelitë bombarduan ambasadën e Iranit në Damask të hënën, në sulmin që la të vdekur një komandant ushtarak iranian dhe shënoi një përshkallëzim të madh në luftën e Izraelit me kundërshtarët e tij rajonalë.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit ka thënë se shtatë këshilltarë ushtarakë iranianë vdiqën në sulm, duke përfshirë Mohammad Reza Zahedi, një komandant i lartë në Forcën e saj Quds.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden diskutoi kërcënimin nga Irani në një telefonatë të enjten me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

"Ekipet tona kanë qenë në kontakt të rregullt dhe të vazhdueshëm që atëherë. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht mbrojtjen e Izraelit kundër kërcënimeve nga Irani”, ka deklaruar një zyrtar i lartë i administratës Biden.