Botë

SHBA-ja kërkon të ulet “niveli i operacioneve ushtarake” në Gaza

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se nuk udhëtoi në Izrael për t’i “diktuar afatet kohore apo vendosur kushte” për luftën në Gaza.

Ai e përshkroi ofensivën e Izraelit në Gaza, si “operacion”, raporton “BBC”.

Austin ka thënë se SHBA-ja e mbështet “të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten”.

Austin pas një takimi me ministrin e mbrojtjes së Izraelit Yoan Galant dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tha se diskutimet i pati rreth “qëllimeve dhe objektivave” në Gaza.

Ai ka thënë se në këtë përfshihet mënyra se si mund të reduktohen dëmet në civilë dhe nevoja “për të siguruar një kalim nga operacione e intensitetit më të lartë në operacione me intensitet më të ulët” dhe një qasje “më kirurgjikale”.

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë ta furnizojë Izraelin me armë dhe ka kërkuar që të reduktohet numri i vdekjeve të civilëve në Gaza.

Ai ka shtuar se ka diskutuar edhe për “rrugën drejt Gazës së ardhshme” pas luftës. Ka rikonfirmuar se SHBA-ja është për një zgjedhje dy shtetërore të konfliktit.

E ministri izraelit i Mbrojtjes, Galant ka përsëritur angazhimin e Izraelit për ta shkatërruar Hamasin dhe për t’i sjellë në shtëpi 129 pengje që ende mendohet se gjenden në Gaza.

Ai ka thënë se forcat izraelite “do të vazhdojnë të operojnë në Gaza me nivele të ndryshme të intensitetit” duke shtuar se kjo do të vijë më shpejtë në veri.

Galant ka thënë se Ushtria e Izraelit po i mbron vlerat, po operon në Gaza duke zbatuar të drejtën ndërkombëtarë dhe po punon “në minimizimin e dëmit në civilë”.

Galant ka thënë se çështja më urgjente është lirimi i pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi.