Paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme vazhdoi edhe të dielën, ndërsa ushtria amerikane ndërmori sulme të reja ndaj Iranit pas një sulmi ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit.
Forcat amerikane thanë se goditën rreth 140 objektiva ushtarake iraniane në valën e tretë të sulmeve gjatë kësaj jave, periudhë gjatë së cilës të dyja palët shkëmbyen sulme, raporton CNN.
Në përgjigje të sulmeve amerikane, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit tha se Ngushtica e Hormuzit ishte e mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm dhe nisi sulme ndaj bazave dhe aleatëve amerikanë në rajon.
Probleme në Ngushticën e Hormuzit
CENTCOM deklaroi se Garda Revolucionare Islamike e Iranit "sulmoi haptazi" një anije me kontejnerë me flamur të Qipros që po kalonte nëpër ngushticë.
Por më vonë ekuipazhi i cili u raportua se ishte dëmtuar pranë Ngushticës së Hormuzit, është shpëtuar pasi u detyrua ta braktiste anijen, njoftoi UK Maritime Trade Operations (UKMTO).
UKMTO kishte raportuar se në anije kishte shpërthyer zjarr pasi pjesa e pasme e saj ishte dëmtuar ndërsa po lundronte në lindje të Omanit.
Kjo ndodhi pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se kishte qëlluar me një të shtënë paralajmëruese ndaj një anijeje që po përpiqej të kalonte Ngushticën e Hormuzit përmes një rruge të paautorizuar dhe njoftoi se rruga detare ishte mbyllur.
Përshkallëzim në rajon
Pas deklaratës së CENTCOM-it, mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në jug të vendit, kryesisht përgjatë zonave bregdetare pranë Ngushticës së Hormuzit. Shpërthime u dëgjuan në: Provincën Bushehr, ku ndodhet një central bërthamor në periferi të qytetit Bushehr; Ishullin Qeshm, që konsiderohet pjesë e sistemit mbrojtës të Iranit pranë Ngushticës së Hormuzit dhe Bandar Abbas, një qytet-port përballë Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, edhe disa vende të tjera në Lindjen e Mesme u përballën me kërcënime ose sulme.
Ku qëndrojnë negociatat?
Ndërmjetësuesit kanë bërë përpjekje për të rikthyer diplomacinë mes SHBA-së dhe Iranit pasi të dyja palët shkëmbyen sulme më herët gjatë javës dhe presidenti Donald Trump deklaroi se armëpushimi kishte "marrë fund".
Takimet e së shtunës mes ministrit të Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, dhe homologut të tij nga Omani u përqendruan kryesisht te Ngushtica e Hormuzit. Sipas një burimi të CNN-it, Omani ka hartuar një propozim paraprak për menaxhimin e trafikut detar në këtë ngushticë.
Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se bisedimet me Teheranin nuk mund të përparojnë derisa të garantohet kalimi i sigurt i anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Trump: Ngushtica e Hormuzit është e hapur për trafik komercial
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të dielën për NBC News se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për trafik komercial, pavarësisht se Irani më parë kishte pretenduar se e kishte mbyllur rrugën ujore "deri në njoftim të mëtejshëm" pas përshkallëzimit të fundit në luftime.
Trumpi ka thënë se iranianët janë njerëz të sëmurë, të cilët sipas tij, hoqën dorë nga gjithçka që u dakordua mes dy vendeve ditë më parë.
“Është e hapur. I bombarduam rëndë mbrëmë. Janë njerëz shumë, shumë të këqij dhe të sëmurë. Patëm takime me ta... dje ranë dakord për një marrëveshje, një marrëveshje të përsosur për ne. As armë bërthamore, as kjo, as ajo, asgjë fare. Ata hoqën dorë nga gjithçka, por më pas dolën nga dhoma dhe, brenda një ore, lëshuan një dron kundër një anijeje”, ka thënë Trumpi.
Deklarata e tij vjen pas përshkallëzimeve të fundit mes SHBA-së dhe Iranit, të cilat kanë sulmuar njëra-tjetrën edhe të dielën.
SHBA-ja ka sulmuar Iranin si kundërpërgjigje për një sulm iranian ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkaq Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar disa vende të Gjirit, përfshirë Bahreinin, Kuvajtin, Katarin dhe Omanin.
Irani sulmon vendet e Gjirit pas sulmeve të reja të SHBA-së
Irani ka nisur raketa dhe dronë drejt fqinjëve të tij të Gjirit mëngjesin e së dielës, në hakmarrje ndaj një numri sulmesh të SHBA-së, dhe ka njoftuar mbylljen e ngushticës strategjike të Hormuzit deri në njoftim të mëtejshëm.
Jordania, Bahreini, Katari, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe raportohet të jenë sulmuar, në përshkallëzimin e fundit që minon memorandumin e mirëkuptimit SHBA-Iran, i cili synon t'i japë fund luftës.
SHBA-ja ka thënë se kishte goditur Iranin herët të dielën pasi Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të vendit qëlluan mbi një anije kontejnerësh të regjistruar në Qipro, e cila pretendohej se po lundronte në një "rrugë të paautorizuar" përmes ngushticës së Hormuzit.
Sipas mediave shtetërore, IRGC-ja më pas ka thënë se kishte goditur një anije të dytë, duke e akuzuar atë për "shkelje të rregulloreve".
"Një anije që kishte rrezikuar sigurinë detare duke fikur sistemet e saj u godit dhe u ndalua", ka thënë marina e IRGC-së.