(AP) - Stuhitë e fuqishme kanë vrarë të paktën nëntë persona duke lënë gjurmë shkatërrimi të mëdha në Teksas, Oklahoma dhe Arkansas. stuhitë shkatërruan shtëpi e dyqane.
Pesë nga të vdekurit ishin në Teksas, pranë kufirit të Oklahomas, ku tornadoja goditi një zonë rurale e populluar me disa shtëpi. Stuhitë shkaktuan dëme edhe në Oklahoma, duke lënduar të ftuarit në një dasmë e cila po mbahej në natyrë. Dhjetëra-mijëra banorë mbetën pa energji në të gjithë rajonin.
“Kanë mbetur vetëm gjurmë të shkatërrimeve. Shkatërrimi është goxha i rëndë”, tha për Associated Press sherifi i qarkut Cooke Ray Sappington.
Zyrtarët thanë se shumë njerëz u transportuan në spitale me ambulancë dhe helikopter në Teksas. Sappington tha se në mesin e të vdekurve në Teksas ishin tre anëtarë të familjes që u gjetën në një shtëpi.
Të paktën dy persona u raportuan të vrarë në Arkansas, duke përfshirë një grua 26-vjeçare e cila u gjet e vdekur jashtë një shtëpie të shkatërruar në Olvey, një komunitet i vogël në Boone County.
Një person tjetër vdiq në Benton County, Arkansas. Melody Kwok, drejtoreshë e komunikimit në qark, tha se shumë njerëz të tjerë u plagosën dhe se punonjësit e urgjencës po u përgjigjeshin ende thirrjeve.
“Ne jemi ende në kërkim dhe shpëtim tani”, tha ajo. “Kjo është një situatë aktive”.
Zyrtarët konfirmuan gjithashtu dy vdekje në Mayes County, Oklahoma. Detajet për të vdekurit nuk ishin të disponueshme menjëherë, tha Mike Dunham, zëvendësdrejtor i menaxhimit të emergjencave të qarkut.
Tornadot në Iowa këtë javë lanë të paktën pesë persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Këto dukuri natyrore vdekjeprurëse janë shfaqur gjatë një sezoni historikisht të keq për tornadot, në një kohë kur ndryshimet klimatike kontribuojnë në ashpërsinë e stuhive në mbarë botën. Prilli kishte numrin e dytë më të lartë të tornadove.
Në Teksas, një tornado kaloi përmes Dentonit, në veri të Dallasit, duke përmbysur traktorë-rimorkio dhe duke ndaluar trafikun, tha zëdhënësi i qarkut Dawn Cobb. Një strehë u hap në qytetin rural të Sangerit.
Orët e para të mëngjesit zbuluan edhe shkatërrimin që kishte lënë tornadoja. Pamjet me dron treguan dhjetëra shtëpi të dëmtuara.
Banorët u zgjuan për të gjetur veturat e përmbysura dhe garazhet e shembura. Disa banorë mund të shiheshin duke ecur përreth dhe duke u munduar të rregullonin dëmin që ishte shkaktuar.
Në kulmin e stuhive, më shumë se 24,000 shtëpi dhe biznese humbën energjinë në Oklahoma, sipas Zyrës shtetërore të Menaxhimit të Emergjencave. Agjencia raportoi gjithashtu dëme të mëdha nga breshri i madh.
Meteorologët dhe autoritetet lëshuan paralajmërime urgjente për të kërkuar mbrojtje ndërsa stuhitë marshuan në të gjithë rajonin gjatë natës.
Prilli dhe maji kanë qenë muaj i ngarkuar nga tornadot, veçanërisht në Midwest. Stuhi të tjera sollën përmbytje dhe dëmtime nga erërat e forta.