Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Scholzi niset për SHBA, bën thirrje të vazhdojë ndihma për Ukrainën

Kancelari gjerman, Olaf Scholz

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, bëri thirrje për ndihmë të mëtejshme të SHBA-së dhe Evropës për Ukrainën, ndërsa u nis të mërkurën për një vizitë në Uashington.

Ai ka deklaruar se është koha për t'i dërguar presidentit rus Vladimir Putin, një “sinjal shumë të qartë” se Perëndimi nuk do të heqë dorë nga mbështetja për Kievin.

Scholzi do të takohet me anëtarët e Kongresit dhe presidentin Joe Biden të premten. Vizita e tij vjen pasi ndihma për Ukrainën nga SHBA-ja mbeti e varur nga Senati për shkak se republikanët bllokuan ndihmën financiare.

Scholzi nuk e përmendi këtë drejtpërdrejt në një deklaratë për gazetarët para largimit të tij. Por ai ka thënë se çështja kryesore tani është se “si Evropa, por edhe Shtetet e Bashkuara, mund të përjetësojnë mbështetjen për Ukrainën”.