Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Scholz i bindur se Gjermania do t’i kthehet normalitetit

Kancelari i Gjermanisë ka premtuar se qeveria e tij do të bëjë gjithçka që Gjermania të tejkalojë pandeminë e koronavirusit dhe njerëzve t’ua kthejë normalitetin. Në fjalimin e tij të parë politik në Bundestag, Scholzi është shprehur i bindur se Gjermania do ta fitojë betejën me pandeminë.

Scholzi, i cili ka marrë detyrën nga Angela Merkel, ka deklaruar se gjermanët nuk kanë kohë për të humbur, teksa prezantoi agjendën e qeverisë së tij.

Socialdemokrati nis drejtimin e shtetit në kohën kur Gjermania është përballur me ngritje të madhe të rasteve me koronavirus. Ka shenja se masat e vendosura në dy javët e fundit kanë nisur ngadalë të ulin numrin e infeksioneve.

Kancelari është shprehur i bindur se deri në fund të vitit 30 milionë vaksina do të jenë të shpërndara. Ai ka përsëritur qëndrimin se nuk do të ketë vija të kuqe drejt planit për të kthyer jetën normale në Gjermani.