Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Scholz: Gjermanët janë të neveritur nga regjimi në Iran

Kancelari gjermane, Olaf Scholz, ka kritikuar ashpër qeverinë iraniane për shtypjen brutale të protestave dhe tha se Gjermania qëndronte “krah për krah me popullin iranian”.

Scholz tha se protestat e shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini, pas ndalimit të saj nga policia morale e Iranit nuk ishin më "thjesht një çështje e kodeve të veshjes", por kishin evoluar në një luftë për liri dhe drejtësi, raportoi The Guardian. 

“Më shumë se 300 të vrarë, dhjetëra dënime me vdekje dhe më shumë se 14,000 arrestime. Deri tani. Ata që demonstrojnë kundër shtypjes në Iran rrezikojnë jetën e tyre, dhe shpesh edhe jetën e të dashurve të tyre – dhe përballen me torturë dhe dekada burg”, tha ai.

Ai tha se qindra mijëra njerëz në Gjermani me origjinë iraniane kishin frikë për të afërmit e tyre dhe ishin “të tmerruar dhe të neveritur nga ajo që regjimi i mullahëve po u bën demonstruesve”.

“Është e qartë se qeveria iraniane është e vetmja përgjegjëse për këtë valë dhune”.

Scholz tha se do të vendosen sanksione shtesë ndaj Iranit për sjelljen ndaj protestuese dhe vendimin për të dërguar qindra dronë në Rusi për përdorim në luftën në Ukrainë. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të bien dakord për sanksionet kur të takohen të hënën.

Artikuj të ngjashëm