Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia përkrahë teoritë konspirative të rrjetit QAnon në internet

Organizatat e përkrahura nga qeveria e Rusisë janë duke pasur një rol të dukshëm në rritjen e teorive konspirative të shtruara nga QAnon, duke ngritur brengat se dëshiron të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.

Akademikët të cilët studiojnë lëvizjen QAnon thanë se në fillim të kësaj lëvizjeje në vitin 2017 nuk kishte shenja se Rusia kishte ndonjë ndikim.

Por gjersa QAnon fitoi shumë e më shumë përkrahës dhe rriti konspiracionet, me Presidentin Trump si heroin i cili do të fitojë një betejë e cila është keqkuptuar, llogaritë nëpër mediat sociale të kontrolluara nga një aleat kyç i Kremlinit filluan t’i bashkohen kësaj lëvizjeje, shkruan Reuters.

Kohëve të fundit, mediat e përkrahura nga qeveria ruse si RT.com dhe Sputnik kanë rritur paraqitjen e QAnon, me teoritë si arrestimin e Hillary Clinton për arsye të panjohura dhe teori për trafikimin e fëmijëve nga ana e elitave të Hollywoodit, transmeton KOHA.

Ekspertja Cindy Otis, ish analiste nga CIA, tha se mediat ruse si RT, Sputnik, dhe mediat tjera të përkrahura nga qeveria ruse kanë shkruar shumë e më shumë për QAnon, duke e përdorur në narrativën se “SHBA është duke u rrënuar, shikoni se sa shumë përçarje ka në atë shtet”.

Rusia po përpiqet të ndërhyjë në mënyrë aktive në kampanjën presidenciale edhe me mënyra tjera, përfshirë përhapjen e lajmeve të rreme për Joe Bidenin në Ukrainë.

Artikuj të ngjashëm