Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka përgëzuar SHBA-në për mënyrën se si ka reaguar ndaj rastit të së martës mbrëma, ku një raketë ka rënë në Poloni duke shkaktuar vdekjen e dy personave, raporton BBC.
Duke folur në konferencë për media, Peskov e ka akuzuar Poloninë dhe “shumë shtete tjera” se kanë reaguar në mënyrë histerike ndaj incidentit, duke e akuzuar Rusinë si fajtore pa pasur fare fakte.
Peskov ka përgëzuar reagimin e SHBA-së, e veçanërisht të presidentit amerikan Joe Biden që tha se “duket e pamundur” që raketa është e Rusisë.
“Duhet cekur frenimi dhe reagimi shumë më profesional i palës amerikane dhe presidentit amerikan”, tha Peskov.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se bombardimet e fundit në Ukrainë janë kryer në shënjestra brenda vendit dhe ishin së paku 35 kilometra larg kufirit të Polonisë.
Zëdhënësi Igor Konashenkov ka akuzuar se qëllimisht është tentuar të përshkallëzohet situata.