Botë

Rusia me ofensivë të ashpër ndaj Mariupolit

Forcat ukrainase dhe ruse luftuan për fabrikën e çelikut “Azovstal” në Mariupol, ka thënë të shtunën Vadym Denysenko, këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës. “Një nga fabrikat më të mëdha metalurgjike në Evropë në të vërtetë po shkatërrohet”, ka thënë Denysenko në një fjalim televiziv.

Forcat ruse kanë hyrë në thellësi të qytetit të rrethuar të Mariupolit duke ndalur punën e një fabrike të madhe të çelikut teksa udhëheqësit ukrainas kanë kërkuar më shumë ndihmë nga Perëndimi.

Rënia e Mariupolit, skenë e vuajtjeve më të mëdha të luftës, do të shënonte sukses për rusët, të cilët deri më tani kanë dështuar të marrin kontrollin e qyteteve të mëdha kur kanë hyrë në javën e katërt të një prej pushtimeve më të mëdha tokësore në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

“Fëmijë dhe të moshuar po vdesin. Qyteti është shkatërruar dhe është zhdukur nga sipërfaqja e kësaj toke”, ka thënë zyrtari policor i Mariupolit, Michail Vershnin. Këtë thirrje e bëri në një video-adresim për liderët e Perëndimit.

Ushtria ruse veçse ka shkëputur qytetin nga Deti Azov dhe rënia do të mundësonte lidhjen me Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014, dhe me pjesët e kontrolluara nga separatistët e përkrahur nga Rusia në lindje të Ukrainës. Do të shënonte avancim të rrallë karshi rezistencës së patrembur ukrainase që ka shembur shpresat e Rusisë për fitore të shpejtë dhe tronditëse ndaj Perëndimit.

Forcat ukrainase dhe ruse luftuan për fabrikën e çelikut “Azovstal” në Mariupol, ka thënë të shtunën Vadym Denysenko, këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës. “Një nga fabrikat më të mëdha metalurgjike në Evropë në të vërtetë po shkatërrohet”, ka thënë Denysenko në një fjalim televiziv.

Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit të Ukrainës, ka bërë të ditur se forcat më të afërta që mund të ndihmonin mbrojtësit e Mariupolit tashmë po luftonin kundër “forcës dërrmuese të armikut” dhe janë të paktën 100 kilometra larg.

“Aktualisht nuk ka asnjë zgjidhje ushtarake për Mariupolin”, ka thënë ai të premten. “Ky nuk është vetëm mendimi im, ky është mendimi i ushtrisë”.

Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelenskyy, nuk ka ndërruar qëndrim. Është shfaqur në një video herët të shtunën nëpër rrugët e Kievit. Kritikoi koncertin dhe tubimin e presidentit rus, Vladimir Putin, në stadiumin “Luzhniki” të Moskës.

Kritikat e Zelenskyyt

Zelenskyy ka thënë se Rusia po përpiqet t'i nënshtrojë qytetet e Ukrainës nga uria, por ka paralajmëruar se vazhdimi i pushtimit do të kërkonte një taksë të rëndë për Rusinë. Ai përsëriti gjithashtu thirrjen e tij për takim me Putinin me qëllim që të parandalojnë gjakderdhjen nga të dy taborët.

“Ka ardhur koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën. Përndryshe, kostot e Rusisë do të jenë aq të larta sa nuk do të jeni në gjendje të ngriheni përsëri për disa gjenerata”, ka thënë ai.

Putini ka lavdëruar ushtrinë e vendit të tij gjatë tubimit, i cili u zhvillua në përvjetorin e aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Në këtë tubim ishin të ftuar yje që kënduan këngë patriotike si “Made in the U.S.S.R”, me rreshtin e saj hapës “Ukrainë dhe Krime, Bjellorusi dhe Moldavi, është i gjithë vendi im”.

“Ne nuk kemi pasur unitet të tillë për një kohë të gjatë", ka thënë Putini para turmës që brohoriste.

Tubimi u zhvillua pasi Rusia është përballur me humbje më të rënda se sa pritej në fushën e betejës dhe një sundim gjithnjë e më autoritar në vend, ku policia ruse ka arrestuar mijëra protestues që janë shprehur kundër luftës.

Shteti i Ukrainës ka bërë të ditur se më shumë se 14 mijë ushtarë rusë janë vrarë gjatë luftës. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se 1 mijë e 400 transportues të blinduar, 60 tanke dhe 100 aeroplanë luftarakë dhe helikopterë janë shkatërruar nga forcat e Ukrainës. Për shifër tjetër të të vrarëve në mesin e ushtarëve rusë kanë raportuar burimet perëndimore. Këto burime kanë raportuar për 7 mijë ushtarë të vrarë rusë dhe 14 mijë të tjerë të plagosur.

Image

Raketa hipersonike

Ushtria ruse ka përdorur për herë të parë raketën e re hipersonike të quajtur Kinzhal. Kjo raketë është përdorur të shtunën gjatë një sulmi në Ukrainë. Raketa hipersonike, që bartet nga aeroplanët luftarakë MiG-31, ka rreze veprimi deri në 2 mijë kilometra dhe fluturon 10 herë më shpejtë se shpejtësia e zërit, kanë bërë të ditur autoritetet ruse. Ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë të ditur se raketat hipersonike kanë shkatërruar një depo të madhe armatimi në Ukrainë. Raketa të tilla Rusia ka përdorur për herë të parë në fushatën ushtarake të Sirisë në vitin 2016.

Së paku 847 civilë, përfshirë 64 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që kur nisi pushtimi rus më 24 shkurt, sipas të dhënave të fundit të Zyrës për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara (OHCHR). Është një rritje prej 31 vdekjesh krahasuar me shifrat që u paraqitën të premten. OHCHR ka thënë se 1399 civilë janë lënduar, përfshirë 78 fëmijë. Shumica e vdekjeve dhe lëndimeve janë shkaktuar nga bombardimet apo granatimet. Shifra në fakt besohet se është dukshëm më e madhe. “Shumica e vdekjeve të regjistruara te civilët janë shkaktuar nga përdorimi i armëve shpërthyese me rreze të gjerë ndikimi, përfshirë bombardime me artileri të rëndë dhe goditje me raketa”, thuhet nga OHCHR. Që prej fillimit të pushtimit, më shumë se 3 milionë ukrainas kanë braktisur shtetin e tyre. Shumica janë strehuar në Poloni.

Rrethinat veriperëndimore të Kievit, Bucha, Hostomel, Irpin dhe Moshchun, ishin nën granatime të shtunën, ka njoftuar administrata rajonale e Kievit.

Luftimet për Kievin

Policia e rajonit të Kievit ka bërë të ditur se shtatë persona u vranë dhe pesë u plagosën në një sulm me mortaja të premten në Makariv, qytet afër 50 kilometra në perëndim të kryeqytetit. Ata kanë thënë se nga sulmi janë shkatërruar shtëpi dhe ndërtesa të tjera.

Zyrtarët ukrainas dhe rusë ranë dakord të krijojnë 10 korridore humanitare për sjelljen e ndihmave dhe banorët jashtë qyteteve të rrethuara – një nga Mariupoli dhe disa rreth Kievit dhe në rajonin lindor të Luhanskut, ka thënë të shtunën zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk.

Ajo ka njoftuar gjithashtu planet për të ofruar ndihma humanitare në qytetin jugor të Khersonit, të cilin Rusia e kapi në fillim të luftës.

Ukraina dhe Rusia kanë mbajtur disa runde negociatash që synojnë t'i japin fund konfliktit, por mbeten të ndarë për disa çështje, me Rusinë që bën presion për çmilitarizimin e fqinjit të saj dhe Kievin që kërkon garanci sigurie.

Në një telefonatë me kancelarin gjerman Olaf Scholz, të premten, Putin ka thënë se Ukraina po përpiqej të “zvarriste negociatat duke bërë një sërë propozimesh të reja, joreale”, sipas Kremlinit.

Ndërkohë, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka akuzuar Putinin se po i përdorte bisedimet si një “perde tymi”, ndërkohë që forcat e tij rigrupohen. “Ne nuk shohim ndonjë tërheqje serioze të trupave ruse apo ndonjë propozim serioz në tryezë”, ka thënë ajo për gazetën “Times” të Londrës.

Departamenti Britanik i Mbrojtjes ka deklaruar në vlerësimin e të fundit të inteligjencës se Kremlini “ka qenë i befasuar nga përmasat dhe egërsia e rezistencës ukrainase” dhe “po ndjek tani një strategji të egër”, që ka të ngjarë të përfshijë sulme pa dallim.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, gjatë një vizite të shtunën në aleatin e NATO-s, Bullgarinë, ka thënë se pushtimi rus kishte “ngecur në një numër frontesh”, por SHBA-ja nuk kishte parë ende shenja se Putini po vendoste forca shtesë.

Rreth Ukrainës, spitalet, shkollat ​​dhe ndërtesat ku njerëzit kërkonin siguri janë sulmuar.

Të paktën 130 njerëz i mbijetuan bombardimit të së mërkurës në një teatër të Mariupolit që po përdorej si strehë, por 1300 të tjerë besohet se ishin ende brenda, ka thënë të premten Ludmyla Denisova, komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Parlamentin ukrainas.

“Ne lutemi që të gjithë të jenë gjallë, por deri më tani nuk ka asnjë informacion për ta”, ka thënë Denisova për televizionin ukrainas.

Imazhet satelitore nga Maxar Technologies treguan një varg të gjatë makinash që largoheshin nga Mariupoli, ndërsa njerëzit përpiqeshin të evakuoheshin. Zelenskyy ka thënë se më shumë se 9,000 njerëz ishin në gjendje të largoheshin të premten përgjatë një rruge që të çon 227 kilometra (141 milje) larg në qytetin e Zaporizhzhia - i cili gjithashtu është nën sulm.

Guvernatori i rajonit Zaporizhzhia të Ukrainës jugore, Oleksandr Starukh, njoftoi një shtetrrethim 38-orësh pas dy sulmeve me raketa në periferi të Zaporizhzhias, duke vrarë nëntë persona të premten.

Forcat ruse kanë qëlluar mbi tetë qytete dhe fshatra në rajonin lindor të Donetskut në 24 orët e fundit, duke përfshirë Mariupolin, tha të shtunën Policia kombëtare e Ukrainës.

Sulmet me raketa dhe artileri të rëndë vranë dhe plagosën dhjetëra civilë dhe dëmtuan të paktën 37 ndërtesa banimi dhe objekte, duke përfshirë një shkollë, një muze dhe një qendër tregtare, ka thënë ai.

Në qytetin perëndimor të Lviv, kryeqyteti kulturor i Ukrainës, i cili u godit nga raketat ruse të premten, veteranët ushtarakë po trajnonin dhjetëra civilë se si të trajtonin armët e zjarrit dhe granatat.

"Është e vështirë, sepse kam duar vërtet të dobëta, por mund ta menaxhoj", ka thënë praktikantja, 22-vjeçarja Katarina Ishchenko.