Trupat ruse në Mariupol, në jug të Ukrainës, po përgatiten të mbyllin së shpejti të gjitha hyrjet dhe daljet me synimin për të kryer një "filtrim" të popullatës mashkullore, raporton The Independent të shtunën.
E gjithë lëvizja në qytetin port të rrethuar të Detit të Zi do të ndalohet gjithashtu për një javë nga 18 prilli për të kryer procesin e filtrimit që tashmë është në funksion, ka thënë në Telegram Petro Andriushchenko, këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit.
“Gjatë kësaj kohe, 100% e popullsisë së mbetur mashkullore të qytetit do të ‘filtrohet’. Për këtë qëllim, ata të gjithë do të zhvendosen në Novoazovsk, një qytet më afër kufirit me Rusinë. Disa nga njerëzit do të mobilizohen në trupat pushtuese ruse, disa do të dislokohen me forcë për të pastruar rrënojat dhe ata që klasifikohen si jo të besueshëm do të izolohen”, ka shkruar Andriushchenko.
Ndërkohë, Moska ka njoftuar se pothuajse 100 shtetasë ukrainas nga Izium në rajonin e Kharkiv janë dëbuar në territorin rus.
“Destinacioni i tyre është rajoni i Belgorodit”, citoi ministrinë ruse të Mbrojtjes, agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti.